E vërteta se si mund të marrim koronavirusin, sa janë më të rrezikuar të moshuarit dhe ç’duhet të bëhet për të shmangur infektimin. Këto tema kanë nxitur interesim të madh dhe për to po jepen përgjigje të ndryshme. “The Guardian” është përpjekur të nxjerrë 6 më kryesoret duke u dhënë këto përgjigje.

Spekulimi 1: Maskat e fytyrës nuk funksionojnë

Bartja e një maske sigurisht s’është garanci se s’do të sëmureni. Mund të merrni virusin edhe përmes syve dhe grimcat e vogla virale mund të depërtojnë. Gjithsesi, maskat janë efektive kundër spërklave, që njihen si transmetuesit kryesorë të koronavirusit. Nëse keni kontakt të afërt me dikë të infektuar, një maskë ul shanset për marrjen e virusit. Nëse keni simptoma të koronavirusit, apo jeni diagnostikuar me të, vendosja e maskës mund të mbrojë të tjerët. Ndaj maskat janë vendimtare për kujdesin e njerëzve që punojnë dhe atyre që kujdesen për të tjerët.

Spekulimi 2: Virusi po pëson mutacion, po bëhet më vdekjeprurës

Të gjitha viruset akumulojnë mutacione përgjatë kohës dhe virusi që e shkakton Covid-19 nuk është ndryshe. Sa janë të përhapura llojet e virusit varet nga selektimi natyror – versionet që janë të shpejta dhe replikohen me sukses në trup do të kenë më së shumti “sukses”. Kjo nuk nënkupton që do të jenë më të rrezikshmit për njerëzit, sepse viruset që vrasin njerëzit nuk janë aq lehtë të transmetueshëm. Sipas 103 mostrave të viruseve nga pacientët në Wuhan të Kinës, dolën dy lloje të virusit, njëri “L” dhe tjetri “S”. Edhe pse lloji “L” ishte më i përhapur se versioni “S”, virusi “S” ishte më i vjetër. Sipas ekspertëve kinezë, lloji “L” ishte më agresiv, por kjo teori është vetëm spekulim në këtë fazë – pasi akoma s’ka pasur krahasim direkt mes njerëzve që marrin njërin apo tjetrin lloj apo as sa kanë vuajtur ata.

Lexo po ashtu:  Zbuloni çfarë shkakton në organizëm kafeja turke

Spekulimi 3: S’është më i rrezikshëm se gripi sezonal

Shumë njerëz që marrin koronavirusin nuk do të përjetojnë më shumë se simptomat e njëjta me të gripit sezonal, por profili i përgjithshëm i sëmundjes, përfshirë shkallën e vdekshmërisë, duket më i rrezikshëm. Në fillim, shkalla e vdekshmërisë mund të jetë jo e saktë pasi shumë raste me simptoma të lehta as nuk regjistrohen. Por eksperti Bruce Aylëard nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që ka udhëhequr një mision në Kinë, ka thënë se kjo s’ka ndodhur me koronavirusin. Nëse konfirmohet me testime të mëtejshme, kjo nënkupton që rreth 1% e rasteve përfundojnë me fatalitet. Kjo e bën Covid-19 dhjetë herë më të rrezikshëm se gripi sezonal, që brenda vitit vret mes 290 mijë dhe 650 mijë njerëzve në botë.

Spekulimi 4: Vret vetëm të moshuarit, të rinjtë mund të relaksohen

Shumica e njerëzve që nuk janë të moshuar dhe nuk kanë shëndet të dobët nuk do të sëmuren shumë nga koronavirusi. Por sëmundja ka shans të lartë që të çojë në simptoma serioze respiratore në krahasim me gripin sezonal. Në grupet tjera të rrezikuara hyjnë punëtorët shëndetësorë për shkak të ekspozimit më të madh ndaj virusit. Veprimet që marrin njerëzit e rinj e të shëndoshë, përfshirë raportimi i simptomave dhe përmbajtja e instruksioneve të karantinës, do të kenë rol të madh në mbrojtjen e shoqërisë.

Lexo po ashtu:  A mendoni se ka ardhur koha të lini konsumimin e duhanit? Nisjani nga “ditari i varësive”

Spekulimi 5: Duhet të rrini me një person të infektuar për 10 minuta

Për gripat, disa këshilla shëndetësore janë që të mos afroheni dy metra me një person të infektuar i cili kollitet apo teshtin për 10 minuta apo më shumë. Gjithsesi, është e mundshme të infektohesh me kontakt të shkurtër apo duke marrë virusin nga sipërfaqet e kontaminuara, edhe pse kjo mendohet të jetë rrugë më e rrallë e transmetimit të sëmundjeve.

Spekulimi 6: Vaksina do të jetë e gatshme për pak muaj

Shkencëtarët ishin të shpejtë për të hapur rrugën për zhvillimin e një vaksine për koronavirusin e ri, duke u ndihmuar nga lançimi i hershëm i gjenetikës së virusit, nga hulumtuesit kinezë. Zhvillimi i një vaksine të sigurt merr kohë. Tashmë disa ekipe kanë nisur testimet nëpër kafshë. Gjithsesi, testimi në masë kërkon edhe më shumë kohë gjatë. Një vaksinë për treg e gatshme për një vit do të konsiderohej e shpejtë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *