Kishte provuar shumë burgje dhe vuajtje, por asnjëra nuk ishte aq e madhe sa ajo që përjetoi atë ditë gushti të vitit 1975, kur i arrestuan të birin. Pastaj, shumë të njohur e miq as nuk do i flisnin, por shkrimtari nuk bën me faj askënd. Frika kish modifikuar sjelljet njerëzore. Të rrallë ishin ata që e mposhtën frikën, për hir të miqësisë, si Koço Kosta, që u kthye nga rruga dhe i tha: “Do të të përqafoj një herë, pa le të më varin”. Përjetimet e Petro Markos në ditën e arrestimit të të birit dhe në vitet që e ndoqën, të shkruara nga vetë ai.

Ishte afruar si një dallgë vigane, me një uturimë të brendshme, e pashmangshme, derisa ishte përplasur mbi ta. Mesnatën e 7 gushtit 1975, forcat e Sigurimit kishin hyrë në shtëpinë e Petro Markos dhe kishin arrestuar djalin e tij, Jamarbër Marko. Ishte dallga e radhës në detin e trazuar të jetës së Petro Markos, por asnjë më parë nuk kish qenë kaq shkatërruese.

“Më 7 gusht 1975, në orën 12 të natës, djali u arrestua në shtëpi… Pasi i vunë prangat djalit dhe e morën, nuk lanë gjë pa kontrolluar. Arrestimi i djalit qe gjëja më e rëndë e jetës sime”, shkruan Petro Marko në kujtimet e tij, të përmbledhura në librin “Retë dhe Gurët” i OMSCA-1, i botuar 20 vite më parë.

Petro Marko kishte qenë disa herë i dënuar, fillimisht në burgjet fashiste dhe më pas për 3 vjet në burgun e Tiranës, i dënuar nga pushtetarët e rinj që quheshin komunistë, siç ishte dhe Petroja në idealet e tij. Pasi kishte dalë nga burgu, në 1950-ën, kishte provuar njëra pas tjetrës goditjet e sistemit, të cilët i censuronin librat, e kërcënonin me internim, i hiqnin të drejtën e shkrimtarit. E godisnin si dallgë, pas së cilave dukej se kishte pak qetësi e pastaj e godisnin sërish.

Lexo po ashtu:  Bagëti e Bujqësi:"Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë, Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.", - nga Frashëri

Gjatë këtyre viteve, rritej edhe i biri, i cili pak nga pak nisi të kuptojë çfarë ndodhte përreth dhe të revoltohej. Dëshirat e të rinjve, siç shkruan Petro Marko, ishin dhe të tijat: për muzikë të huaj, letërsi moderne, modë perëndimore, flokë të gjatë. Të gjitha këto ndaloheshin duke provokuar një zemërim që këta të rinj nuk mund ta përmbanin ndaj dhe shfaqnin mendime kundër sistemit. E dinin që kjo ishte me pasoja, por ata ishin të rinj dhe guxonin. Djali i Petros, ndiente, veç shtypjes së përgjithshme, dhe goditjet e padrejtësitë që i bëheshin të atit, çfarë e bënte edhe më të vështirë për të ta pranonte sistemin. Kishte mbaruar studimet për gazetari në atë kohë e megjithatë nuk po i jepej e drejta e punës. Ndërkohë, arrestimet dhe internimet shpërthenin rreth e rrotull tyre dhe e bënin ajrin gjithmonë e më të rëndë. Ishte burgosur shoku i klasës së gjimnazit, Fatos Lubonja. Ishte internuar miku i të atit dhe profesori i tij i fakultetit, Vangjush Gambeta. Erdhi edhe radha e tij.

Atë natë, Petroja, bashkëshortja, Safo dhe e bija, Arianita e gdhinë kokë më kokë duke menduar sesi do u vinte halli pas kësaj, çfarë do ndodhte me punën e Safos dhe studimet e Arianitës, por mbi të gjitha çfarë do të ndodhte me djalin.

“Mora kontakt me hetuesin, një djalë i ri shumë i sjellshëm. Ai më tha: “Vetëm një emër të më thotë, dhe unë e nxjerr që tani, ta marrësh me vete”. Mbas pesë muajsh në hetuesi, më 31 dhjetor 1975, u dha vendimi i gjyqit: gjashtë vjet heqje lirie për agjitacion dhe propagandë. Në takimin e parë me djalin, përpara se të nisej për në Spaç, takim me dy palë hekura mes nesh, ai ishte jashtë mase i tronditur, i verdhë, i ënjtur, i deformuar. Ne e pyesnim dhe ai heshtte. Shqiptoi vetëm disa fjalë të pakuptimta për ne: “Jam këtu për të dytin”. Kishte menduar se ne ishim të internuar, pasi gjatë gjithë kohës i tregonin urdhrin e internimit. Ishim të gjithë jashtëzakonisht të tronditur, por për mua ishte më e rënda. Se e pashë tim bir prapa hekurave, njëlloj si veten time”, ka shkruar Petro Marko.

Lexo po ashtu:  Rrëfimi i dhimbshëm i plakut shqiptar, çfarë e detyruan serbët (VIDEO)

Familja do të kalonte ditë të vështira. Miqtë do u largoheshin. Asnjëri nuk i afrohej Petro Markos dhe ai nuk i afrohej askujt. Nuk bën me faj askënd, në kujtimet e tij, por veçon ata pak që nuk iu ndanë: shokët e Luftës së Spanjës, si “i miri dhe i guximshmi Skënder Luarasi”. Përmend edhe një episod me mikun, Koço Kosta. Një ditë në bulevardin, e vetmisë tanimë, ai po ikte poshtë, por pastaj kishte ndryshuar kah dhe ishte drejtuar për nga Petroja. “M’u afrua dhe më tha:-Do të të përqafoj një herë, pa le të më varin…-dhe m’u hodh në qafë.” Qetësues kishte qenë dhe një takim me dy lexues, vëlla e motër, nipër të një prej burrave që kishin marrë pjesë në Luftën e Vlorës, që Petroja e kishte bërë personazh në romanin e tij “Ultimatumi”. Familja po shkonte për në Fier me tren, për të marrë më pas autobusin drejt Ballshit, ku djali i Petro Markos, u transferua në burg, pas Spaçit. Poshtë sediljeve kishin trasta me ushqime dhe ndërresa që i fshihnin me këmbë për t’u dukur si udhëtarë të zakonshëm. Nuk donin t’i njihte askush, por ja që të rinjtë kishin këmbëngulur sepse dëshironin t’i shprehnin mirënjohje Petro Markos dhe më pas, i kishin ndihmuar edhe me trastat duke i thënë se e dinin për burgun e djalit, se nuk duhej të mërzitej, se ishin gjëra që ndodhnin, fjalë thuajse të kota, por me aq vlerë në atë univers heshtjeje dhe ftohtësie që mbështillte prej vitesh Petro Markon dhe familjen e tij.

Lexo po ashtu:  Sot bëhen 21 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së Kumanovës - Shpërbëhet edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës

Ata e vizitonin çdo muaj, djalin, në fillim në Spaç e më pas në Ballsh duke u përballuar me vështirësitë e rrugës, vapën në verë dhe të ftohtin në dimër.

“Nuk mund t’i harroj udhëtimet për në Spaç hipur mbi karroceritë e kamionëve në mes të dimrit, në ato male të ashpra ku të ngrinte veriu, unë me një pardesy fësh-fëshe. Në këto rrugë mora shumë herë bronkopneumoni, që më shkaktoi këtë emfizemë pulmonare, e cila po më merr jetën tani”, ka shkruar Petro Marko në vitet e fundit të jetës, ndërkohë që kur ende nuk ishin ndryshuar regjimet, përpjekjet e Alfred Uçit, Sofo Lazrit dhe Dr. Shefqet Ndroqit për ta çuar shkrimtarin për kurim jashtë shtetit, kishin marrë përgjigje negative. Rruga ishte aq e vështirë sa Petro Marko ka shkruar se mendonte që nuk duhej të udhëtonin të tre bashkë për në Spaç, nga frika mos rrokulliseshin në rrëpira. “Atëherë ç’do të bëhej me djalin?”, ishte frika përmbi frikën për jetën. Ndërsa rrugës drejt barakave të kampit të riedukimit të Ballshit, ngaqë përvëlonte dielli në verë, vinin në kokë lecka të lagura dhe ecnin pambarim të ngarkuar me trasta.

Ishin një shkrimtar dhe dy piktore, që shkonin të takonin një poet. Ai në burg, por dhe ata të dënuar për pasojë. Ishin një familje e ndarë, pjesët e së cilës afroheshin në humbëtirat e Spaçit dhe Ballshit, por nuk takoheshin dot prej hekurave. Ishte Petro Marko, njeriu që pësoi shumë goditje të padrejta, por nuk ia kursyen as këtë që i dhembi më shumë: dënimin e të birit./kujto.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *