Kohëzgjatja e leximit: 5 minuta

Shqipëria në të njëjtin klasifikim me Sirinë, Pakistanin, Rusinë dhe vende të tjera. Kur një parti politike përdor statistikat për të krijuar ndarje mes njerëzve, shqiptarët kanë arsye të kërkojnë sqarime.

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Një debat politik në Norvegji prek drejtpërdrejt edhe mijëra shqiptarë që jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë në këtë vend. Partia e Progresit (FrP), përmes propozimeve të saj për emigracionin dhe integrimin, përdor termin “emigrantë joperëndimorë”, një kategori në të cilën përfshihen edhe shqiptarët.

Sipas një hulumtimi të mediumit norvegjez Utrop, deputeti i FrP-së, Erlend Wiborg, ka konfirmuar se partia e tij e merr si pikënisje grupin e tretë të vendeve në klasifikimin e Statistikave të Norvegjisë (SSB). Në këtë grup bëjnë pjesë Shqipëria, Ukraina, Rusia, Siria, Pakistani, Brazili dhe shumë shtete të tjera.

Kjo do të thotë se edhe shqiptarët që kanë ndërtuar jetën e tyre në Norvegji, që punojnë, paguajnë taksa, rrisin fëmijët dhe kontribuojnë në shoqërinë norvegjeze, mund të përfshihen në kategorinë politike të cilën FrP e quan “joperëndimore”.

Lexo po ashtu:  Von der Leyen takim me Kurtin dhe Vuçiç në Samitin në Athinë

Por këtu lind një problem serioz: kush vendos se kush është perëndimor dhe kush jo?

FrP përdor një term që vetë statistikat norvegjeze e kanë braktisur
SSB ka bërë të qartë se që nga viti 2008 nuk i klasifikon më zyrtarisht vendet si perëndimore dhe joperëndimore. Arsyeja është se këto terma nuk kanë kufij të qartë gjeografikë dhe mund të krijojnë keqkuptime, pasi mund të lidhen me kulturën, politikën, ekonominë dhe vlerat shoqërore.

Madje, përfaqësuesja e SSB-së, Minja Tea Dzamarija, ka theksuar se grupimi i vendeve përdoret për qëllime statistikore dhe analitike dhe nuk përfaqëson ndonjë vlerësim për kulturën, vlerat apo popullsinë e vendeve përkatëse.

Megjithatë, FrP e përdor këtë grupim si pikënisje për termin “joperëndimorë” në debatet politike.

Kjo është pikërisht ajo që ngre shqetësimin: një klasifikim statistikor, i krijuar për analiza të përgjithshme, po përdoret për të argumentuar politika që synojnë grupe të caktuara emigrantësh.

Shqiptarët nuk mund të maten me një etiketë
Për komunitetin shqiptar në Norvegji, kjo çështje nuk është thjesht debat për fjalët. Shqiptarët kanë ardhur në Norvegji nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe viset e tjera shqiptare. Shumë prej tyre kanë kaluar nëpër luftëra, përndjekje, emigrim ekonomik dhe vështirësi të mëdha për të ndërtuar një jetë të re.

Lexo po ashtu:  Poshtërim publik i Europës, SHBA-Rusi-Ukrainë nisin bisedimet në Riad

Sot, shqiptarët janë pjesë e tregut norvegjez të punës, arsimit, shëndetësisë, bizneseve dhe jetës publike. Ata janë punëtorë, profesionistë, sipërmarrës, mësues, mjekë dhe prindër që rrisin brezin e ardhshëm në këtë shoqëri.

Sigurisht, si në çdo komunitet tjetër, ekzistojnë edhe sfida të integrimit. Kontrolli negativ social, dhuna dhe diskriminimi gjinor nuk duhet të relativizohen apo të justifikohen nga askush. Por këto dukuri nuk mund t’i atribuohen automatikisht një kombësie, prejardhjeje apo grupi të tërë njerëzish.

Integrimi duhet të vlerësohet përmes sjelljes, pjesëmarrjes dhe respektimit të ligjeve, jo përmes një etikete të përgjithshme që vendoset mbi bazën e vendit të origjinës.

Ne, si redaksi e gazetës së pavarur MekuliPress, mendojmë se është një pyetje që shqiptarët duhet t’ia bëjnë politikës norvegjeze: Nëse Shqipëria konsiderohet pjesë e një kategorie “joperëndimore”, atëherë lindin disa pyetje të rëndësishme:

A janë shqiptarët që kanë jetuar për dekada në Norvegji, kanë arsimuar fëmijët dhe kanë kontribuar në këtë shoqëri ende pjesë e së njëjtës kategori?

A duhet të trajtohen njerëzit sipas prejardhjes së tyre apo sipas veprimeve, përgjegjësive dhe kontributit të tyre?

Dhe mbi të gjitha, a është e drejtë që një kategori statistikore të shndërrohet në argument politik për masa që mund të prekin njerëz me prejardhje, histori dhe përvoja krejt të ndryshme?

Propozimi i FrP-së për një kontratë të detyrueshme integrimi për refugjatët, azilkërkuesit dhe personat që bashkohen me familjarët e tyre u shqyrtua në Parlamentin norvegjez më 10 nëntor, por u rrëzua. FrP ishte e vetmja parti që votoi pro.

Lexo po ashtu:  Qeveria pa shumicë shkakton bllokimin e vendimmarrjes në Kuvend

Shqiptarët në Norvegji nuk kanë nevojë për privilegje dhe as për trajtim të veçantë. Ata kanë të drejtë të kërkojnë diçka shumë më themelore: të mos gjykohen si komunitet përmes etiketave të paqarta politike.
Integrimi është përgjegjësi e përbashkët, por respekti, barazia dhe dinjiteti nuk duhet të varen nga vendi ku ka lindur një njeri.

Burimi: Utrop, 23 nëntor 2026./MekuliPress.com/