Sot shënohen 20 vjet nga ndarja nga jeta e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë më 21 janar 2006.
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm, nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, janë paraparë një sërë aktivitetesh përkujtimore në nderim të figurës së tij.
Sipas njoftimit të Presidencës, në orën 10:00 do të mbahen homazhe tek varri i Presidentit Rugova në Velani, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë.

Ndërkaq, në orën 12:00, nën patronatin e presidentes Osmani, në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare, do të mbahet Akademi Përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të presidentit historik të Kosovës.
Po ashtu, Lidhja Demokratike e Kosovës, nën përkujdesjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se organizon Akademi Përkujtimore për 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të Atit Themeltar të Republikës së Kosovës, Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Kjo akademi do të mbahet sot (e mërkurë), në ora 11:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Presidenti Ibrahim Rugova mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës, i njohur për filozofinë e tij politike paqësore dhe rolin kyç në ndërtimin e shtetit të Kosovës.




