Faisal Devjiis – Profesor, St Antony’s College/University of Oxford

Kur u pyet se çfarë mendonte për Qytetërimin Perëndimor, Gandi u përgjigj se ai mendonte se do të kishte qenë një ide e mirë. Ndërkohë që kjo thënie e shumëcituar merret si një refuzim ironik, Gandi në fakt kishte reflektuar gjatë mbi çështjen e Qytetërimit Perëndimor. Në manifestin e tij të vitit 1900, quajtur Hind Swaraj, ose “Rregulli i Brendshëm i Indisë”, Mahatma i ardhshëm e kishte përshkruar dëshirën imperiale të Britanisë për të përhapur Qytetërimin Perëndimor si jo edhe aq hipokrite më shumë sesa vetëvrasëse. Për të ky qytetërim kërcënohej nga vetë përpjekja për ta shumëfishuar duke përdorur mjetet e kapitalizmit industrial, pak a shumë në të njëjtën mënyrë si prodhoheshin në masë mallrat europiane për tregjet koloniale.

Është një qytetërim vetëm në emër. Nën të, kombet europiane po degradohen dhe shkatërrohen përditë e më shumë”, tha ai.

Qytetërimi kërkon të rrisë komfortin personal dhe dështon mjerisht edhe në këtë pikë”.

Ajo çfarë Gandi e quante qytetërim modern i kapitalizmit industrial kërkoi shumëfishimin e manifakturës, dëshirën për dhe konsumin e mallrave të veta në mbarë botën:

Ata dëshirojnë të konvertojnë të gjithë botën në një treg të madh për mallrat e tyre. Që nuk do ia dalin kjo është e vëretë, por faji nuk do t’u mbetet atyre. Ata nuk do të lënë gur pa lëvizur për të arritur qëllimin e tyre

Zgjerimi pastërtisht mekanik i këtij procesi, argumentonte Gandi, do të shkatërrojë Qytetërimin Perëndimor në vetë përpjekjen e tij për t’u përhapur. Pse? Sepse kapitalizmi nuk i përket asnjë populli apo historie të veçantë dhe mund të posedohej prej kujtdo. Me fjalë të tjera, Qytetërimi modern, ishte një lloj paraziti që do të rritej dhe përhapej përmes pritësit europian. Europa do të mundësonte globalizimin e tij dhe do të sulmonte pjesë të tjera të botës. Llogjika udhëheqëse e tij nuk ishte dominimi europian: ky ishte vetëm një mjet për një përfundim.

Mendimtarë të tjera aziatikë dhe afrikanë mbështetën dallimin mes veçanësisë së Europës dhe historisë universale të modernitetit. Ata e shpallën kapitalizmin modern industrial si një trashëgimi njerëzore për të cilin Perëndimi ishte thjesht një mami. Kjo u lejoi atyre ta adoptonin atë pa ndonjë sens të rrezikut qytetërimor apo inferioritet dhe në kohën e Gandit, njerëz të tillë shpesh sillnin Japoninë si një shembull i përshtatjes mes një kulture aziatike dhe qytetërimi modern, kuptuar në një mënyrë teknike.

Pas humbjes së Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, teoria modernizueze, tani e ndërlidhur nga qytetërimi europian, vijoi të promovonte zhvillimin kapitalist. Tani së fundmi, anti-perëndimori gjakësor Ayman al-Zawahiri, që drejtoi al-Qaedan pas Osama bin Laden, vuri në dukje të njëjtën gjë në vitin 2008, kur justifikonte përdorimin prej tij të teknologjisë modern.

Mahatma, megjithatë, e konsideronte universalitetin në dukje të qytetërimit perëndimor si formën e tij më të rrezikshme. Ai shkruajti se “nuk kanë fund viktimat e shkatërruara në zjarrin e qytetërimit. Efekti i tij vdekjeprurës është se njerëzit ranën në flakët përvëluese të tij duke besuar se e gjitha ishte një gjë shumë e mirë”.

Gandi e shihte Japoninë si skllave të vetë atyre forcave të dhunës që ai mendonte se minonin Qytetërimin Perëndimor, duke deklaruar se mundej shumë mirë që edhe flamuri britanik të valëvitej mbi Tokio. Patrioti dhe bashkëkohësi i tij, filozofi dhe poeti Muhammad Iqbal, kërkoi të shpëtonte idealet europiane, të dy këta shpesh të asoicuar me Kristianizmin, nga morsa shkatërruese e kapitalizmit. Për Iqbal, këto përfshinin vetë Kristianizmin si një arenë për etikën universale të Jezusit.

Gandi sugjeroi se vendet e kolonizuara nuk duhet ta fitonin lirinë e tyre duke kopjuar apo adoptuar aftësitë teknologjike dhe institucione e Perëndimit. Përkundrazi, ata duhet të refuzojnë shtegun e ndjekur nga SHBA dhe Japonia në favor të idealizmit të një beteje jo të dhunshme. Nëse do të bënin kështu, liria e botës së kolonizuar mund të shelbonte edhe Perëndimin, duke e rikthyer atë, përmes forcës së modelit të shembullit aziatik dhe afrikan, drejt një modeli më të mirë jete. Ndaj, më tepër sesa ndjekja e shembullit europian apo amerikan, si në teorinë e modernizimit, betejat jo të dhunshme të popujve të kolonizuar duhet të frymëzonin Perëndimit për të kujtuar idealet e veta të harruara. Me fjalë të tjera, Mahatma nuk po argumentonte për superioritetin e Azisë përkundrejt qytetërimit europian, por mendonte se e para mund ta çlironte të dytën me të vërtetën e vet. Në të vërtetë, përveç Japonisë që imitoi modernitetin e Europës, Perëndimi nuk ka hasur kurrë ndonjë kundërshtar që e identifikon veten se i përket Lindjes.

Problemi me qytetërimin perëndimor dhe vizionin e tij të universalizmit ishte se i ikte në mënyrë të pashamngshme kuptimit të vetë Perëndimit, siç demonstronte në kohën e Gandit  ekspansioni i ekonomisë dhe Perandorisë Japoneze. Fuqitë imperiale europiane kuptuan rrezikun e shtruar nga universaliteti i shpalljeve të tyre, qëkurse ata u mohonin rëndom subjekteve të tyre koloniale arritjen e modernitetit, duke argumentuar se nuk ishin ende gati për vetëqeverisje për shkak të varfërisë dhe analfabetizmit, po aq sa edhe zakoneve dhe antipative reciproke. Ky ishte argumenti që përdorën britanikët për t’i mohuar Indisë vetëqeverisjen edhe brenda perandorisë, nga fundi i Luftës së Parë Botërore deri afër së Dytës, kur vendimi nuk ishte më në dorë të tyre. Për Europën kolonia u bë kështu një shkollë e qytetërimit në të cilën joeuropianët duhet të regjistroheshin në vijimësi.

Lexo po ashtu:  SkyNews / Mbretëria e Bashkuar, e vërteta mbi numrat e “vdekjeve të shtuara”

Anti-imperialistët e njohën hipokrizinë e këtij arsyetimi, por shpesh kërkonin pavarësi vetëm për të përmbushur shkatërrimin e shoqërisë së origjinës. Jawaharlal Nehru p.sh, që u bë kryeministër i Indisë pas pavarësisë, argumentonte se Britania ishte e paaftë të modernizonte Indinë për shkak se ajo bazohej shumë mbi mbështetjen e aristokratëve indianë dhe të konservatorëve të tjerë që nuk kishin interes për të. Vetëm një qeveri demokratike, shpallte ai, do të kishte vendosmërinë dhe legjitimitetin për të zgjeruar arsimimin, reduktonte varfërinë, abrogonte zakone të dëmshme dhe t’u jepte fund konflikteve të brendshme. në këtë mënyrë, aid he të tjerë liderë të pavarur provuan parashtrimin e Gandit për atë sesi kushdo në botë mundej, në parim, të përmbushte premtimin universal të qytetërimit modern.

Nëse imperializmi europian përfaqësonte përpjekjen e parë për të përhapur qytetërimin perëndimor, paraprirë në ndonjë rast nga aktiviteti misionar Kristian, ai sinjalizoi po ashtu krizën e parë të Perëndimit si një ide. Imperailizmi e bëri Perëndimin për herë të parë një figurë të lëvizshme duke zgjeruar gjeografinë e tij shumë përtej Europës për të përfshirë ngulimet koloniale në Amerikat dhe Australazi.

Duke përshkruar mënyrën me të cilën Perandoria Britanike u de-territorializua në ekspansionin e vet, juristi gjerman Carl Schmitt citonte rekomandimin e kryeministrit të kohës Viktoriane, Benjamin Disraeli në një nga novelat e tij sipas të cilit Mbretëresha zhvendoset në Indi nëse Britania kërcënohet. Sepse duke bërë kështu, ajo thjesht do të ndiqte precedentin e kurorës portugeze që u zhvendos në Brazil gjatë luftërave napoleonike. Schmitt e pa një lëvizje të tillë si të mundësuar nga teknologjia industriale, të cilën Gandi e kishte njohur se qëndronte në bazë të qytetërimit modern.

Në librin e tij “Tokë dhe det”(1942), Schmitt reflekonte mbi mënyrën me të cilën anija, si teknologjia më e rëndësishme e perandorisë detare britanike, përfaqësonte në miniaturë qytetërimin perëndimor. Anija, vinte në dukje ai, ua nënshtronte të gjitha marrëdhëniet dhe aktivitetet e ekuipazhit atyre teknike dhe instrumentale. Nuk mund të toleronte asnjë parim, por thjesht funksionalitet të pastër, me të gjitha idealet e tjera të reduktuara ndaj formave më të ulëta. Ekspansioni imperialist i Perëndimit për pasojë, inkorporonte në mënyrë të pashmangshme zvogëlimin e idealeve të veta historike dhe shpirtërore në një mënyrë vetëvrasëse. Njësoj si Gandi, Schmitt kishte kuptuar se emri i goditur, “anija e shtetit” nuk ishte thjesht një makinë në të cilën individët ishin reduktuar në ingranazhe, por se ai ishte i lëvizshëm dhe i replikueshëm dhe si i tillë nuk mundej asnjeherë të ishte prona e patjetërsueshme e ndonjë populli apo historie. Në këtë kuptim, fuqia e identitetit kombëtar në shtete të tilla nuk përfaqësonte asgjë më shumë sesa një përpjekje të dëshpëruar për të poseduar vendin si një copë të dallueshme të pasurisë kolektive. Por si të gjitha pasuritë kapitaliste, alienimi i saj ishte përherë i mundshëm në një ekonomi të përkufizuar nga universaliteti i shkëmbimit.

Për aq kohë sa Perëndimi i përkiste një gjeografie europiane, emri i tij zotëronte një farë kuptimi. Por me globalizimin në perandori, terma të tillë si “Lindje” dhe “Perëndim” duhet të rishpikeshin. Schmitt i trajtoi implikimet e globalizimit të Perëndimit në librin e tij “Ligji i Tokës”(1950). Perandoritë europiane sollën koloni kolonësh në pjesë të ndryshme të botës, por ishte SHBA që e bëri Perëndimin kategori të mirëfilltë politike. Perandori si Britania, që ishin përhapur në mbarë botën, nuk kishin integritet gjeografik dhe ndaj nuk mund të ndaheshin politikisht në domene të Lindjes dhe të Perëndimit.

Në vend të kësaj, me Doktrinën Monroe të 1823-it, një president amerikan e ndau globin në gjysmë për ta vendosur një hemisferë nën ndikimin e padiskutueshëm të vendit të tij. E quajtur Hemisfera Perëndimore, ky domen vendoste Amerikat në qendër dhe përjashtonte Europën krahas perandorive të saj aziatike dhe afrikane si pjesë të Hemisferës Lindore. Për herë të parë Europa ishte zhvendosur nga Perëndimit dhe ndarë nga ish-kolonitë e veta të Amerikave, në punët e të cilave nuk i lejohej më të ndërhynte.

E njoftuar fillimisht gjatë mesazhit të shtatë vjetor të presidentit James Monroe drejtuar Kongresit më 2 dhjetor 1823, doktrina dallonte një Europë despotike dhe monarkike, përjetësisht të zhytur në luftëra të brendshme dhe koloniale. Shtëpia e re e lirisë ishin Amerikat. Monroe shpallte se “kontinentet amerikane, nisur nga gjendja e lirë dhe e pavarur që kishin arritur dhe ruajtur, që nga ky moment nuk duhen konsideruar si subjekte për kolonizime të ardhshme nga ndonjë prej fuqive europiane”.

