Nga Alfred Peza/

Edhe pse ishte dita e seancës së dytë të procesit ndaj drejtuesve kryesorë të UÇK në Gjykatën Speciale të Hagës, emri më i lakuar publikisht dhe mediatikisht në hapësirën shqiptare në Ballkan, vazhdoi të ishte ai i Kryetarit të PD Lulzim Basha. Avokatët mbrojtës së palës shqiptare në gjyq, bënë një apel të fortë për të kutpuar se çfarë është realisht në lojë, kur shtabi i luftës çlirimtare akuzohet si “grup i strukturuar kriminal”. “Kjo është një çështje historike, pasi mund të ketë implikime shumë të mëdha, deri tek shtetësia e Kosovës”,- tha njëri prej tyre. Zërat kundër Lulzim Bashës që sa vijnë e po shtohen nga ana sasiore dhe po forcohen nga ana cilësore, ngulmojnë në zbardhjen e të vërtetave që lidhen me rolin e tij, si pjesë e ekipit të hetuesve ndërkombëtare për krimet e ndodhura në Kosovë në vitet 1998-1999. Siç po bëhet gjithnjë e më e qartë, ai ka qenë personi shqiptar më kyç, në misionin faktmbledhës të këtij procesi.

Nuk janë vetëm njerëzit që kanë patur kontakt të drejtpërdrejtë me Lulzim Bashën në atë periudhë, që po flasin çdo ditë kundër, duke dëshmuar të dhëna kompromentuese që kërkojnë sqarime të besueshme prej tij. Por, janë edhe shumë dëshmitarë, gazetarë, ekspertë, politikanë dhe anëtarë të ekipeve ndërkombëtare që i mbështesin ato. E si të mos mjaftonin vetëm njerëzit dhe dëshmitarët gjallë të zhvillimeve dramatike të 20 viteve më parë, çdo ditë e më tepër po dalin në pah prova, dëshmi dhe dokumenta zyrtare që hedhin dritë mbi rolin e Lulzim Bashës në atë periudhë. Disa prej të cilave, për hir të transparencës me publikun dhe në respekt të së vërtetës historike, kërkojnë doemos shpjegime të detajuara, të sakta dhe të besueshme.

Lexo po ashtu:  Mbetet të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme për Top-Channel

Lulzim Basha është kryetari i partisë më të madhe të opozitës dhe kandidat i saj për Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ndaj ai ka detyrimin jo vetëm politik por edhe moral që ta pastrojë veten nga çdo insinuatë sado dashamirëse ose dashakeqe qoftë ajo, nga çdo dyshim dhe akuzë. Në nenin 8 të Kushtetutës sonë është e sanksionuar, se:

1.- Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.

2.- Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.

3.- Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare. Këto detyrime nesër, nuk mund ti besohen një qeverie të drejtuar nga një Kryeministër, për të cilën ka sot kaq shumë debate në lidhje me to.

Përkundër të gjitha zërave që kërkojnë transparencë maksimale për një çështje kaq të rëndësishme dhe delikate, i vetmi që nuk flet e që bën sikur nuk e sheh dhe sikur nuk dëgjon, është Lulzim Basha. Ai po fshihet prapa memecërisë dhe shurdhërisë. Ai jo vetëm që nuk po prononcohet, por po mundohet të fshihet prapa Sali Berishës që po flet në emër të tij, duke luajtur lojën e strucit në gjithë këtë histori, me shpresën se mund të shpëtojë. Në vend që të flasi për veten, Lulzim Basha bën sikur po flet për shqiptarët, për gjëra krejt të tjera që nuk kanë asnjë lidhje me përgjegjësinë e tij direkte në pastrimin apo njollosjen e UÇK.

Lexo po ashtu:  Opsioni i “paqes” apo “guri i varrit” në Ballkanin Perëndimor

Në vend që të japë sqarime rreth rolit dhe pozicionit të tij, në lidhje me fshehjen dhe asgjesimin e provave të pakundërshtueshme që dëshmojnë genocidin dhe spastrimin etnik serb në Kosovë, Lulzim Basha bën sikur është shumë i shqetësuar për gjithçka tjetër, përveç asaj të vetmes çështje për të cilën sot i kërkohet atij llogari. Në vend që të dëshmojë për pastërtinë e luftës së UÇK dhe misionin që ka kryer në funksion të saj përpara se të angazhohej politikisht në Shqipëri, Lulzim Basha bën sikur është shumë i shqetësuar për pandeminë globale. Në vend që të flasi për atë që ka bërë në të shkuarën, Lulzim Basha flet se çfarë do bëjë për shqiptarët në të ardhmen. Por e ka kot, për aq kohë sa po presim që Lulzim Basha të bëjë vetëm një gjë: Të flasi për vete!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *