Që nga momenti kur një ministri e huaj si Departamenti amerikan i Shtetit shpalli non grata ish-kryeministrin Sali Berisha, zhurma mediatike për shtjellimin politik të këtij akti nuk po sos.
Përditë, paradite e pasdite, në mediat që janë nevojtore e pushtetit ke shënime, shkrime, reflektime për atë që përfaqëson akti në fjalë. Janë vërsulur të gjithë për të na sqaruar se me çfarë kemi të bëjmë, sesa të gëzuar duhet të jemi për faktin që Berishën e shpallën non grata në SHBA.
Ka një dozë ironie e gjithë kjo: nëse kemi parasysh se këta që shkruajnë duan ta shohin të përfunduar Berishën, e mira do të ishte që ose ai të shihej duke kërkuar azil gjetkë, ose në burg. Përndryshe SHBA po na dënon të gjithëve me një betejë pa fund nëse Berisha është i korruptuar apo jo, kur në fakt kjo çështje nuk është më as çështje në Shqipëri.
Por situata zbulon edhe një anë tjetër të cilën këta zhurmues mesa duket e neglizhojnë: z. Berisha zgjodhi rrugën ligjore dhe në këtë kuadër, deri në përfundimin e procesit, është e vështirë të thuash ndonjë gjë, përveçse rrezikon që nesër të përgënjeshtrohesh me gjykatë ndërkombëtare. Gjykata është rrugë demokratike dhe këtu z. Berisha parakalon kundërshtarët të cilët përkundrejt rrugës së tij ligjore kanë zgjedhur gjyqin popullor. Në fund të fundit këtë kanë bërë në 30 vjet e më parë, e ndoshta kanë qenë edhe dëshmitarë të rremë.
Do të ishte mirë që dënimin ta jepte shoqëria shqiptare me mjetet e veta demokratike, por ajo nuk po tregohet e aftë veçse në ndërsimin e qenërisë mediatike që më shumë sesa edukon, shpartallon çdo logikë në trajtimin e një çështjeje të tillë. Në fund të fundit, nëse ky akt i SHBA është kaq domethënës, ç’nevojë ka për gjithë këtë zhurmë propagandistike pas saj? A nuk është vetë akti i mjaftueshëm? Apo SHBA mesa duket nuk mjafton në dënimin përfundimtar të një njeriu të vetëm?