Për shkak të paraqitjes së rasteve pozitive me koronavirus, si në mesin e nxënësve ashtu edhe të mësimdhënësve, 14 shkolla në Kosovë janë mbyllur, kurse mësimi ka kaluar online.
Diellza Kukaj, zyrtare për informim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, thotë se numri i nxënësve të infektuar me koronavirus është 130, ndërkaq i mësimdhënësve 148.
“Gjitha shkollat që tashmë janë mbyllur, kanë kaluar sipas planit C, pra mësimi po mbahet online. Ky është bilanci i të infektuarve që ne e kemi marrë ditën e premte (23 tetor) nga e gjithë Kosova, pra kemi 148 mësimdhënës dhe 130 nxënës të infektuar”, tha Kukaj për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe, Ministria e Arsimit ka paraparë që në këtë vit shkollor, mësimi të realizohet përmes tre skenarëve. Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online.
Si duhet të reagojnë shkollat në rast të përhapjes së koronavirusit?
Njëra nga nxënëset që për dy javë ka vijuar mësimin online është Renea Munishi. Ajo tregon se në klasën e saj, në shkollën e mesme “Don Bosko” në Prishtinë, një nxënës doli pozitiv me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Pas kësaj, tregon Renea, mësimi u zhvendos online dhe e gjithë klasa u testua për koronavirus nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
“Ndonëse kemi dalë gjithë të tjerët negativë, ne për dy javë nuk kemi shkuar në shkollë, po mësimi ka vazhduar online. Gjatë kësaj jave kemi filluar mësimin në objekt. Ne jemi testuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike me teste (me metodën) PCR. Katër profesionistë kanë ardhur në shkollë dhe aty i kanë marrë mostrat e nxënësve. Nuk kemi qenë vetëm ne, ka pasur edhe nga klasë të tjera që janë testuar”, tregon ajo.
Në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, mësimi po zhvillohet sipas skenarit B, apo mësimi i kombinuar, ku një grup nxënësish për një javë ndjekë mësimet nga banka shkollore dhe tjetri kyçet online nga shtëpia.
Ky skenar po aplikohet në këtë shkollë, pasi në muajin shtator, ajo u mbyll sepse katër arsimtarë dolën pozitivë me koronavirus.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Jehona Oruqi tregon për Radion Evropa e Lirë se si po zhvillohet mësimi në këtë institucion arsimor.
“Shkolla jonë ka qenë dy javë me skenarin C, pra gjithë kemi qenë në mësim online, për arsye se kanë rezultuar katër mësimdhënës pozitivë. Tash po funksionojmë sipas skenarit B. Janë dy grupe brenda ditës, ku njëri kyçet online nga shtëpia direkt në klasë dhe grupi tjetër brenda klasës. Aktualisht e kemi një nxënëse të infektuar, por që ka qenë duke mbajtur mësim nga shtëpia. Kështu që gjithçka po funksionon aktualisht mirë sa i përket mësimit”, thotë Oruqi.
Kosova pikun e pandemisë e ka arritur në muajt korrik e gusht, derisa më pas numri i të infektuarve ka shkuar duke shënuar rënie. Por, në tre javët e fundit në Kosovë është vërejtur një rritje e lehtë e numrit të të infektuarve me koronavirus.
Në shtatë ditët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 1,139 raste të reja me koronavirus dhe dhjetë viktima.
Megjithëkëtë, mikrobiologu Lul Raka tha se tash për tash nuk është diskutuar për mbyllje shkollash, dhe se mësimi do të vazhdojë të mbahet në objekte shkollore sipas planit që tashmë shkollat i kanë bërë. Por, ai shtoi se kjo varet nga situata epidemiologjike në ditët në vijim.
“Gjithçka varet nga situata epidemiologjike. Në Kosovë, ndonëse që nga mesi i muajit shtator janë hapur shkollat, numri i rasteve të të infektuarve me koronavirus tash për tash po del të jetë i menaxhueshëm. Ato shkolla ku ka pasur të infektuar kanë kaluar në planin C, dhe mësimi mbahet online”, thotë Raka.
Me planin e Qeverisë së Kosovës ka qenë e paraparë që mësimi të niste më 1 shtator, por data është shtyrë për dy javë me kërkesë të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).
Kjo e fundit, atëbotë pati thënë se nuk janë siguruar kushtet e nevojshme për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit.
Qeveria e Kosovës i ka mbyllur institucionet arsimore qysh në mes të marsit, kur edhe janë shfaqur rastet e para me koronavirus.
Pjesën e mbetur të vitit shkollor, nxënësit e kanë ndjekur online.