Gjokë Dabaj

GRABITËSIT  E  RINASIT,  MË  PAK  TË  FAJSHËM  SE  ÇDO  GRABITËS  TJETËR

Askush nuk mund të thotë që grabitësit e djeshëm të paravet në Rinas nuk janë fajtorë. Ata janë fajtorë dhe, natyrisht, meritojnë të dënohen simbas fajit që kanë kryer.  Njëri prej tyre e mori dënimin pa e shijuar fare frutin e veprës së vet, madje pa i përfituar as shpenzimet e varrimit.  Tre të tjerët nuk dihet, as ku dhe as si do të përfundojnë. Por një gjë është e sigurt: Asnjëri prej tyre nuk do të jetë kurrë i lumtur. Edhe sikur të dhjetë milionë eurot t’u mbeten krejt atyre, pa i dhënë askujt ryshfet (gjë që s’është aspak e besueshme), ata nuk do të mund të jenë të lumtur, sepse gjithë jetën do të ndjehen të pasigurt, sidomos duke pasur parasysh edhe  veset që mund të kenë të tillë njerëz: kumarin, drogën, alkolin, si dhe të gjithë llojet e prirjevet për të bërë jetë parazitësh.

Por përsëri, askush nuk mund të thotë që këta grabitës janë më të fajshmit midis të gjithë grabitësvet të sotëm të këtij vendi, të cilin ka qenë traditë ta quajmë vendi i shqiponjavet.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Vetë kompanitë e sigurimit, për të cilat thuhet se ishin paratë e tyre, a nuk janë pjesë e llojit më të paskrupullt të grabitësvet?! Përse kanë ardhur ato kompani në të dyja republikat tona? A për të siguruar jetën dhe mjetet e shqiptarëvet, apo për të grabitur shqiptarët?! Vetë fakti që ato para po dalin nga Shqipëria dhe nuk po hyjnë në Shqipëri, tregon që ato janë para që po i grabiten këtij vendi të varfëruar dhe po çohen në një vend të pasur, për ta pasuruar atë vend edhe më shumë. Rrjedhimisht, këta grabitës, njëri prej të cilëvt e humbi jetën, nuk po bënin tjetër, veçse po grabitnin një pjesë fare të vogël parashë shqiptare të grabitura.

Lexo po ashtu:  Oksigjeni i ushtrisë dhe nacionalizmit serb është opozita, media dhe analistët servilë në Kosovë

Dallimi qëndron vetëm te fakti që kompanitë e sigurimevet po e grabisin këtë popull „mbështetur në ligje”, ndërsa të katër mjeranët s’e kanë dinakërinë e duhur, për t’i mbështetur edhe këta në ligje shtetërorë grabitjet e tyre.

Duke shkuar nëpër mend sasinë e paravet që del nga Rinasi ditë për ditë dhe sasinë e paravet që transferohet permes bankavet orë për orë, para mirëfilli të grabitura, çdo shqiptar që është në gjendje të gjykojë, është e pamundur të mos shqetësohet dhe madje të alarmohet: Ç’po bëhet me këtë komb që s’po i ndahen grabitësit?! Ky komb që po grabitet oreçast me të gjitha mënyrat e mundshme, a do t’ia dalë të mbijetojë?!

Ç’është zyrtari, i cili nuk ia kryen punën shtetasit të vet pa marrë ryshfet prej tij, veçse një grabitës, shumëfish më i ulët, shumëfish më i poshtër se ai i djeshmi i Rinasit?! Sa milionë euro në vit u grabiten shqiptarëvet prej zyrtarëvet të vetë këtyre dy shtetve?!

(U djegsha në zjarr, në i futsha të gjithë në një thes! Po flas vetëm për ata zyrtarë që grabisin. Jo për ata që nuk grabisin.)

Ç’është mjeku, ai mjek i cili s’e sheh me sy të sëmurin pa e mbushur xhepin me para?! Ç’është ai mjek, veçse një grabitës nga më të pakoceptueshmit?! Themi “të pakoceptueshëm”, sepse misioni i mjekut nuk është t’i gjobisë e t’i grabisë pacientët. Misioni i mjekut është t’i mjekojë e t’i shërojë pacientët! Sa milionë euro në vit u grabiten shqiptarëvet prej të tillë mjekësh grabitës?!
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Përse janë hapur në të gjitha qendrat kryesore të Shqipërisë (Po them: të krejt Shqipërisë!), me dhjetëra spitale të huaj? A janë hapur ata spitale, sepse I preu barku, u shqetësuan shumë për shëndetin e këtij populli, apo për të zhvatur para?!

Lexo po ashtu:  Falimentimi ekonomik i Rusisë është çështje javësh

Në Shqipëri, në të dyja republikat, krejt sistemi gjyqësor, filluar nga avokatët e prokurorët, deri te kryegjyqtarët, është shndërruar në një bandë grabitësish, aq sa ky sistem s’po rregullohet dot as me “ndërhyrjet nga jashtë”. Themi, “ndërhyrjet nga jashtë”, jo se gjyqet „e jashtëm“ nuk janë banda grabitësish, por sepse ata grabitjet i kanë “të mbështetura në rregullore e në ligje”. Sa milionë euro në vit u grabiten shqiptarëvet, duke bredhur nga gjyqi në gjyq?!

Edhe mësuesit (U djegsha në zjarr…) e kanë shndërruar veten, jo në prind të dytë, por në grabitës të fëmijëvet! Ajo mësueja që pranon nga nxënësi i vet gjerdan floriri në Ditën e 7 Marsit, ku dallohet prej atij grabitësit të djeshëm të Rinasit?! Se nxënësi ia jep “vetë” gjerdanin?! Po edhe ata ruajtësit e aeroportit, a nuk u shtrinë “vetë” përtokë?! Grabitësi i Rinasit ka kallashin, mësuesi (një i tillë mësues), ka stilolapsin për të vënë notat.

Përse jnë hapur me dhjetëra banka të huaja, me pajisje dhe ambiente nga më luksozët, anembanë Shqipërisë, nga Tivari në Gostivar e nga Voshtina në Prishtinë?! A për të përparuar ekonominë e këtij vendi, apo për të mbushur valixhet dhe thasët dhe për t’i nisur plot me para për në vendet e tyre?! Sa qindra milionë, në mos, sa miliardë euro në vit dalin nga Shqipëria (them, nga krejt Shqipëria), për të pasuruar vendet ku ata euro shkojnë?! Apo kjo s’është grabitje, sepse „mbështetet rigorozisht në ligje“?!
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Të gjithë dyqanet, të gjithë marketet, të gjithë supermarketet, të gjithë megamarketet, janë plot e përplot me mallra të importuar. Ku shkon fitimi i këtyre mallrave?! E ku tjetër, përveç atje ku janë prodhuar?! Që nga gjilpërat, kopsat dhe opingat, ato që vajzat tona i veshin edhe në dimër pa çorape, deri te rreshtat e pafund të veturavet, shiten KËTU, ndërsa paratë dërgohen ATJE! Përtej Rinasit, përtej Shkupit, përtej Podgoricës, përtej Çagllavicës! Përtej të gjithë këtyre vendeve, të cilëvet askush nuk po u thotë se janë NEOKOLONI! Fitimi, sidomos ai që s’ka kufi, ai që s‘ka kurrfarë tavani ligjor, shndërrohet, mbas çdo reklame televizive, në një grabitës të pamëshirshëm! Sa miliarda euro në vit u shkojnë prodhuesvet, nga mallrat e tyre që shiten këtu?! Dhe, a mendoni se kot na u shkatërruan, një industri që kishim tonën dhe një bujqësi që e kishim tonën?! U shkatërruan, me qëllim që industria e huaj dhe bujqësia e huaj, të mund të na grabisin e të na rrjepin sa më shumë! 

Lexo po ashtu:  Shqipëria, vendi që ia jep shansin çdo budallai!

Kromin, mineralin e bakrit, mineralin e hekur-nikelit, argjendin, arin, naftën, çdo mrekulli që del nga nëntoka jonë, po e grabisin ATA, ndërsa ne po na lënë vetëm kokrriza gurësh, për t’i mbledhur kalamajtë me kanistra. Atje ku del nafta, po na lënë vetëm baltën! Baltë atje ku del nafta, brinja të rrjepura malesh atje ku del guri! Baltë edhe kokërza gurësh edhe në krye të dy apo dy e gjysmë mavri-shtetesh tanë!

Ç’të themi tash për ata tre-katër grabitës të mjerë e budallenj, si dhe për dhjetëra trafikantë e viktima trafikantësh, deri te një i quajtur “kryetrafikant” Klement Balili, përveçse t’u qajmë hallin, kur t’i krahasojmë me një klasë grabitësish “të ligjëruar”, ndërkombëtarë edhe kombëtarë, të ngritur në pushtet dhe të mbrojtur nga „ligjet“?!

Dhe, mbas gjithë kësaj që secili prej nesh e kupton, por jo secili e thotë, a nuk del e qartë pse po kërkojnë qindra mijë shqiptarë për t’u larguar nga vendi i vet?! Ata po kërkojnë të shkojnë atje ku zbrazen thasët me para! Thasët me para, të grabitura këtu, në vendin e tyre!

10 prill 2019.                                                        
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *