Gëzim Mekuli
/Njohës i mediave dhe retorikës/
Historia është një udhërrëfyes për ata që dëshirojnë të shmangin gabimet e së kaluarës. Por, fatkeqësisht, ajo përsëritet për ata që zgjedhin ta injorojnë. Sot, teksa shohim lëkundjet gjeopolitike dhe rrezikun e një Perëndimi të përçarë, jemi të detyruar të bëjmë pyetjen e pashmangshme: a kemi mësuar diçka nga viti 1939?
Në prag të Luftës së Dytë Botërore, Neville Chamberlain, Kryeministri britanik, besonte se mund të ndalte Adolf Hitlerin duke bërë lëshime territoriale. Me Marrëveshjen e Münchenit në vitin 1938, ai i dha Gjermanisë Sudetenlandin e Çekosllovakisë, duke shpallur me krenari “𝐩𝐚𝐪𝐞𝐧 𝐩𝐞̈𝐫 𝐤𝐨𝐡𝐞̈𝐧 𝐭𝐨𝐧𝐞̈”. Por vetëm disa muaj më vonë, Hitleri ja nguli Chamberlainit dhe pushtoi të gjithë Çekosllovakinë dhe nisi Luftën e Dytë Botërore.
Historianët dhe politologët kanë studiuar gjatë se si një politikë e qetësimit (appeasement) dështoi në vitin 1938, kur Chamberlain, me shpresën për të shmangur një luftë të madhe, ia dorëzoi Hitlerit Sudetenland-in, pjesën gjermano-folëse të Çekosllovakisë. (Südetenland)
Ky ishte një iluzion i rrejshëm i paqes, i cili vetëm sa i hapi rrugën pushtimit të plotë të Çekosllovakisë dhe më pas Luftës së Dytë Botërore.
Sot, shumë kritikë, ndër ta edhe unë, e shohim Donald Trump-in si një figurë të ngjashme me të shkretin Chamberlain-in.
Edhe Charles M. Kupperman, ish-zëvendës këshilltari për siguri kombëtare i Trump-it, tha se ai është “një artist i dorëzimit”; ashtu si Chamberlain në vitin 1938. Por a nuk është e njëjta lojë e pistë që po ndodh edhe sot me Putinin dhe me Vuçiqin?
𝐀 𝐝𝐨 𝐭𝐞̈ 𝐧𝐠𝐢𝐡𝐞𝐭 𝐏𝐮𝐭𝐢𝐧𝐢 𝐦𝐞 𝐔𝐤𝐫𝐚𝐢𝐧𝐞̈𝐧?
Nëse historia na ka mësuar diçka, është se diktatorët nuk ndalen vetë. Hitleri nuk u ndal me Sudetenland-in, por shkoj më tej, duke pushtuar Poloninë dhe duke nisur Luftën e Dytë Botërore. A ka ndonjë arsye për të besuar se Putini do të ndalet në Ukrainë?
Nëse Perëndimi lejon që Ukraina të sakrifikohet në emër të një paqeje të përkohshme (biznese e pazare), a nuk po krijojmë të njëjtat kushte që lejuan Hitlerin të marshonte pa ndalim? Cili do të jetë “Sudetenland-i” i Putinit pas Ukrainës? Gjeorgjia? Moldavia? Ballkani? A nuk po ndjek ai të njëjtën logjikë si Hitleri, duke e testuar Perëndimin me çdo lëvizje të tij?
𝐓𝐞̈ 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐥𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬,
Hiq nëse s’ke lexuar, por vetëm nëse e ke pare filmin “𝐌𝐮𝐧𝐢𝐜𝐡: 𝐀𝐦 𝐑𝐚𝐧𝐝𝐞 𝐝𝐞𝐫 𝐊𝐫𝐢𝐞𝐠𝐞𝐬”, këtu e ke të qartë se si Chamberlain nuk e kuptoi se paqja me Hitlerin ishte një aktrim dhe një mashtrim.
A do të kishin mësuar këshilltarët e Trump-it diçka nga ky film more? Apo nga librat e historisë?
E njëjta pyetje vlen edhe për Evropën sot: A jemi të gatshëm të sakrifikojmë Ukrainën me shpresën e një paqeje të rreme, vetëm që të kuptojmë më vonë se Putini nuk do të ndalet? A kemi luksin të bëjmë të njëjtin gabim që Chamberlain bëri me Sudetenland-in?
𝐓𝐞̈ 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐥𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬,
Evropa nuk duhet të lejojë që historia të përsëritet. Nuk duhet të ketë vend për një “Munich të ri”.
Nëse historia na ka mësuar diçka, është se diktatorët nuk mund të ngihen; ata mund të ndalen vetëm nga forca dhe uniteti. Në këtë drejtim Kosova, ndoshta, duhet të bisedoj (më shpesh) edhe me Ankaranë…