Ishte 5 tetori i vitit 2016, kur Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij.

Ai në qendrën e Paraburgimit në Prizren po qëndronte nën akuzat se ishte pjesëmarrës në sulmin me zollë ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.

Kjo vdekje, që shumë kush në Kosovë thotë se ishte vrasje, akoma mbetet mister.

E sot, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, thotë se me u pas ndërrua me kohë Prokurori dhe Gjykatës, Astriti nuk ishte vra.

“Me pas ndërru me kohë Prokurorin dhe Gjykatësin, Astrit Dehari nuk ish vra”, shkruan Gashi në Facebook, derisa ka publikuar edhe disa fotografi.

Ndryshe, ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha, pas hetimeve të asaj kohe si dhe ekzaminimeve, kishte thënë se të gjitha provat e mbledhura të çojnë në konkludimin se Dehari ka kryer vetëvrasje.

“Në këtë fazë të hetimeve nuk është gjetur asnjë provë apo dëshmi e mundshme se ka ndonjë ndërhyrje nga faktorët e jashtëm që rezulton me lëndimin apo dëmtimin fizik tani të të ndjerit Astrit Dehari, dhe nuk kemi asnjë person të dyshuar për vepër penale apo që mund të ketë shkaktuar vdekjen. Pra të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje”, pati thënë Hoxha më 18 tetor të vitit 2016.

Lexo po ashtu:  The Guardian: Tifozët e Serbisë ‘shfaqën slogane fashiste dhe kënduan për vrasjen e shqiptarëve’ gjatë ndeshjes me Zvicrën

Së fundmi, rreth një muaj më parë, avokati Tomë Gashi ka thënë se familja e Astrit Deharit ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-prokurorit Sylë Hoxha.

“Ashtu siç premtuam pas Referendumit për Vetëvendosje! ne sot po e publikojmë kallëzimin penal kundër ish Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, ish Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ish kandidatit për deputet të Kuvendit të Kosovës nga LDK – Sylë Hoxha”, kishte shkruar Gashi në Facebook.

Gashi ka shkruar se kallëzimi penal ka të bëjë me mosveprimet e tij si person zyrtar – Kryeprokuror dhe Prokuror në rastin e hetimit të vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

“Kryeprokurori – Prokurori Sylë Hoxha nuk ndërmori asnjë veprim të domosdoshëm në kuadër të detyrës së tij zyrtare për të siguruar prova që do të identifikonin vrasësit e Astrit Deharit, urdhërdhënësit për vrasje dhe ata që e fshehën vrasjen e Astritit për më tepër se 4 vite”, theksoi tutje Gashi.

Lexo po ashtu:  Zyrtarët e BE-së ia bënë të ditur Hotit se heqja e vizave s’është primare për ata

Ndryshe, në vitin 2018, në Kuvendin e Kosovës është mbajtur interpelancë në lidhje me vdekjen e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, kishte kërkuar shkarkimin e ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, zyrtarëve policorë, të cilët, siç thoshte ai, kanë qenë përgjegjës në ditën kur ka vdekur Astriti.

“Mbi Astrit Deharin është kryer krimi prej ditës kur është arrestuar e deri atëherë kur vdiq me 5 nëntor. Atë ditë pra me 5 nëntor 2016 Astriti ngelet katër minuta e gjysmë në qelinë A3 të burgut të Prizrenit pasi që ishte gjetur aty, për katër minuta njeriu vdesë katër herë”, kishte thënë Kurti.

Derisa, Lëvizja Vetëvendosje kërkonte shkarkimin e Dhurata Hoxhajt dhe tërë atyre që i konsideronin përgjegjës për vdekjen e Astritit, ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, theksoi se deri në një vendim final nuk do të ndalet për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *