Qytetarët e Shqipërisë e kanë për zakon që kur punohet për të keqen e tyre heshtin. Pasi ka ndodhur e keqja e shkruajnë në manualet shkollorë dhe e përmendin vend e pa vend si padrejtësi që u është bërë prej pushtetit të tyre apo prej ndërkombëtarëve.

E kanë sharë Zogun tërë jetën se dha Shën Naumin, e kanë thënë tërë jetën se fuqitë e mëdha e ndanë Shqipërinë në copa. Por kur vjen puna që kryeministri Rama jep në mënyrë tinzare detin e Shqipërisë për pushtetin personal, nuk bëjnë zë. Po t’i kishin humbur paret te Vefa, apo po t’u kishin vjedhur një metër gardh, do të kishin marrë pushkën dhe do të vrisnin dhe vëllanë.

Më vjen keq që duhet të shkruaj e të mendoj se një shoqëri e këtij lloji është ajo ku bëj pjesë. Kësaj shoqërie ia shembin teatrin kombëtar mu në mes të kryeqytetit, dhe prapë nuk ndihet. Ia vjedhin kromin dhe prapë hesht. Ia shkatërrojnë lumenjtë, dhe prapë nuk ndihet.
Për të gjitha këto sjellje ekziston fjala “parapolitikë”, e cila do të thotë se nuk je ende entitet politik, pra nuk njeh tërësinë publike në te cilën bën pjesë. Shqiptari pra e njeh shtëpinë private, por pak shtëpinë kombëtare. I tillë, siç është gatuar, u gjykua nga Konica e Fishta një herë e një kohë. Fakti që shoqëria jonë nuk ka ndryshuar tregon se nuk ka ndryshuar asnjë fije edukimi i saj shtetëror dhe publik. Pra, njerëzit tanë shkojnë në shkollë publike, por nuk mësojnë asgjë për pasurinë publike, as për trashëgiminë kulturore, as për garancinë kombëtare. Çka do të thotë se në zemër të arsimit tonë punon mashtrimi dhe vetëmashtrimi.

Lexo po ashtu:   Ta mbrojmë Kosovën, përkatësisht Shqipërinë Etnike,  jo Serbinë kolonialiste gjenocidale !

Unë jam prej vitesh aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje! Unë e di që fitorja e saj shumë e shpejtë dhe e fuqishme në Kosovë do të jetë zgjim i përgjithshëm i shqiptarëve. Por do të ishte më mirë të mos i vështirësojmë punë vetes. Se çfarë vështirësish do të vinin në planin kombëtar me fitoren e Trumpit, këtë mund ta parashikojmë. Por, është e domosdoshme të kuptojmë sa halle i krijojmë vetes me indiferencën tonë kur zgjedhim përfaqësuesit tanë.

Kryeministri Rama mendon se populli shqiptar nuk është i denjë të njohë as temat e negociatave që ky i kryen në emër të popullit të vet, dhe as rreziqet që rrjedhin prej këtyre negociatave. Pra, populli shqiptar është i zgjuar vetëm kur i jep votën Ramës. Kur Rama bën pakte në kurriz të tij, mendon se ky popull është një turmë injorante.
Rama punon shumë mirë me Vuçiçin dhe me Micotaqisin. Atij i duhet vetëm diçka: gjumi i shqiptarëve. Bashkëpunimin e opozitës e ka të garantuar. Këtë mision e ka Basha. Ky duhet të mbajë në gjumë anëtarësinë demokrate.
Një popull në gjumë ia sheh sherrin vetes. Kur zgjohet vritet mes veti. Fqinjët vijojnë me të njëjtët plane strategjikë përsa që shqiptarët vazhdojnë me të njëjtin gjumë parapolitik. Fqinjët do të bëjnë çmos të mbështesin pushtetarët dhe analistët tanë që punojnë për ta.
Me kalimin e kohës, sidomos me fitoren e LV-së në Kosovë, shoqëria shqiptare do të kuptojë se një popull i zgjuar ka udhëheqës trima, ndërsa një popull në gjumë ka udhëheqës dinakë dhe hajdutë.

Lexo po ashtu:  Pesë mënyrat për të rregulluar marrëdhëniet e prishura SHBA-Evropë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *