Rudina Xhunga në një intervistë të gjatë, ndër tjerash, pyet profesorin Qosja për përpjekjet e disa “intelektualëve” për të ndryshuar gjuhën standarde shqipe. – Çfarë do t’i sillte prekja e gjuhës standarte shqiptarëve?
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Rexhep Qosja – Si fillim do sillte dëme shumë të mëdha. Me këtë gjuhë standarde siç është sot, shkruajmë 40 vjet tashmë. Me pak fjalë, kjo do të thotë të përmbysen të gjitha, në një mënyrë, ato vlera letrare, shkencore, publicistike etj. që janë krijuar bashkë me gjuhën. Kurrkush nuk pengon askënd të flasë edhe dialektet, kurrkush nuk pengon askënd të shkruajë vepra letrare edhe në dialekt, por gjuha standarde është gjuha e administratës shtetërore, është gjuha e mjeteve të informimit, është gjuha e arsimit, është gjuha e diplomacisë, është gjuha e partive politike, është gjuha e institucioneve shtetërore.
Këtu nuk duhet të preket gjuha dhe them se të gjitha këto përpjekje për ndryshimin, mos të them për rrënimin, e gjuhës standarde të një arrituri më të madhe kulturore në historinë e popullit shqiptar, nuk kanë ardhmëri, do të dështojnë.

Rudina Xhunga – Në këto 20 vite gjithashtu çfarë i ka sjellë familjes shqiptare tranzicioni shqiptar?
Rexhep Qosja – Familja shqiptare është e njohur si një familje e qëndrueshme me disa rregulla, me disa tradita, që të huajt do ta quanin standarde, norma, që ishin rregullat e jetës në familje të çmuara shumë, me zakone. Familja ishte e shenjtë në jetën shqiptare. As Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk e lejon ndëshkimin e gruas, e trajton në një mënyrë të veçantë gruan. Edhe në Kanunin e Dukagjinit është thënë se gruaja është themeli i shtëpisë. Pra, ishte familja shqiptare e sigurt, e paprekshme, e çmuar shumë.
Kjo familje që ishte e ngjeshur, shumë kompakte, që çmohej shumë nga të huajt, ku çmoheshin shumë zakonet nga ato që kishin ardhur dhe i kishin parë këto familje dhe kishin hyrë në shtëpitë e tyre, flasin me shumë respekt për to. Kjo familje sipas mendimit tim po përjeton një krizë të rëndë. E para është e ballafaquar me prostitucionin, me tregtinë e qenieve njerëzore, drogën, me krime të ndryshme, me një agresivitet të veçantë që po ndodh në familje.
Para një jave dëgjova në televizion se në 10 muaj janë vrarë 20 gra. Kjo është diçka e papranueshme dhe e palejueshme. Kjo krizë po sjellë që të ndodhë atë që nuk ka ndodhur më përpara. Kemi patur raste ku djali ka vrarë nënën ndërsa vrasja e gruas prej burrit dhe ndonjëherë e burrit prej gruas është bërë e shpeshtë. Pra, po ndodhin tragjedi, dhembje që nuk kanë ndodhur në familjen tradicionale.
Ka një fajtor për këtë dhe kjo është politika. Sot nuk merret askush me familjen, nuk i kushton njeri vëmendje familjes. Për këtë arsye mund të ndodhë, fjala vjen, që të jepen para për festimin e përvjetorit të “Vatrës” në Nju Jork, por që të mos gjenden para që të vendoset nëna me katër fëmijë që ka mbetur në rrugë është diçka e paparë dhe e padëgjuar.
Dhe e dyta, agresivitetet që po ndodhin në familje dhe në jetën shqiptare e them me përgjegjësi intelektuale dhe qytetare, si një njeri që ndjek mjetet e informimit, këtë agresivitet e frymëzon edhe Kuvendi i Shqipërisë, një Kuvend ku dëgjojmë shumëçka dhe gjithçka, një Kuvend ku zotëron një gjuhë shumë e vrazhdë, një Kuvend ku dy forca janë shumë të ndara, një Kuvend ku shprehen pasione, mosdurime, urrejtje. Epo thuhet se Kuvendi është një institucion jo vetëm politik por është edhe një institucion pedagogjik dhe moral. Populli i sheh ata njerëz dhe prej tyre do mësojë të mirën dhe të keqen. Nuk do të duhej të ishte kështu.



