Erion Dasho

Kosova dje ka njoftuar sigurimin e 1.2 milonë dozave të vaksinës Pfizer, ndërkohë që kushdo mund të kujtojë refuzimin e tyre për të pranuar vaksinat kineze të Ramës edhe në pikun e epidemisë.

Një tjetër mësim me vlerë që vjen nga Kosova është falenderimi i ministrit Vitia për “Ekipin Negociator të Vaksinës”. Pra, jo për ndonjë Skënderbe që takon princë e presidentë dhe “mbath opingat” për të siguruar vaksina të pacertifikuara dhe të pasigurta, por për një grup ekspertësh me mandat të qartë ligjor!

Përgjatë gjithë pandemisë, Kosova ka qenë hapa para Shqipërisë në marrjen e masave shkencore dhe të bazuara mbi evidenca. Madje edhe spitalet e Kosovës, ndonëse më të varfëra se ato të Shqipërisë, ofronin një kujdes më cilësor duke tërhequr pacientë të shumtë nga veriu i Shqipërisë. Këta në vend që t’i besonin “shëndetësisë së Tires”, zgjodhën t’i besonin shëndetësisë së vëllezërve dhe nuk u zhgënjyen.

Ndërkaq, lajmet për entuziastët e vaksinës kineze nuk janë shumë optimiste. Pas Sejshellëve, vendi që vaksinoi 100% të popullatës dhe njohu shpërthimin e epidemisë pikërisht kur e ndjeu veten më të sigurt, janë Emiratet Arabe që kanë vaksinuar rreth 90% të popullsisë dhe ende kanë 1,500 deri 2,000 raste të reja COVID-i çdo ditë.

Lexo po ashtu:  Gjykata Speciale nuk piku nga qelli por nga deputetet e PDK-së dhe LDK-së.

Të paaftët dhe të paditurit e komitetit tashmë qesharak të COVID-it kanë shansin t’u bëjnë qytetarëve shqiptarë shërbimin e vetëm që ka ngelur. Të marrin për herë të parë gjatë pandemisë një vendim të drejtë që të sanksionojë dy masa:

1. Kontraktimin e menjëhershëm të një vaksine të besueshme për sezonin e dimrit 2021-22. Vaksina kineze deri tani është provuar e pasigurt dhe e pabesueshme në krijimin e imunitetit të grupit.

2. Seishellët dhe Emiratet kanë një tjetër të përbashkët, hapjen ndaj turizmit dhe udhëtimeve ndërkombëtare. Me ardhjen e stinës së verës, Shqipëria duhet të vendosë patjetër kontrollin në kufi për çdo udhëtar, duke kërkuar prej tyre një pasaportë vaksinimi, test negativ ose certifikatë mjeksore që kanë kaluar COVID-in.

Tashmë është domosdoshmëri të merren shembuj nga përvojat e mira ndërkombëtare, gabimet e vendeve të tjera dhe, mbi të gjitha, nga gjysma më e mirë e kombit shqiptar, atyre që kanë mbi një vit që e kontrollojnë COVID-in sipas një përafrimi bashkëkohor të bazuar mbi evidenca!

Lexo po ashtu:  Kompromis politik po, sipas De Golit euro-perëndimor, jo sipas Honekerit gjermano-sovjetik

Një masë e drejtë sot përkthehet në shëndet më të mirë dhe siguri jete për qytetarët shqiptarë nesër!

Koha për veprim…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *