Besëtytnitë padyshim që janë pjesë e çdo populli, dhe për to ende dëgjohet të flitet edhe tek shqiptarët. Por, cilat janë 10 besëtytnitë që shqiptarët ende i besojnë? Më poshtë i kemi të radhitura 10 nga besëtytnitë që disa njerëz ende i besojnë:
Kur macja e zezë “të pret” rrugën
Nëse duke e kaluar rrugën, qoftë në këmbë apo me veturë, një mace e zezë ua ‘pret’ rrugën, atëherë ju duhet ta ndryshoni drejtimin apo të ktheheni, pasi kjo është një shenjë e fatkeqësisë. Në mesjetë, macet konsideroheshin kafshë të shtrigave, kështu për të mos pësuar ndonjë fatkeqësi, ato edhe vriteshin.
E marta ‘e zëzë’
Mendohet se e marta është dita kur Zoti krijoi të ligën, kështu, sipas më të vjetërve, nuk është mirë që të pastroheni natën e martë, të punoni punë dore apo punë të tjera.
Prerja e thonjve natën
Besëtytnia ndoshta më e çuditshme që ende besohet është për prerjen e thonjve të dorës dhe të këmbës natën ose përnjëherë. Sipas këtij besimi, nëse ju i prisni thonjtë e këmbës dhe të dorës përnjëherë, dikush do të vdesë në ditën tuaj të dasmës – apo do të ketë edhe dasmë edhe vdekje për një ditë.
Paratë
Besohet se nëse të kruhet dora e djathtë do të japësh para, por nëse të kruhet e majta, do të marrësh para.
Gëzimi
Thuhet se kur dy persona flasin përnjëherë fjalën e njëjtë rastësisht, do të gëzohen në një të ardhme të afërt ose dikush i shan.
Lemza
Ndoshta ende e dëgjoni thënjen “po të përmend dikush” kur keni lemzë, por kjo nuk është asgjë më shumë se një reagim i pavullnetshëm i muskulit të diafragmës që sjellë daljen e një sasie ajri dhe në të njëjtën kohë mbylljen e epiglotës (hapësirës së laringut).
Akrepat e orës
A thua me të vërtetë mendon dikush për ju nëse kur shikoni orën akrepat e saj janë një mbi një? Por, tani në kohën e celularëve të mençur, disa besojnë në fatin e numrave të orës në celular, p.sh kur ora është 11:11, 15:15 etj.
Patkoi i kalit
Besohet se patkoi i kalit i vendosur në derën e hyrjes në shtëpi e mbron shtëpinë nga krijesat e liga dhe sjellë fat e pasuri. Por, sigurohuni që patkoi të jetë i vendosur mirë, pasi në anën tjetër pasuria do të ju ‘derdhet’ e tëra.
Hurma në kuletë
Ka shumë vite që besohet se të mbash një bërthamë të hurmës në kuletë, kuleta juaj nuk do të mbetet kurrë pa para. Por, a mund të fitosh para pa punuar?
Pasqyra e thyer
Thuhet se pasqyra e thyer ka fuqi që të sjellë gjëra të këqija në jetë, që nëse shikoheni në të, fati u ‘shtyhet’ për shtatë vite.