Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë derisa “të kërkojë falje për gjenocidin ndaj popullit tonë, dhe derisa nuk vihen para drejtësisë ndërkombëtare përgjegjësit e këtij gjenocidi”.

“Ka përfunduar koha kur Kosova është keqpërdorë si monedhë transaksioni ndërkombëtar dhe si platformë për show politik për Vuçiqin dhe Serbinë”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Twitter. Retorika ndërmjet dy vendeve ka shënuar përshkallëzim në javët e fundit.

Më 12 nëntor pas një takimi me ambasadorët e Kuintit, Vuçiq tha se në Kosovë mund të ndodhë një konflikt i llojit të Nagorno Karabakut nëse përpjekjet për kompromis dështojnë. Për rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut janë zhvilluar luftime gjashtë javore ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, derisa të dyja vendet më 10 nëntor arritën marrëveshje armëpushimi.

Kjo deklaratë e Vuçiqit në Prishtinë nxiti reagime. Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u bën thirrje Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që të reagojnë për këto komente të presidentit serb.

Lexo po ashtu:  Zelenskyj: - I dashur Zot, të lutem le të fitojmë

Një ditë më pas Vuçiq tha se “kam folur për nevojën që të shmangim politikën e konfliktit të ngrirë”.

Një çështje tjetër që ka rritur përplasjet mes dy vendeve, janë gërmimet në një lokacion në Kizhevak të Serbisë, ku dyshohet gjendet mbetjet mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë më 24 nëntor se “asnjë krim nuk duhet të mbetet i pazbuluar dhe të gjithë të zhdukurit duhet të gjenden”.

Vuçiç tha se ishte krenar që Serbia “nuk po bënte shaka me gjetjen e të zhdukurve” dhe se varreza masive u gjet “me miratimin e autoriteteve serbe”.

Ai shtoi se autoritetet në Prishtinë e ndaluan një vizitë të tij në Kosovë, në mënyrë që “të bënin një ngjarje të madhe prej kësaj”.

“Ata donin të dërgonin Ministren e Punëve të Jashtme, e cila donte ta bënte një shfaqje politike në komunën e Rashkës. Ne u thamë atyre se, kjo ishte absolutisht e papërshtatshme për momentin. Meqenëse na dërguan një letër, ne u dërguam atyre një letër. Nuk kemi asgjë për të fshehur”, tha Vuçiq.

Lexo po ashtu:  Kurti të hënën mban takim online me Universitetin Harvard

Më 21 nëntor, ministrja Haradinaj-Stublla tha se ka refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe dy zyrtarëve të tjerë serbë.

Serbia ka kërkuar që edhe Kosova të bëj kërkime për “pesë lokacione” ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore të serbëve të vrarë.

“Kur ishim në Bruksel, ne thamë se do të kërkonim të gjithë të zhdukurit. Në të njëjtën kohë, ne kërkuam që gërmimet të kryheshin në pesë lokacione në Kosovë, ku besojmë se serbët u vranë. Pala shqiptare nuk ishte dakord me këtë”, ka thënë Vuçiq.

Çështja e të pagjeturve dhe të zhvendosurve është diskutuar në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që mbahet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Më shumë 1.640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të pagjetur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *