Ndërsa në shumicën e vendeve të botës ka nisur fushata e vaksinimit, pyetja që ende mbetet pa përgjigje është: Kur do të shpëtojmë përfundimisht nga Covid-19?

Përgjigjja e ekspertëve të shëndetit publik nuk është optimiste. Sipas tyre, Covid-19 do të kthehet në një sëmundje endemike dhe do të jetë mes nesh, pavarësisht përpjekjeve për ta zhdukur.

“Na është thënë se virusi do të zhduket. Por kjo nuk është e vërtetë”, thotë dr. Ëilliam Schaffner, profesor në Vanderbilt University School of Medicine, njëkohësisht anëtar i Fondacionit Kombëtar për Sëmundjet Infektive.

“Na mbetet ta kontrollojmë, t’i zbusim impaktin. Por do të mbetet mes nesh në të ardhmen e parashikuar. Dhe me këtë të fundit kam parasysh vite të tëra”, thotë ai.

Covid-19 u shpall pandemi nga OBSH-ja në 11 mars të 2020-s. që atëherë, virusi ka marrë jetën e mbi 2.6 milionë njerëzve në mbarë botën.

Përgjatë kësaj kohe, janë disa vaksinat që u zhvilluan dhe deri tani janë vaksinuar 330 milionë njerëz në të gjithë botën.

Lexo po ashtu:  Furnizoni gjakun me oksigjen, si të rrisni qarkullimin me 100 %

Por studiuesit thonë se nuk ka tregues që të çojnë në përfundimin se sëmundjet infektive shfarosen plotësisht dhe Covid-19 nuk ka pse të bëjë përjashtim.

“Sa më infektues të jetë një mikrob, aq më e vështirë është ta kontrollosh. Covid-19 është vërtet sfidues në këtë aspekt dhe variantet e reja tregojnë se ne mund ta gjejmë veten duke luajtur me të lojën e maces me miun”, thotë Tom Frieden, drejtues i “Resolve to Save Lives” dhe ish-drejtor i CDC.

Para Covid-it, njerëzit kanë jetuar me sëmundjet endemike. I tillë është gripi. Fruthi është një tjetër. Të dyja këto sëmundje vijojnë të përhapen dhe kanë marrë jetë njerëzish përgjatë dekadave, pavarësisht vaksinimit.

Vetë Covid-19 është një lloj i ri i koronavirusit, të tjerë viruse të kësaj familjeje kanë qarkulluar prej kohësh dhe në disa raste mund të shkaktojnë atë që ne njohim si gripi i zakonshëm.

E vetmja sëmundje infektive që është shfarosur në historinë botërore është lia, fundin e të cilës OBSH e deklaroi në vitin 1980. Dhe kjo erdhi plot 200 vjet pasi ishte shpikur vaksina për të.

Lexo po ashtu:  Mos ngrënia e mëngjeseve, ngrënia e darkave shumë të vonshme mund të jenë fatale

Koronavirusi i ri është shumë ngjitës dhe shkakton edhe shumë infeksione asimptomatike. Po ashtu, është provuar se ai mund të përhapet edhe te kafshët. Ka raste të konfirmuara te tigrat, gorilla, majmunët, qentë dhe macet.

Shkencëtarët thonë se e gjithë kjo e bën të pamundur vënien e virusit nën kontroll.

“Është joreale të mendosh se ne mund të eliminojmë një virus si nga popullata njerëzore, ashtu edhe nga rezervuarët e tij natyrorë”, thotë Dr. Anita McElroy e Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Pittsburgh për CBS News.

Ajo shton se meqenëse shumë njerëz do të zgjedhin të mos vaksinohen – qoftë për arsye mjekësore ose për shkak të bindjeve personale. Kjo do të bëhet shkak që bota të ketë gjithmonë “xhepa” të popullatës ku virusi vazhdon të përhapet.

Por pavarësisht kësaj, mjekët thonë se nuk duhet të lejojmë që virusi të prishë jetën tonë siç bëri vitin e kaluar. Vaksinimi dhe masat e kontrollit do ta vënë pandeminë nën kontroll, duke e kthyer COVID në një sëmundje tjetër me të cilën thjesht mësojmë të jetojmë.

Lexo po ashtu:  Paralajmëron mikrobiologu Raka: Mbyllja është opsion real nëse rritet numri i rasteve që kërkojnë hospitalizim

Vaksinat COVID mund të kthehen në një ritual vjetor për miliona njerëz. Maskat mund të mbeten të zakonshme për të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje të tjera. Festimet tuaja familjare mund të përcaktohen nga fakti se kush është vaksinuar dhe kush jo, ndërsa njerëzit më vulnerabël do të shihen vetëm përmes Zoom-it.

“Viti i tretë, i katërt dhe i pestë i COVID nuk duhet të jenë aq të tmerrshëm sa ishte i pari”, thotë dr. Schaffner. Por në këtë normalitet të ri, “shumë prej nesh nuk do të jenë më aq të shkujdesur si dikur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *