Sot shënohet 5 vjetori i vdekjes i historianit, profesorit, akademikut Kristo Frashëri.

Kristo Frashëri lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920.

Në vitin 1927 u riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme më 1940 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Gjatë vitit 1942 ai u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Gjatë periudhës 1945-1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Insitutin e Lartë Pedagogjik, në vitet 1951-1955.

Gjatë viteve 1953-1999 ai punoi në disa institucione të rëndësishme, ku shërbeu si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1997 ai u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëndroi deri në vitin 1999.

Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë.

Lexo po ashtu:  “Do përfundoni si policët e Mubarakut”, Ilir Meta kërcënon pas sherrit: Përpjekje për grusht shteti

Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit, Sami Frashërit etj.

Pas vitit 1990 ai ka botuar një sërë punimesh shkencore, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).

Kristo Frashëri si pedagog i historisë së Shqipërisë në Univeristetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj. Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016, në Tiranë./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *