Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë të shtunën në kazermën “Mija Stanimiroviq” në Nish se është mirënjohës ndaj Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin për dhurimin e tankeve dhe automjeteve të blinduara.
Në këtë qytet janë prezantuar 11 tanke të llojit T-72MS dhe 10 automjete të blinduara BRDM-2.
Vuçiqi ka theksuar se qëllimi i këtij donacioni është që Serbia të forcojë edhe më tej ushtrinë dhe, siç ka thënë ai, pozicionin e neutralitetit ushtarak, në mënyrë që të mund të parandalojë çdo agresor të mundshëm, transmeton rel.
Këto pajisje është thënë se janë pjesë e donacionit rus, i cili përbëhet nga gjashtë aeroplanë luftarakë MiG-29, 30 makina zbulimi të blinduara BRDM-2 dhe 30 tanke T-72, bazuar në marrëveshjen midis presidentit serb Vuçiq dhe ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu më 2016.
Pse po armatoset Serbia dhe me çfarë çmimi?
Përveç Vuçiqit, prezantimi i tankeve është ndjekur nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, njëherësh ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Gjenerali Millan Mojsilloviq dhe ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko.
“Ky nuk është fundi i bashkëpunimit tonë, por vetëm fillimi i një faze të re. Rusia do të vazhdojë të dorëzojë automjete të blinduara dhe lloje të tjera armësh në mënyrë që Serbia të forcojë sovranitetin e saj,” ka thënë ambasadori rus Bocan-Kharcenko.
Në fillim të muajit nëntor, ministri serb i Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq, pati konfirmuar se tanket T-72 do të mbërrinin nga Rusia në Serbi, duke deklaruar se të njëjtat do të forcojnë pajisjet luftarake të ushtrisë serbe.
“Tridhjetë tanke moderne T-72 duhet të mbërrijnë, si pjesë e marrëveshjes ‘Vuçiq-Putin’ në Soçi. Ato forcojnë ndjeshëm aftësitë tona luftarake,” pati deklaruar ai për Pink TV më 1 nëntor.
Në vitin 2019, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka hedhur poshtë kërkesën e Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) për të paraqitur kopjet e marrëveshjes së arritur.
Si arsye, Ministria e Mbrojtjes pati deklaruar atëherë se marrëveshjet e kërkuara “përmbajnë të dhëna sekrete të huaja, pra të dhëna që i janë besuar Republikës së Serbisë nga një shtet tjetër, me detyrimin për t’i mbajtur ato sekrete”.
Ende nuk dihet se kush do të paguajë shpenzimet e transportit të armëve dhe pajisjeve ushtarake që Rusia i ka dhuruar Serbisë apo se sa është paguar transporti.