Kulla apo Sahati i Inglizit siç njihet gjerësisht, ku në periudhën e regjimit komunist ishte  vendosur Muzeu Historik i Shkodrës, është një ndërtesë me pamjen e një kështjelle të periudhës së aristokracisë mesjetare në Evropë e ndërtuar nga lordi anglez Paget në çerekun e fundit të shek. XIX.

Shtëpia nga pikëpamja ndërtuese formohej prej 15-16 dhomash të vogla dhe të mëdha. Para së të hapej rruga e teatrit “Migjeni”, oborri i shtëpisë mbyllej me një portë të madhe dërrasash, dy kapakësh, të gdhendura me ornamente dhe me stemën e Anglisë. Porta ka qenë e sjellë nga jashtë dhe anës saj ka qenë i lartuar një pirg me dhomat e rojeve, me dritare të forcuara nga hekra të përdredhur.

Para ndërtimit

Sipas Hamdi Bushatit, në vendin ku është ndërtuar shatoja (fr. chateau) 100 vjet para ndërtimit të saj ka qenë kënetë dhe gjuheshin rosa.

Më pas, pjesa mbrapa shatosë, që më vonë u bë pjesë e shtëpisë së anglezit, ka qenë pronë e të quajturit Abdullah agë Domnorit. Me kohën autoritetet osmane e shpronësuan shtëpinë e Domnorëve dhe e mbajtën në dispozicion të vetin. Asokohe, autoritetet osmane në Shkodër i mundësuan strehim një kundërshtari politik të Knjaz Nikollës, kundërshtar për të cilin dihet se ishte vetëm nga fisi i Mercariçëve. Mercariçani kishte krushqi me Filip Beroviqin, i cili ishte anëtar i administratës, dhe kësodore u strehua në shtëpinë e shpronësuar të Domnorëve.

Lexo po ashtu:  UÇK/ 19 vjet nga fillimi i luftës në Maqedoni kundër okupuesit sllav

Më pas shtëpinë ku banoi Mercariçani u nda dypjesësh: pjesën përpara e bleu lordi anglez Paget, kurse pjesën mbrapa qeveria ia fali të quajturit Boxho Mikashiq nga Mali i Zi. Mikashiqët më pas ia shitën shtëpinë të quajturit Jakup Dervishoviq, pas çlirimit kjo shtëpi iu bashkua Sahatit të Inglizit.

Ndërtimi i Shatose

Paget pasi bleu shtëpinë, planifikoi rindërtimin e një konaku me stil shatoje. Anglezi vinte vetëm dimrit në fillim dhe dilte për gjueti dhe merrej me tregtinë e antikiteteve, dhe shtëpia ishte në përkujdesjen e zv/konsullit të Anglisë, Kolë Sumës. E financuar nga i ati, shatoja do të përshtatej të ishte baza e misionit protestant në viset shqiptare.

Pasi u ndërtua, salloni i madh u përshtat në stilin oriental, me tavan të daltuar, me trapazan dhe ndarje të tjera, duke e përgatitur për qëllime faltoreje në ngjasim të kishave e të kapelave protestane. Kulla e Sahatit do të shërbente për të rrahur kumbonët në orarin e liturgjisë. Nisi të përhapte broshura të ritit protestant dhe paguante me të holla disa aventurierë katolikë, ndër ta një i quajtur Ndrekë Protestani. Pas protestave të klerit katolik me shërbim në vend, mbështetur nga konsulli austro-hungarez, autoritetet osmane ndërhynë ndaj veprës së anglezit dhe ndërtesa mbeti vetëm si banesë.

Lexo po ashtu:  “L’Echo de Paris” ka botuar, të hënën e 5 majit 1913, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën ekskluzive të Isa Boletinit, të zhvilluar asokohe në Londër, ku si përkthyes i ka shërbyer Luigj Gurakuqi

Meqë synimi i anglez në përhapjen e anglikanizmit nuk pati sukses dhe në vend të kumbonës solli një sahat të madh me tri fusha. Nga fundi i sundimit osman, ky sahat nuk kurdisej mirë nga kujdestarët e tij, dhe për këtë një këpuctar bejtexhi i kushtoi një bejte sahatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *