Pjesa më e madhe e shqiptarëve në Ulqin nuk e respektojnë dhe nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë e përdorimit të simboleve të veta kombëtare. Ngritja e flamurit nuk të bën as më patriot, as më pak patriot, por tregon se e respekton identitetin tënd. A duhet të presim që të na respektojnë të tjerët nëse vetë nuk e respektojmë flamurin dhe simbolet tjera kombëtare?

Nga Ismet Kallaba:

Përdorimi i lirë i simboleve kombëtare, në mjediset private dhe publike, ka qenë një ndër kërkesat kryesore të partive politike shqiptare që në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar. Në të kaluarën, kjo e drejtë iu është mohuar shqiptarëve në Malin e Zi dhe ka shumë raste kur ata janë dënuar për shkak të flamurit kombëtar.

Miratimi i Ligjit për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar nga Kuvendi i Malit të Zi dhe dhënia e pëlqimit nga Qeveria e Malit të Zi për vendimin e KKSH-së mbi caktimin e etalonit të stemës, flamurit, tekstit dhe partiturës së Himnit kombëtar shqiptar, si dhe për vendimin mbi caktimin e festës kombëtare të pjesëtarëve të popullit shqiptar në Malin e Zi ka krijuar parakushtet për shfrytëzimin më të lirë dhe më të gjerë të kësaj të drejte nga shqiptarët në Malin e Zi.

Lexo po ashtu:  ABC-ja e Ekonomisë: Nuk ndërtojmë dot Kapitalizmin Shqiptar, nëse nuk çprivatizojmë dhe rikombëtarizojmë pasuritë kombëtare.

Megjithatë, miratimi i Ligjit për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare, nuk ka ndikuar shumë në përdorimin më të gjerë të flamurit kombëtar në Ulqin dhe te popullata shqiptare në këtë qytet. Kjo është vërejtur më së miri me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar shqiptar.

Përkundër shkresës së dërguar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, ku kërkohet nga institucionet komunale dhe shtetërore në komunat ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, që t’i vendosin simbolet kombëtare shqiptare, vetëm disa institucione në këtë komunë e kanë vendosur flamurin shqiptar në objektet e tyre me rastin e 28 Nëntorit.

Nga institucionet shtetërore në Ulqin, vetëm Shtëpia e Shëndetit e ka vendosur flamurin shqiptar, nga institucionet komunale, përpos Komunës së Ulqinit e kanë vendosur Shërbimi i Mbrojtjes dhe i Shpëtimit, Ndërmarrja Publike “Ujësjellës-Kanalizime” dhe Qendra e Kulturës, kurse nga institucionet arsimore asnjë shkollë.

Sipas nenit 11 të Ligjit për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare, “Në njësitë e vetëqeverisjes vendore në të cilat pjesëtarët e popujve pakicë apo të bashkësive të pakicave nacionale tjera përbëjnë shumicën e popullsisë, bazuar në rezultatet e regjistrimit të fundit, në objektet e organeve të vetëqeverisjes lokale dhe institucioneve publike themelues i të cilave është komuna, gjegjësisht shteti, valëvitet gjithmonë edhe flamuri i atij populli pakicë ose i bashkësisë së pakicës nacionale tjetër”.

Lexo po ashtu:  Serbët "pranojnë" dhunën ndaj KFOR-it. Kërkojnë ndjesë ndaj italianëve përmes Manastirit të Deçanit

Ndërkaq, në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku shqiptarët nuk përbëjnë shumicë, por më tepër se pesë për qind të popullsisë, Ligji për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare parashikon përdorimin e flamurit shqiptar me rastin e festave kombëtare.

Në nenin 12 të këtij ligji thuhet se “në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjesëtarët e popullit pakicë apo të bashkësisë së pakicës nacionale tjetër përbëjnë më shumë se pesë për qind të popullsisë, sipas rezultatit të regjistrimit të fundit, ditën e festës kombëtare të atij populli pakicë apo të bashkësisë së pakicës nacionale tjetër, në objektet e organeve të vetëqeverisjes lokale, vendoset flamuri i atij populli pakicë ose i bashkësisë së pakicës kombëtare tjetër”.

Edhe në shtëpitë private, vetëm një pjesë e vogël e shqiptarëve e kanë vendosur flamurin shqiptar me rastin e 28 Nëntorit. Kjo tregon se pjesa më e madhe e shqiptarëve në Ulqin nuk e respektojnë dhe nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë e përdorimit të simboleve të veta kombëtare. Ngritja e flamurit nuk të bën as më patriot, as më pak patriot, por tregon se e respekton identitetin tënd. A duhet të presim që të na respektojnë të tjerët nëse vetë nuk e respektojmë flamurin dhe simbolet tjera kombëtare?

Lexo po ashtu:  Shkronja nr. 37

Flamuri është simbol i identitetit tonë kombëtar, kurse 28 Nëntori ditë krenarie për të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë. Përdorimi dhe ngritja e flamurit me rastin e festave kombëtare është detyrim dhe nderim që u bëjmë heronjve dhe gjithë të tjerëve që kanë vuajtur dhe sakrifikuar për lirinë dhe flamurin.

Për shkak të pandemisë së COVID-19, viktimave dhe pasojave të tjera të shkaktuara nga kjo sëmundje, si dhe masave kufizuese, 28 Nëntori i sivjetshëm ka kaluar në një atmosferë të zymtë në Ulqin dhe nuk ka pasur asnjë aktivitet publik për shënimin e kësaj feste kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *