Kur viktima nuk respekton veten

Një nga shpikjet terminologjike më mjerane shqiptare është fjala ” të pagjeturit” për të emërtuar në dokumentat zyrtare shqiptarët burra, gra, të rinj dhe fëmijë, të cilët gjatë spastrimit etnik nga Serbia në Kosovë në vitet 1998-1999 i rrëmbeu ushtria serbe dhe i vrau. Ata nuk janë “të pagjeturit” që ikën me dëshirë nga shtëpia dhe humbën rrugën e kthimit. Ata nuk jan as të zhdukurit apo “desaparecidos”, të cilët si në Argjentinë dhe Kili diktatura vendase i arrestoi kundërshtarët politikë dhe i zhduku pa gjurmë. Ata janë të rrëmbyerit nga ushtria pushtuese serbe, e cila i rrëmbeu me dhunë, i vrau dhe i varrosi në gropa kolektive, hartën e të cilave e mban fshehur qeveria e Serbisë.
Termi ” të pagjeturit” është alibi për masakrat dhe spastrimin etnik, që Serbia ndërmori në Kosovë. Jemi i vetmi popull, që kemi frikë të themi kush na ka vra dhe kush na ka pre. Shikoni udhëheqësit e sotëm të pamerituar që kemi, të cilët kur përkujtojnë data historike të luftës së popullit shqiptar kanë frikë të thonë se kundër kujt luftuan shqiptarët.

Lexo po ashtu:  Kur në bordel kërkohet moral

Frika jonë kombëtare trimëron vrasësit, ndaj del tani Serbia pretendon edhe ajo për “të pagjeturit” e saj. Ndaj del dhe tallet presidenti serb Vuçiç, duke deklaruar që të vijnë shqiptarët të na tregojnë ku janë varret masive. Tallet Serbia, që i vrau, sepse nuk ajo pati Nuremberg, nuk u detyrua as nga OKB, as nga Tribunali i Krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, as nga BE, as nga OSBE, as nga KE as nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, të dorëzojë hartën e varreve kolektive, ku groposi shqiptarët e rrëmbyer. Dhe është naivitet mjeranësh të shpresosh se Serbia do të dorëzojë vullnetarisht hartat e varreve masive në tryezën e dialogut rrotullues të të Brukselit.
Shqiptarët nuk duhet t’i dhurojnë Serbisë alibi për gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë. Qeveritë, shoqatat, mediat dhe opinioni publik shqiptar duhet të respektojnë gjakun dhe kujtimin e atyre shqiptarëve, që ushtria serbe rrëmbeu, vrau dhe zhduku në varret masive në vitet 1998-1999, dhe t’i quajnë me emrin e vërtetë: “të rrëmbyerit nga ushtria serbe”./Shaban Murati/

Lexo po ashtu:  Shkau (shqau ) “ i prof . Bardhyl Demirajt dhe i prof. Anila Omarit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *