Mjeku shqiptar nga Kosova që vepron në Gjermani, Fahri Beqa, i ka quajtur absurde barnat që u jepen pacientëve me koronavirus në Kosovë, të cilat sipas tij rrisin mundësinë edhe për gjakderdhje në tru, shkruan MekuliPress.com
Beqa thotë se absurdi numër një është se i preferohet secilit që është pozitiv me COVID-19, një trajtim me Remdesivir 10-ditor, kostoja deri në 1 mijë e 800 euro.
“Absurdi numër 1: i preferohet secilit që është pozitiv me Sars-Cov2 një trajtim me Remdesivir 10-ditor – kostoja 1800 Euro??!!!
Absurdi numër 2: Pacientëve pa asnjë shenjë sëmundjeje ju përshkruhen barna antikoagulante si Xarelto, ASS bile edhe në kombinim. Këto barna e rrisin rrezikun e gjakderdhjes në secilin organ, përfshirë gjakderdhjet fatale në tru”, ka shkruar ai në Facebook.
Ky është reagimi i plotë:
Të sillemi ashtu sikur të ishim të gjithë të infektuar, të ruhemi secili nga secili. Vetëm kjo e vendos prapë kontrollin mbi pandeminë. Pra kufizimi strikt i kontakteve.
Pandemia COVID-19 tani si duket ka arritur në atë pikë që vështirë është të kontrollohet. Arsyeja kryesore është qartë gabimi në menaxhim të saj, mungesa e qasjes së përgjithshme ndaj saj, si në aspektin preventiv e medicinal por edhe në atë ekonomiko-financiar. Qytetarët janë lënë vetëm pa ndihmën e institucioneve. Institucione që udhëheqen definitivisht nga njerëz të papërgjegjshëm. Parandalimi pra ka dështuar, e këtu përgjegjësi kanë edhe vetë grupe të caktuara të qytetarëve që merren me konspiracione dhe e mohojnë edhe më tutje pandeminë.
Ndërsa mjekimi i COVID-19 në Kosovë mbetet histori në vete. Institucione publike të dobësuara, mjek e personel të stërlodhur e të frustruar nga kjo situatë. E në anën tjetër sektor privat shëndetësor tërësisht të pakontrolluar që shëndetin dhe jetën e pacientit e shohin vetëm si biznes.
Absurdi numër 1: i preferohet secilit që është pozitiv me Sars-Cov2 një trajtim me Remdesivir 10-ditor – kostoja 1800 Euro??!!!
Absurdi numër 2: Pacientëve pa asnjë shenjë sëmundjeje ju përshkruhen barna antikoagulante si Xarelto, ASS bile edhe në kombinim. Këto barna e rrisin rrezikun e gjakderdhjes në secilin organ, përfshirë gjakderdhjet fataale në tru.
Pastaj në shumë raste përshkruhet medikamenti Prednisolon i cili është treguar efektiv vetëm në pacientët që janë në mjekim intensiv dhe të intubuar.
Më tutje gati secilit pacient pa asnje shenje infeksioni të bronkeve e të mushkërive i është përshkruar antibiotiku Azithromycin, pra pa kritere të qarta.
Befasohem për të keq me recetat e alamet mjekëve që m’i dërgojnë pacientët nga Kosova. Nga disa receta më rrënqethet trupi…
Pastaj absurd në vete mbetet biznesi me teste serologjike (pa kurrfarë vlere diagnostike) e me çmime të testeve me antigjen…
Për gjithë këtë kaos dikush duhet t’a ndjejë veten përgjegjës. Dhe askush nuk duhet të hesht, sikur nuk po ndodh asgjë.
Tani është koha që të shpëtohet jeta e njerëzve, jo të planifikohen e të ndërtohen autostrada e asfalt. Interesat individuale, klanore e partiake duhet të lihen anash.
Ndërsa qytetarët tani duhet të sillen ashtu sikur të ishim të gjithë të infektuar. Secili prej nesh. Dhe të ruhemi secili prej secilit.
Fundi i pandemisë nuk do të vjen para verës 2021, e ndoshta edhe fundi i vitit 2021. Vaksinimi në masë nuk pritet të fillojë para tremujorit të dytë të vitit të ardhshëm.
Prandaj duhet të përgatitemi për një dimër dhe pranverë të vështirë për të mos thënë të tmerrshme. Përndryshe secila familje do të përjetojë momente të rënda, pa përjashtim.