Kryeministri Edi Rama reagon pas postimit të ambasadës së Rusisë në Tiranë, ku thuhej se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik V” në Shqipëri.

Rama e quajti këtë postim të papërshtatshëm dhe provokim, ndërsa shtoi se nuk i shkon një shteti serioz si Rusia të përfshihet në prodhimin e memeve. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, ky është një provokim qesharak nga shteti rus, ndërsa shtoi se mirëpret një ndjesë nga ambasada ruse.

Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se aktualisht Shqipëria është e fokusuar te vaksinat e kompanive Pfizer, AstraZeneca dhe Moderna, ashtu si dhe vendet e Bashkimit Evropian.

“Kam menduar që ka qenë një meme, ajo që pashë që ambasada e Rusisë kishte postuar nga Twitteri i Drejtorit të Komunikimit një ritwit. Mendova se ishte meme, pasi për një shtet serioz është krejtësisht e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla. Kur them provokim nuk po i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus, sepse ky është një provokim qesharak dhe nuk është mirë që një vend serioz të bëhet qesharak përmes këtyre lloj postimeve. Shpreh keqardhje për këtë, se nuk shoh arsye që ambasada e Rusisë të përfshihet në prodhimin e memeve.

Lexo po ashtu:  Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri/ Ambasadori turk: Janë nënshkruar disa marrëveshje shumë të rëndësishme…

Sa i përket aspektit tjetër, ne jemi fokusuar te vaksinat e Pfizer, AstraZeneca, Moderna, me këto kompani jemi në komunikim. Shtetet me të cilat ne komunikojmë në BE janë të drejtuara drejt këtyre kompanive. Nuk kemi asnjë arsye të shprehim rezerva apo të paragjykojmë vaksinën ruse apo kineze, por për momentin ne jemi të fokusuar në këto drejtime. Nëse do të lind nevoja dhe do ta shohim të arsyeshme, patjetër që do të shohim dhe alternativa të tjera. Postimi i ambasadës ruse nga ana ime konsiderohet i papërshtatshëm. Ndjesë e ambasadës ruse, qoftë dhe për keqkuptimin, do të ishte i mirëpritur”, tha Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *