Nga Enver Dugolli

Kosova kishte ndryshuar. Mirëpo ende nuk na dukej se gjithçka ishte kthyer në vend të vet. Ne gjetëm policë dhe ushtarë të huaj në vend të atyre serbë. Edhe pse me mision paqësor, dukja e tyre qe mbërthyer me armë e helmeta. Kjo nuk na linte një shije të mirë. Ne i konsideronim pjesë të lirisë sonë, dhe donim që ata të ndjenin të njëjtën gjë.

Ne po dilnim nga burgu dhe po hynim në një jetë të mbushur me plot të papritura. Kishte nisur ndërtimi i disa institucioneve. Jeta kishte marrë dinamikë tjetër. Ishin formuar parti e shoqata dhe të gjitha dëshironin të na dëshmonin “zemërgjerësinë” e tyre. Ato na përdornin si trofetë e tyre. Ndasi dhe armiqësi të reja po lindnin e po depërtonin me ngut në popull. U bë e frikshme përkatësia politike.

Ne kishim lënë shokët pas, ndërsa përpara kishim ofertat e partive dhe grupimeve. Ndaj u bashkoheshim protestave dhe demonstratave që organizoheshin për lirimin e të burgosurve të mbetur në Serbi. Një grup prej nesh u organizua dhe u fokusua në protesta. U formua Këshilli Organizativ për protesta dhe demonstrata. Liria jonë, bashkë më lirinë e Kosovës, po fillonte me protesta e demonstrata.

Lexo po ashtu:  Disku Pellazgjik i Festos, simbolet, gjenoma dhe mrekullia

Klasës politike në formim e sipër i konvenonte brenga jonë. Ata i gëzoheshin faktit se ne kishim me çka të merreshim, sepse dhe ata kishin me çka të merreshin. Ata po ndërtonin institucionet e tyre. Ne e kishim autoritetin dhe dashurinë e popullit, por ishim të vonuar. Tani ishte viti i dytë që kur kishte mbaruar lufta dhe shumçka kishte ndryshuar. Ata kishin autoritetin dhe pushtetin, ata ishin të votuar.

Ndryshe nga ajo që kishim prit.

Ndryshe nga ajo që përfytyronim.

Ndryshëm nga ajo që do të duhej.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *