Nga Endri Shabani

Kur ishim të vegjël, në fillim të viteve 1990, ju na thatë “mëso se pa shkollë do mbetesh gjithë jetën pa punë”. Por po shohim Noizin, me 4 klasë shkollë që promovohet nëpër librat e shkollës si artisti më i famshëm në Shqipëri. Pamë edhe ministra me mesatare 5, si dhe dekanë universitetesh me doktoratura të vjedhura.

Na thatë “lexo libra, se pa lexuar nuk do arrish gjëkundi”. Por po shohim deputetë që ende nuk njohin të gjithë germat e alfabetit, apo tabelën e shumëzimit. Pamë edhe shtëpitë miliona eurosh të pasanikëve të Tiranës, që në mijëra metra katrorë nuk kanë një raft librash.

Kur ishim të vegjël na thatë “puno fort, se po nuk punove do përfundosh i varfër”. Por po shohim politikanë miliarderë që nuk kanë punuar një ditë në jetë. Pamë edhe se si u pasuruan Taçi, Beso, Zamiri, Çeti dhe gjithë “klientët” e privatizimeve, të cilët ranë në gjumë si përkthyes, kambistë apo shoferë dhe u gdhinë si pronarë fabrikash e minierash të ndërtuara me punën e miliona shqiptarëve.

Lexo po ashtu:  Si e shiti Basha krimin e tij si i ‘viktimizuar’ në stilin serb të rastit ‘Panda’ në Pejë

Na thatë “thuaj gjithmonë të vërtetën, se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”. Por po shohim se si për 19 vjet në krye të bashkisë janë zgjedhur, dhe rizgjedhur, tre gënjeshtare patologjikë, nga më të mëdhenjtë që ka parë ky vend.

Kur ishim të vegjël na thatë që “për t’u bërë artist duhet shumë talent, dhe shumë punë”. Por po shohim se si arti është marrë peng nga mediokriteti, ndërkohë licetë dhe akademitë e arteve vazhdojnë të përgatisin kamerierë dhe punonjës për call-center. Pamë edhe se si festivalet e këngës i ngjajnë paradave në rrugicat me drita të kuqe të Amsterdamit.

Na thatë “bëhu i zoti i vetës, se nuk të ndihmon njeri”. Por po shohim se si shteti i jep “ndihmë ekonomike” (pa bërë asnjë punë) 5 milionë euro në vit Klodjanit që djeg plehrat, dhe 3 milionë euro Çetit që ngre traun.

Kur ishim të vegjël na thatë “Bëj jetë të ndershme. Mos vrit dhe mos vidh, nëse do të nderohesh dhe respektohesh nga shoqëria”. Por shohim dhjetëra kriminelë që mbahen me tituj e me nderime, në Parlament, në krye të ministrive, bashkive, apo bizneseve më të mëdha në vend. Pamë edhe se si titujt e nderit dhe dekoratat tregtohen si mall në tregun e gjësë së gjallë.

Lexo po ashtu:  SHËNIM: Ambasadorët e Perëndimit në Beograd e kanë lëkurën të trashë

Na thatë “duaje vendin tënd, sepse këtu kanë jetuar gjyshërit e tu, dhe këtu do të rrojnë edhe fëmijët e tu”. Por po shohim se si për 29 vjet këta po kontaminojnë ujin, tokën dhe ajrin. Pamë edhe se si kanë prerë pyjet, kanë vjedhur shtratin e lumenjve, kanë zaptuar bregun e detit dhe kanë gërryer malet.

Na thatë shumë gjëra por deri më sot del se na keni gënjyer…

Në 29 vite pamë se realiteti në Shqipëri ka qenë krejt ndryshe.

Sot shqiptari i zakonshëm jeton një jetë të mundimshme, i lënë në një ishull varfërie, por i rrethuar nga një det me pasuri natyrore.

Sot shqiptari i ndershëm jeton pa krenari, i lënë në fund të sallës, në një skenë të dominuar nga gjithfarësoj horrash pa din e pa iman.

Sot shqiptari i edukuar, që ka sakrifikuar një jetë në shkollë, është vënë përfund nga mediokriteti i shefave të partisë, të cilët nuk kanë mend as sa për të lexuar gazetën.

Lexo po ashtu:  Gafa që shfaqi hipokrizinë e Ramës me Kosovën dhe BE

Sot shqiptari i talentuar është në kërkim të një pune çfarëdo për të mbyllur muajin, dhe i ka harruar ëndrrat me karrierë artistike.

Sot shqiptari punëtor dhe i palodhur është kthyer në skllav i një kaste të pangopur, që ka marrë peng çdo sferë të jetës, në politikë, media, akademi apo biznes.

Sot shqiptari atdhetar po braktis ëndrrat dhe po shet pronat për të blerë një biletë që do ta çojë edhe në fund të botës, mjafton të gjejë një vend ku të trajtohet si njeri dhe të ndihet pjesë përbërëse e shoqërisë…

Prandaj, në përfundim të këtyre tre dekadave, ne, brezi i lindur dhe rritur pas 1990, kemi përpara dy zgjedhje: ose të ndryshojmë realitetin ku jetojmë, ose t’u mësojmë të tjera gjera fëmijëve tanë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *