10 Gra sa për 1000 Burra

1. Elena Gjika – shkrimtare dhe frymëzuese e Rilindjes Kombëtare. Njohëse e disa gjuhëve, në shkrimet e saj binin në sy notat e liberalizmit dhe pikëpamjet progresive për shoqëritë e kohës. Një nga shkrimtaret e para që ngriti çështjen e keqtrajtimit të grave dhe domosdoshmërinë për emancipimin e tyre, duke kërkuar trajtim të barabartë mes grave dhe burrave në shoqërinë e asaj kohe.

2. Parashqevi Qiriazi – mësuese dhe aktiviste e lëvizjes kombëtare për arsim. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe i kushtoi gjithë jetën e saj gjuhës shqipe, drejtshkrimit dhe shkollimit në shqip. Hapi disa shkolla lokale ku jepte mësim për nxënësit e fillores në një kohë kur arsimi në shqip ishte i ndaluar. Ndihmoi në krijimin e bibliotekave të vogla në disa fshatra të vendit. Ishte themeluese e shoqërisë së parë të grave në Shqipëri, Ylli i Mëngjesit. Autore e dhjetëra botimeve dhe artikujve mbi shoqërinë shqiptare, politikën, sociologjinë, historinë, filologjinë, letërsinë dhe folklorin.

3. Sevasti Qiriazi – patriote dhe themeluese e Mësënjtores, shkollës së parë në gjuhën shqipe të hapur në vitin 1891 në Korçë. Pjesëmarrëse në Kongresin e Manastirit, ndihmoi në hartimin e librave të parë shkollorë dhe shkroi librin e parë të gramatikës në shqip. Së bashku me bashkëshortin e saj Kristo Dako, hapën shkollën e parë shqipe në Shtetet e Bashkuara dhe pas rikthimit në Shqipëri, themeloi së bashku me të motrën, Parashqevinë, Institutin Femëror Qiriazi në Tiranë në vitin 1922.

Lexo po ashtu:  Femrat e forta e kanë më të vështirë ta gjejnë dashurinë e vërtetë
Sevasti Qiriazi

4. Urani Rumbo – mësuese, feministe dhe themeluese e shoqërisë ‘Lidhja e Gruas’. Gjatë viteve 1920 botoi shkrime të ndryshme në gazetat Drita dhe Demokracia mbi problemet me të cilat përballeshin gratë në Shqipëri dhe kryesisht çështjen e shkollimit. 
Së bashku me Hashibe Harshovën, Naxhije Hoxhën dhe Xhemile Balilin, themeluan Lidhjen e Gruas dhe publikuan një manifest në gazetën Drita, si formë proteste kundër diskriminimit dhe kushteve të vështira të jetës për gratë. Në vitin 1923, nisi një fushatë për pranimin e vajzave si nxënëse në Liceun e Gjirokastrës.
Në vitin 1925 themeloi shoqërinë Përmirësimi, ku jepte klasa dhe kurse për gratë. Bëri përpjekje për përfshirjen e studenteve dhe grave në trupat teatrore të kohës.

5. Shote Galica – luftëtare e shquar e çetave kryengritëse shqiptare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare në një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri. Luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë. Pjesëmarrëse në kryengritjet e vitit 1919 dhe atyre të viteve 1922-1923. Në korrik 1924 pas vdekjes së të shoqit Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij.

Lexo po ashtu:  Safete Juka, historia dhe guximi i një dijetareje shqiptare të klasit të parë, zbuloi librin e tmerrit të intelektualit hebre nga Vjena, Leo Freundlich

6. Margarita Tutulani – qëndrestare gjatë Luftës së dytë botërore dhe aktiviste politike. Braktisi studimet jashtë vendit dhe ju bashkua rezistencës anti-fashiste në Shqipëri. Kundërshtoi ashpër pushtimin fashist dhe më 28 Nëntor 1942 ishte një nga organizatoret e demostratave kundër pushtuesve në Berat.

7. Marie Tuçi – mësuese dhe martire e regjimit komunist në Shqipëri. Simbol i emancipimit dhe dinjitetit femëror në kushtet e një regjimi të egër diktatorial. Nxënëse e shkollës së motrave Stigmatine në Shkodër, pas diplomimit dhe angazhimit në Kishën Katolike, u dërgua në Mirditë si mësuese. Në vitin 1946 dënoi pa frikë përndjekjen shtetërore komuniste ndaj besimtarëve katolikë dhe në vitin 1949 u arrestua, u burgos dhe u torturua për muaj me rradhë nga regjimi deri në vdekjen e saj në vitin 1950.

8. Sabiha Kasimati – biologe dhe disidente e regjimit komunist. Punoi për vite me rradhë si mësuese dhe vazhdoi studimet e larta dhe doktorale në Itali. Pas kthimit në Shqipëri punoi si biologe dhe ishte ideatore e krijimit të Muzeut të Shkencave të Natyrës. Në vitin 1951 u akuzua për hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike, u dënua për agjitacion dhe propagandë dhe u pushkatua bashkë me disa intelektualë të tjerë.

Lexo po ashtu:  “E di çfarë më duket seksi? Inteligjenca”. Thënie të veçanta nga 'La casa de papel'
Sabiha Kasimati

9. Servete Maçi – mësuese e shkollës së parë femërore në Tiranë. Filloi mësimdhënien që në moshë 15 vjeçare në kushte të papërshtatshme dhe të vështira. Për aktivitetin e saj u sulmua shpeshherë nga grupet konservatore të kohës dhe përkrahësit e regjimit turk. Përgatiti gjeneratën e parë të mësueseve të gjuhës shqipe.

10. Musine Kokalari – aktiviste politike e kulturore dhe shkrimtare. Mbaroi studimet e larta në Romë për Letërsi. Në veprën e saj ‘Siç me thotë nënua plakë’, Musineja shpjegon vështirësitë e jetës së përditshme të grave në Gjirokastër. Pas përfundimit të Luftës, hapi një librari në Tiranë dhe u angazhua politikisht. Ishte një nga themelueset e partisë Socialdemokrate dhe një nga opozitaret e para politike kundër regjimit komunist. Pak muaj para arrestimit të saj në vitin 1946, u dërgoi një letër aleatëve të vendosur në Tiranë ku kërkonte mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe zgjedhjeve të lira. U burgos për 18 vite dhe pas daljes nga burgu jetoi e internuar deri në fund të jetës. Kevin Jasini / www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *