Gëzim Mekuli
Deklarata skandaloze e Nexhmedin Spahiut nuk është thjeshtë provokim retorik, por një akt i rëndë politik dhe moral kundër unitetit shqiptar.
Thënja, mendimi e misoni i Nexhmedin Spahiut, i cili pa asnjë ndjeshmëri kombëtare deklaroi publikisht se “𝐝𝐨 𝐭𝐞̈ 𝐥𝐮𝐟𝐭𝐨𝐣𝐚 𝐤𝐮𝐧𝐝𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐬𝐞̈ 𝐧𝐞̈𝐬𝐞 𝐚𝐣𝐨 𝐞 𝐬𝐮𝐥𝐦𝐨𝐧 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐧”, është një nga ato raste kur një njeri që pretendon të jetë intelektual, zhvishet cullak nga dinjiteti dhe del hapur si një flamurtar i përçarjes kombëtare.
Nëse do të ishim një shoqëri me më shumë integritet institucional e moral, kjo deklaratë do të mjaftonte për ta përjashtuar njëherë e mirë këtë njeri nga diskursi publik serioz. Por ne jemi ende në një Ballkan ku zhurma, provokimi dhe ndasia shpërblehen më shumë se mendimi kritik dhe përkushtimi ndaj çështjes kombëtare.
E vërteta është se Shqipëria kurrë nuk ka kërcënuar pjesën tjetër të shqiptarëve, Kosovën. Shqipëria ka qenë atdheu që hapi dyert, që strehoi, që dërgoi armë, që lobi ndërkombëtarisht për lirinë e Kosovës. Ndaj, të shpallësh publikisht se do të luftosh kundër saj, është një fyerje jo vetëm ndaj historisë, por edhe ndaj gjakut të derdhur për lirinë e shqiptarëve në Kosovë.
Le të shohim pak përtej. Kur Gjermania u bashkua në vitin 1990, pas një ndarjeje të dhimbshme ideologjike dhe gjeopolitike (ashtu siq është e ndarë sot Kosova…), krejt bota e përshëndeti. Gjermanët nuk luftuan njëri-tjetrin përkundrazi, u përqafuan. Sot janë fuqia ekonomike dhe politike më stabile e Evropës. A mund të imagjinohet një “akademik” gjerman të deklaronte se do të luftonte kundër Berlinit Perëndimor apo Lindor? Kurrsesi. Kjo do të ishte marrëzi.
Franca, Italia, Polonia, edhe kombet që kanë pasur armiqësi historike, kanë ndërtuar ura dhe institucione të përbashkëta për hir të kombit dhe stabilitetit rajonal. Ne shqiptarët, që jemi një komb në pesë shtete, ende duhet të përballemi me “akademikë” që shërbejnë si altoparlantë të përçarjes, të infektuar nga ndjenja inferioriteti dhe komplekse ndaj trungut të tyre etnik.
𝐓𝐞̈ 𝐝𝐚𝐬𝐡𝐮𝐫 𝐥𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬,
Nexhmedin Spahiu nuk është rast i izoluar, por përfaqësues i një rryme neojugosllave që prej vitesh përpiqet të zhveshë shqiptarët nga idealet e bashkimit dhe identitetit të përbashkët. Këta “intelektualë Made in Jugoslavia” kanë qenë gjithmonë të dështuar, si në përkrahje popullore, ashtu edhe në ndikim të qëndrueshëm. Historia i ka ndëshkuar, dhe populli shqiptar i ka përçmuar.
Në vend që të flasë për rreziqet reale që i kanosen Kosovës, si ofensiva e vazhdueshme diplomatike dhe propagandistike nga Serbia, projektet e rrezikshme si “Bota Serbe”, ndikimi rus dhe mohimi i krimeve të luftës; Spahiu shënjestron Shqipërinë, si të ishte ndonjë kolonë pushtuese, e jo motra e gjakut.
Dhe pikërisht për këtë, ky nuk është një opinion i parëndësishëm. Kjo është një tentativë e hapur për të mbjellë mosbesim mes shqiptarëve. Në një moment kur kemi më shumë nevojë se kurrë për një strategji kombëtare të përbashkët, për bashkëpunim ndërinstitucional, për integrim kulturor dhe politik, dikush përpiqet të na ndalë me gjuhën e urrejtjes dhe dyshimit.
Populli shqiptar nuk është i verbër. Shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në diasporë, e dinë shumë mirë kush është armiku dhe kush është vëllai. Dhe këtë e tregojnë çdo ditë me jetën, me punën dhe me solidaritetin që ndërtojnë mbi baza kombëtare.
Unë nuk hesht. Dhe nuk do të heshtë përballë retorikës së përçarjes. Bashkimi kombëtar nuk është një utopi e romantizuar; është një nevojë historike, një drejtësi që i është mohuar shqiptarëve për më shumë se një shekull. Dhe ata që e kundërshtojnë, nuk janë thjesht ndryshe; janë kundër nesh.
𝐓𝐞̈ 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐥𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬,
Askush nuk është më i rrezikshëm se sa budallai i arsimuar!