Lexo po ashtu:  Veglat e lashta muzikore dhe roli i tyre në trashëgiminë kulturore

Ai e përshkruante Europën pak a shumë në të njëjtën mënyrë si fuqitë koloniale bënin me kolonitë e tyre aziatike dhe afrikane, pavarësisht premtimit për të mos ndërhyrë në punët e tyre të brendshme. SHBA mori gjithashtu një rol imperial në Amerikën e Jugut dhe atë Qendrore.

Ngritja e SHBA çoi drejtpërdrejt në krizën e Perëndimit, në dyfishimin dhe zhvendosjen e tij, si vendndodhje gjeografike, ashtu edhe si një kategori politike dhe qyetërimore. Kjo krizë ka qenë qysh atëherë integrale në idenë e Perëndimit. Është përherë në krizë dhe fluks dhe shpesh në lëvizje.

Fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe dekolonizimi i Azisë dhe Afrikës kërkonte sërish ndryshimin e kuptimit dhe vendndodhjes së Perëndimit. Ai përfshinte tani si fundin e Atlantikut të Veriut, për të përjashtuar Bashkimin Sovjetik dhe aleatët e vet aziatikë si pjesë të Lindjes në një ndarje të re të globit nga Lufta e Ftohtë në hemisfera rivale. Dhe kështu Perëndimi ishte tani sovranitet i deklaruar i NATO-s, ndërkohë që Lindja ishte Traktati i Varshavës.

Libri i Francis Fukuyamas, “Fundi i Historisë dhe njeriu i fundit”(1992) sinjalizoi krizën e fundit të Perëndimit me fundin e Luftës së Ftohtë. Perëndimi kishte dalë fitimtar kundër komunizmit. Konflikti i madh, dhe për pasojë narrativat ideologjike dhe qytetërimore të rivalitetit historik, kishte mbaruar. Që këtej e tutje, e gjithë politika do të ishte një lloj operacion spastrimi brenda rendit botëror liberal që nuk ishte më i ndarë në Lindje dhe Perëndim dhe si i tillë ishte i sigurtë për kapitalizmin. Politika do të duhej t’i nënshtrohej ekonomisë dhe triumfi global i neoliberalizmit përfaqësonte këtë vizion të botës, e bërë e sigurtë për tregun dhe mekanizmat e tij. Revolucionet me ngjyra të Europës Lindore nuk bënë thirrje për barazi. Dhe kjo ishte një gjë e dukshme. Ishte sikur vizioni I Gandit për parazitin që mposhtte pritësin po përmbushej.

Kishte diçka paradoksaalisht sovjetike në argumentin e Fukuyamas, që duket sikur imitonte idenë e Vladimir Leninit për fitoren e komunizmit që do të çonte në zëvendësimin e politikës me atë që duke cituar Friedrich Engels, ai e quante administrimi i sendeve. Ky nocion ishte pjesë e teorisë së Leninit për fundin e historisë me shpërbërjen e shtetit si një instrument i kapitalit për t’u zëvendësuar nga vetëqeverisja popullore. Megjthatë, kalimi i Fukutamas nga historia politike në qeverisjen neoliberale thjesht nxori në plan të parë problemin e shtruar nga armiqtë e rinj të brendshëm, më tepër sesa nga ata tradicionalë të jashtëm, të rendit të ri botëror që nuk ishte më i ndarë në Lindje dhe Perëndim.

Në bestsellerin e tij “Përplasja e qytetërimeve dhe Ribërja e Rendit Botëror”(1996), Samuel Huntington argumentonte kundër Fukuyamas dhe kësaj armiqësie dhe kështu politika apo historia, nuk kishte gjasa të shkrihej në problemet e qeverisjes. Më tepër, politika do të rishfaqej në betejat e përkufizuara nga kultura dhe qytetërimi që nuk kontrolloheshin nga shtetet. Në këtë përsëritje të re, Perëndimi, i ribashkuar te rrënjët e tij fetare në Judaizëm dhe Kristianizëm, ishte mobilizuar në një betejë qytetërimore me forca si Islami, Budizmi dhe Hinduizmi. Këtu, shtetet dhe madje gjeografitë, do të luanin një rol më të vogël.

Me sulmet terroriste mbi SHBA më 11 shtator 2001, fokusi I Huntington mbi aktorët joshtetërorë dhe fetarë mori një kuptim urgjent. Historiani frëng, Michel Foucault kishte shkruar gjerësisht për delegimin e pushtetit nga politika sovrane dhe nga lart – poshtë drejt procedurave institucionale të përditshme të disiplinës dhe rregullimit që normalizojnë fëmijët, studentët, ushtarët, të burgosurit apo pacientët si qytetarë të mirë. Ai tregoi sesi, në këtë gjenealogji, armiqtë e shoqërisë nuk ishin vendet e huaja por armiqtë e brendshëm si të devijuarit seksualisht, kriminelët dhe sigurisht, fanatikët fetarë dhe terroristët.

Në ditët tona, është terrorizmi dhe Islami që luajnë rolin e një armiku të tillë, i tillë që kërcënon sepse, njësoj si rraca, apo armiku i klasës i dikurshëm, është i brendshëm por edhe i jashtëm për shoqëritë perëndimore. Janë bërë përpjekje për të mohuar ndërveprimet mes Perëndimit dhe armikut të tij të ri duke e përjashtëzuar këtë të fundit përmes luftrave në Afganistan apo Irak, kufizimeve mbi emigracionin, mbikëqyrjeve mbi xhamitë dhe kriminalizimin e praktikave të tilla si mbulimi i fytyrës dhe therja e kafshëve. Sëris Islami është i brendshëm për shoqëritë perëndimore jo përmes imigrimit apo konvertimit, por për shkak të trajektoreve të ndryshme të militimit joshtetëror që nuk na lejon ne në përkufizimin e tij gjeografikisht si pjesë e jo-Perëndimit. Familjariteti terrorist me xhihadin në Siri mund të bashkëjetojë me padijen për atë vend dhe gjuhën e tij, duke qenë i qetë në në shtëpinë e vet në Europë. Nuk ka fuqi të huaj me të cilën ai mund ta tradhëtojë Perëndimin në të cilin bën pjesë. Duke qenë se u shkatërrua me fundin e Luftës së Ftohtë restaurimi i konfliktit bipolar mes Lindjes dhe Perëndimit është i pamundur.

Lexo po ashtu:  Revista franceze Paris Match: Pse duhet t’i jepni një shans verërave shqiptare?!

Nëse Islami është shfaqur si një lloj i ri i armikut qytetërimor në shekullin e 21-të, kjo është gjithashtu edhe për shkak se ai nuk mund të luajë më rolin e një rivali gjeopolitik. I shpërndarë mes grupeve dhe individëve në mbarë botën, ai ka për shënjestër jo vende, por një arenë globale të përkufizuar nga flukse financiare,  mallra dhe migracion. Kjo botë e post-Luftës së Ftohtë mund të kuptohet si një treg që e ka kthyer politikë në një bashkësi përpjekjesh konkuruese mes shtetesh dhe aktorësh të tjerë për ta rregulluar ose derregulluar atë. Të mirat që I nënshtrohen një konkurence të tillë shkojnë nga burimet natyrore si nafta dhe peshku, manifaktura si armët dhe teknologjia bërthamore dhe të drejtat individuale si ato të jetës, privatësisë, fjalës së lirë dhe liria e lëvizjes.

Njësoj si armiqtë e tyre, ndonëse kundër tyre, militantët myslimanë duan të rregullojnë disa nga këto të mira dhe të derregullojnë të tjera për një treg global. Por më tepër se t’i përkufizojnë aktivitetet e tyre në terminologjinë ekonomike të interesit të vet, ata duket të gatshëm të sakrifikojnë deri në vdekje dhe shkatërrim si trupin ashtu edhe shoqëritë e tyre për të arritur objektivat e vet. terrorizmi islamik nuk përbën kërcënim ekzistencial për ndonjë shtet; ajo çfarë e bën atë të rëndësishëm është premtimi I tij për konflikt civil si një kërcënim i brendshëm. Edhe “Shteti Islamik” i themeluar nga ISIS në Irak, nuk shërbeu për ta përkufizuar luftën e tij gjeografikisht qëkurse militantët vijonin të sulmonin objektiva në pjesë të ndryshme të botës dhe pa lidhje me njëra-tjetrën. Militantizmi i tij ka si pjesë kruciale refuzimin në dukje nihilist të interesit vetjak si racionalitet ekonomik që drejton sjelljen njerëzore.

Forma sakrifikuese që ka marrë militantizmi islamik nuk ka çuar vetëm në përpjekje që i kundërvihen, por gjithashtu në imitime të papritura të etikës së tij. Mes këtyre është edhe rikthimi i Perëndimit si një kategori qytetërimore e vendosur tashmë në mënyrë eksplicite kundër Islamit. Por më shumë sesa përfaqësues i racionalitetit teknik dhe universalizues të qytetërimit modern, të cilin Gandi e kishte kritikuar, Perëndimi, siç ka argumentuar Huntington, Perëndimi është rikthyer në një mishërim specifikisht kultural dhe madje edhe teologjik. Nisur në luftën ndaj terrorit, kjo mund të shihet tani në refuzimin populist apo ultranacionalist të një “rendi global bazuar në rregulla” universal, me liritë e tij të lëvizjes dhe standardizimit. Me rritje të forcës së vet në mbarë Europën dhe SHBA, kjo pikëpamje konsituon asgjë më shumë sesa një refuzim të Perëndimit vetë në mishërimin e tij neoliberal si një treg i lirë për mallrat dhe punë.

Brexit ilustroi këtë formë të sakrificës apo mohimit. Votuesit e tij janë të gatshëm të pranojnë humbje ekonomike dhe jo vetëm për të rimarrë nga BE atë që ata e shohin si sovranitet të tyrin sikur të jenë duke imituar betejat e kolonive të tyre të dikurshme. Ndërkohë që nuk hedhin poshtë në mënyrë eksplicite parimin e interesit vetjal. Ata i janë larguar nga një vizioni të botës së pas-Luftës së Ftohtë si një treg neoliberal mallrash dhe idesh, në të cilën ajo mund të lulëzojë.

Ky identifikim i papritur ndonëse i mohuar me subjektet koloniale nga e shkruara e vetë Britanisë, është përsëritur në mbarë Europën Perëndimore, ku partitë e krahut të djathtë dhe qeveritë shpallin se luftojnë për sovranitetin dhe kulturën e tyre kundër BE-së po aq sa kundër potencialit kolonizues të imigracionit, Islamit dhe formave të tjera të globalizimit. A përfaqëson kjo përmbysje e çuditshme historike një përmbushje perverse të parashikimit të Gandit se qytetërimi i kapitalizmit modern do të shkëputej nga Perëndimi?

Sikurse qytetërimi modern të cilin Gandi e kishte kritikuar, përpjekja e Perëndimit për të arritur hegjemoninë globale në luftën ndaj terrorit është tejkaluar nga universalizimi i procedurave të tij, që kanë legjitimuar shtete autoritare në mbarë botën. Nga Turqia dhe Rusia, në Indi dhe KInë, lufta kundër terrorit nuk është më një projekt perëndimor por është aktivizuar për të bashkuar ekonomi miqësore me tregun me represionin politik. Dhe kështu, projekti i fundit për rikonfigurimin e Perëndimit i ka ikur po ashtu mundësive të tij. Në të njëjtën kohë kemi asistuar në shkatërrimin e formave institucionale të Perëndimit, qoftë me daljen e Donald Trump nga aleancat dhe marrëveshjet, apo me Brexit dhe rivendosjen e kontrolleve kufitare në pjesë të BE-së. Këto lidhje të këputura megjithatë janë plotësuar nga një rizbulim i vërtetë i Perëndimit si një entitet qytetërimor, si mënyrë kompensimi. Apo në të vërtetë po dëshmojmë një rikthim të Perëndimit si një dukuri shpirtërore më tepër sesa politike apo ekonomike?

Burimi: Aeon

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *