Banka e fundit greke në Shqipëri ka dalë në shitje dhe kjo zbythje nga tregu që dikur e ka pasur krejtësisht nën kontroll, ka shqetësuar me sa duket qeverinë greke. “Qeveria greke është shumë e shqetësuar pas vendimit të Alpha Bank për të shitur filialin e saj në Shqipëri, pasi çështja konsiderohet veçanërisht e rëndësishme në lidhje me përparësitë e politikës së jashtme të vendit, si dhe me marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë”, raportonte dje businessdaily.gr. Këtë shqetësim e ka pasqyruar në një shkrim të saj edhe revista e specializuar ekonomike, “Monitor”. Sipas saj, drejtuesit ekzekutivë e kanë motivuar këtë vendim me ristrukturimin e operacioneve ndërkombëtare të bankës. Strategjia përfshin shitjen e filialit në Shqipëri dhe të atij në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa parashikohet që grupi bankar grek të vazhdojë të mbajë bankat e veta në Rumani dhe Qipro. Ky vendim është marrë mbështetur në përfitueshmërinë e aktivitetit të secilës bankë. Me sa duket, për Shqipërinë kjo përfitueshmëri është cilësuar e pamjaftueshme, ndërsa grupi ka konstatuar ecuri pozitive të aktivitetit në Rumani, me rritje domethënëse të aktivitetit dhe të përfitueshmërisë.

Lexo po ashtu:  Nuk është Besa! Letër e hapur z. Sandër Lleshaj, Ministër i Brendshëm

Sipas raportimeve të mediave qeveria greke ka kërkuar shpjegime prej bankës lidhur me këtë vendim. Ato citojnë burime nga ministria e jashtme dhe kabineti i Kryeministrit të vendit, që janë shprehuar të shqetësuara për ndikimin që ky vendim mund të ketë për praninë ekonomike dhe ndikimin e Greqisë në Shqipëri.

Në fillim të viteve 2000, dhe para krizës kreke fqinjët tanë zinin një vend kryesor në tregun bankar shqiptar me NBG, Tirana Bank, Alpha dhe Emporiki të cilat sipas Monitor zotëronin reth 41% të tregut të kredidhënies. Por pas krizës së 2009, që rrezikoi daljen e vendit nga euro, grupet bankare greke vendosën të shisnin shumicën e filialeve të tyre ndërkombëtare, me qëllim forcimin dhe konsolidimin e aktivitetit të tyre në Greqi. Kjo solli që sot Alpha bank të mbetej e vetmja në tregun shqiptar përpara vendimit të largimit. Ende nuk ka informacione se kush do ta blejë kapitalin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *