Menjëherë pasi katedralja e Shën Vasilit u përfundua në mesin e shekullit të 16-të, një legjendë filloi të qarkullonte për kishën ortodokse të vendosur në zemër të Moskës.

Ishte një arritje arkitektonike – struktura më e lartë në qytet, e realizuar falë njohurive dhe teknikave të reja të kohës – dhe ishte një shfaqje e fuqisë së Rusisë, në fund të një lufte shekullore.

Sipas një legjende, Princi i Madh i Moskës, me nofkën famëkeqe Ivani i Tmerrshëm, i kishte verbuar arkitektët e saj, kështu që ata kurrë më nuk mund të projektonin një ndërtesë tjetër kaq madhështore.

Origjina e strukturës së katedrales vazhdon të jetë mister. Pothuajse pesë shekuj më vonë, identiteti i arkitektëve ende nuk mund të konfirmohet, megjithëse besohet se projekti mund të jetë realizuar nga dy arkitektë, të quajtur Barma dhe Postnik Yakovlev. Megjithatë, dokumentacioni është i pakët, e kjo i ka lënë historianët gjithmonë në kërkim të të dhënave.

Kryevepra, e vendosur në Sheshin e Kuq të qytetit, ka pësuar ndryshime, zgjerime dhe restaurime të rëndësishme gjatë shekujve, madje ka ndryshuar edhe ngjyrën. Midis viteve 1475 dhe 1510, arkitektët italianë rindërtuan Kremlinin si dhe dy kisha të rëndësishme, duke sjellë teknikat e tyre të reja të Rilindjes në Rusi. Mandej, ndërtesa u dogj më 1583 dhe u rindërtua gjatë dekadës së ardhshme, por historianët nuk janë të sigurt se si katedralja dukej saktësisht para zjarrit. Po ashtu, katedralja është vënë në rrezik dhe nga sulme të tjera, ku gjenerali francez, Napoleon Bonaparti, në vitin 1737 dhe 1812, tentoi ta hidhte atë në erë. Edhe politika vendase shpesh e ka vënë në rrezik këtë kryevepër, si p.sh. udhëheqësi komunist Stalin që kërcënoi ta prishte atë.

Lexo po ashtu:  Joe Biden iu drejtohet shqiptarëve me video për 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike

Sot, Shën Vasili, i njohur zyrtarisht si Katedralja Pokrovsky, përbëhet nga një seri kishëzash me tulla të kuqe dhe me kupola ngjyrë blu, jeshile, të kuqe dhe të verdha. Katedralja është e njohur në të gjithë botën për pamjen e saj përrallore dhe tërheq rreth 400 000 vizitorë në vit duke u bërë një simbol i rëndësishëm kulturor./a2/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *