Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny ka arritur në Moskë nga Gjermania, ku ai ishte trajtuar për muaj të tërë pas një helmimi, për të cilin i fajëson autoritetet ruse. Këto të fundit kanë paralajmëruar se mund ta arrestojnë Navalnyn. Avioni me të cilën po udhëtonte Navalny është ulur në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, ndonëse paraprakisht ishte paraparë që të ateronte në aerportin Vnukovo.

Por, autoritetet ruse mbyllën për fluturime aeroportin Vnukovo. Teksa po prisnin Navalnyn në aerportin Vnukovo, dhjetëra persona janë arrestuar.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Lyubov Sobol, avokat në Fondacionin Anti-korrupsion të Navalnyt; Ruslan Shaveddinov menaxher projektesh në këtë fondacion dhe gazetari i Novaya Gazeta, Vlad Dokshin. Raportohet se në mesin e të arrestuarve ka edhe gazetarë të tjerë.

Navalny u nis më herët gjatë 17 janarit nga Gjermania drejt Rusisë dhe para nisjes u pyet nga gazetarët rreth mundësisë së arrestimit. “Unë, të arrestohem? Unë jam i pafajshëm”, tha Navalny për gazetarët para se të hipte në avionin e Pobedas, që është në pronësi të kompanisë shtetërore, Aeroflot.

Lexo po ashtu:  Johnson: Perëndimi duhet të ndihmonte Ukrainën në 2014 kur u aneksua Krimea

Më 13 janar, Navalny njoftoi se do të kthehej në Rusi, pavarësisht paralajmërimeve nga Shërbimi Korrektues Federal se do ta arrestojnë atë.

Muajin e kaluar, ky shërbim kërkoi që Navalny të rikthehej menjëherë nga Gjermania ose do të përballej me burgim në Rusi, pasi thanë se Navalny ka shkelur kushtet e dënimit me kusht, lidhur me një dënim më 2014 për mashtrime.

Navalny është njëri nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin.

Pasi u ulë në ulësen e tij në aeroplan, Navalny tha se është i lumtur që po kthehet në shtëpi.

“Ky është momenti më i mirë në këto pesë muajt e fundit. Ndihem mirë, më në fund po kthehem në qytetin tim”.

I pyetur nëse mendon se autoritetet ruse do ta arrestojnë, ai tha se është i pafajshëm.

“Pse të frikësohem? Çfarë e keqe mund të më ndodh mua në Rusi. Besoj se ndihem si çdo qytetarë i Rusisë që ka të drejtë të kthehet në shtëpi”, tha ai.

Lexo po ashtu:  Amsterdami merr masa paraprake për ndalimin e promovimit të vendit- Ja në cilat vende do ndalohet hyrja për turistët

Sipas dokumenteve të një gjykate ruse, Navalny mund të përballet deri me tre vjet burgim.

Navalny në këtë fluturim është shoqëruar nga gruaja e tij Yulia dhe nga zëdhënësja e tij. Navalny qëndroi disa muaj në Gjermani ku mori trajtim mjekësor pasi u helmua. Ai ka fajësuar autoritetet ruse për helmimin.

Në gusht, ai u sëmurë teksa po udhëtonte nga qyteti Tomsk për në Moskë. Navalny thuhet se është helmuar me agjentin nervor, Noviçok.

Më herët, mbështetësit e tij thanë se do ta presin Navalnyn në aeroportin Vnukovo të Moskës, pavarësisht se temperatura në Moskë në kohën e arritjes së Navalnyt do të jetë -20 gradë Celsius dhe pavarësisht se Rusia po përballet me shifra të larta të rasteve me koronavirus.

Deri më tani, 2,000 persona në rrjetin social Facebook kanë thënë se do të dalin që ta presin Navalnyn.

Zyra e Prokurorit të Moskës ka paralajmëruar se tubimi në aerportin e Moskës është joligjor dhe ka paralajmëruar mbështetësit e Navalnyt që të mos dalin në aeroport, ose në të kundërtën ata mund të arrestohen ose gjobiten.

Lexo po ashtu:  Blinken përshëndet sanksionet e SHBA-ve

Navalny, i cili pret që të ketë sukses në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator, po ashtu mund të përballet edhe me tri procese gjyqësore, të cilat, sipas tij, janë të motivuara politikisht. /Rel/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *