Kryeministri helen Kyriakos Mitsotakis i ka hedhur edhe njëherë benzinë zjarrit që po gëlon në Shqipëri lidhur me zgjerimin e detit të Greqisë me 12 milie. Duke folur për këtë në parlamentin e vendit të tij ai përmend edhe “lejen” që ka marrë për këtë akt nga Edi Rama. “Kohët e fundit, Kryeministri i Shqipërisë deklaroi në mënyrë të qartë se shtrirja në 12 milje është një e drejtë e patjetërsueshme e Athinës” deklaroi Mitsotakis.
Por pikërisht kjo gjë, rreshtimi Ramës pa rrezervë në krah të interesave të shtetit fqinj, i ka hapur atij jo pak telashe në politikën e brendëshme. Pasi deklaroi se kjo qe një e drejtë e Athinës dhe se ai nuk kishte pasur djeni që kjo do të ndodhte, Rama u sulmua ashpër nga Sali Berisha. Gjatë një përballje në emisionin “Opinion” në shtator, Berisha e akuzoi atë se qeveria greke e ka njoftuar paraprakisht për 12 miljet, dhe ai gënjen kur thotë që nuk e dinte.
Ai pretendoi se deklaratat e Ramës se Greqia është në të drejtën e saj të zgjerohet me 12 milje, pa treguar se kjo po bëhet në një kohë kur ne jemi në negociata, mund të përdoren nesër kundër Shqipërisë në një Gjykatë ndërkombëtare. “Kush thotë se Greqia është në të drejtën e saj për të zgjeruar detin bën tradhëti kombëtare”, tha atëherë Berisha.
Por, nëse ish kryeministri është një kundërshtar politik që jo gjithmonë thotë të vërtetën kur flet për pasardhësin e vet, qëndrimin se Rama nuk duhej të prononcohej për të drejtën e Greqisë për tu zgjeruar e kanë mbajtur edhe personalitete që janë larg të qenit opozitarë.
Madje dy prej tyre, që kanë meritë të veçantë në hedhjen poshtë të marrëveshjes Berisha – Karamanlis kanë folur edhe ata kundër.
Ish relatori i çështjes së detit në gjykatën kushtetuese, Xhezair Zaganjori (që përfundoi me rrëzimin e marëveshjes së qeverisë demokrate)
E kritikoi qeverinë aktuale se në vend që të shpallë objektivat tona, bën rolin e justifikuesit të palës greke për zgjerimin e kuririt të saj me 12 milje. “Njerëz që pretendojnë se njohin të drejtën e detit dhe që e kanë për detyrë të merren profesionalisht me këtë çështje, në kundërshtim me pozicionin e tyre dhe me çdo normë etike kombëtare e ndërkombëtare, bëjnë avokatinë e palës tjetër, duke theksuar se ata kanë të drejtë të zgjerojnë në mënyrë të njëanshme ujërat territoriale në 12 milje detare. Nuk mund ta imagjinoj se si mund të futen në bisedime me këtë tezë”, tha Zaganjori.
Nga një këndvështrim tjetër e kritikoi këtë qasje edhe njeriu që ka marrë aureolën e mbrojtjes së kufijve detarë dhe i cili e denoncoi në Gjykatë Kushtetuese bashkë me PS marrëveshjen e Berishës.
“Në grupin negociator ka një konfidencialitet të plotë. Çfarë sekretesh ruajnë, kur fqinji ynë përditë del e flet se si po zgjerohet Greqia, duke shpallur kalimin nga 6 milje detare në 12 milje? Kurse ne s’po dëgjojmë dot që Republika jonë ta shpallë Sarandën si gji histori” ka thënë kolonel Myslym Pashai duke theksuar se para se të mendojmë ti japin të drejtë palës tjetër ne duhet të mendojmë se çduhet të bëjmë për interesat tona.
Duket se koha u ka dhënë të drejtë këtyre pretendimeve, tani kur kryeministri grek e përdor dritën jeshile që i ka hapur Rama si trofe para parlamentit të vendit të tij.
Natyrisht, asnjë kryeministër Shqiptar nuk mund të kishte këllqe për ti’a rrefuzuar Athinës të drejtën e saj të njohur ndërkombëtarisht për tu zgjeruar me 12 milie ashtu sikurse edhe ne.
Por, nga ana tjetër, askush nuk e detyron shefin e qeverisë të bëhet më katolik se papa dhe të mbrojë palën tjetër ndërkohë që do i drejtohet gjykatës kundër saj. Ende nuk është i kuptueshëm ky qëndrim i Edi Ramës, përveçse me ndonjë aventurë personale që synon të përkëdhelë Athinën që ta njohë si negociator për mandatin që i ka marrë Erdoganit si negociator mes dy vendeve.