Me anë të një deklarate të përbashkët për media pas takimit me ambasadorët e QUINT-it, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, kanë falënderuar miqtë ndërkombëtarë për kontributin në rrugëtimin e Kosovës, por kanë mbrojtur qëndrimin që referendumi serb nuk bën të mbahet në Kosovë, ashtu siç paradite kërkuan ata.
“Hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”, thuhet në argumentimin e përbashkët të tre liderëve të shtetit.
Si rrallë her, partitë opozitare në vend i ka dalë në mbështetje Qeverisë së Kosovës. LDK, PDK dhe AAK po e kundërshtojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.
Përkundër presionit ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, liderët e tri partive opozitare janë në një vijë me kryeministrin Kurti, kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovës.
Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shkruar në Facebook se partia e tij pret respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Edhe për kreun e PDK-së, Memli Krasniqin, është antikushtetuese mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë.
Ndërkaq zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka, ka deklaruar për Express se ky referendum është përpjekje për ta ushtruar sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.
BE-ja dhe shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga kryeministri Kurti që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi të dielën bazuar në praktikat e më hershme të votimit, ku OSBE-ja ka mbledhur votat.
Këtë gjë po e kundërshton shefi i qeverisë së Kosovës me arsyetimin se “mbajtja e një referendumi në një shtet sovran i një shtetit tjetër s’është praktikë që pranohet nga asnjë shtet demokratik”.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.
Ambasadorët e ShBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë sot i kanë shkuar në zyrë edhe presidentes Vjosa Osmani. Pas këtij takimi të përbashkët ka folur kryeministri Albin Kurti, i cili ka treguar se do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për nesër, derisa do të dal sot me një komunikatë të përbashkët me Kuvendin dhe Presidencën.
Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.
Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.
Çka po ndryshohet?
Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin.
Pse po bëhen ndryshimet?
Me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
A kanë të bëjnë ndryshimet me Kosovën?
Jo.
Ndryshimet kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë që të zvogëlohet ndikimi politik në këtë proces, ka thënë Qeveria e Serbisë.
Kush do t’i zgjedhë gjyqtarët dhe prokurorët?
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë Prokurorial, që konsiderohen si trupa të pavarur.
Kush i ka zgjedhur ata deri më tani?
Direkt apo indirekt – deputetët e Parlamentit serb, si anëtarë të partive politike.
Kush është për ndryshimet?
Zyrtarët më të lartë shtetërorë, të cilët thonë se qëllimi është që të arrihet një gjyqësor i pavarur dhe se shpejtësia e integrimeve evropiane varet nga ndryshimet e Kushtetutës.
Kush është kundër?
Të gjitha partitë opozitare, shumica e të cilave besojnë se Parlamenti që shpalli referendumin nuk ka legjitimitet dhe se për këtë çështje nuk ka pasur debat publik. Opinionet ndryshojnë nëse duhet votuar “jo” apo të bojkotohet referendumi.
Çfarë thonë gjyqtarët, prokurorët dhe profesionistët?
Qëndrimet ndryshojnë – nga ato që ndryshimet çojnë drejt një pavarësie më të madhe të gjyqësorit, deri tek ato që besojnë se me ndryshime ruhet ndikimi politik, vetëm se bëhet në mënyra të tjera përmes anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë Prokurorial.
Çfarë ka thënë Komisioni i Venecias?
Trupi i ekspertëve të Këshillit të Evropës ka thënë se shumica e rekomandimeve të tyre janë përmbushur, por këmbëngul në nevojën e zvogëlimit të rreziqeve të politizimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij Prokurorial.
Cila do të jetë pyetja në referendum?
“A jeni për konfirmimin e aktit të ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Serbisë?” Përgjigjet janë me “po” ose “jo”.
Kush mund të votojë?
Mund të votojnë të gjithë qytetarët e Serbisë që gjenden në listën e votuesve. Kosova ka thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.
Votuesit në një qendër votimi në Graçanicë më 2006, kur u mbajt referendumi mbi Kushtetutën e re serbe. Kësaj radhe, autoritetet në Kosovë kanë thënë se serbët mund të votojnë për referendumin e Serbisë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse serbe.
Ku mund të votohet?
Në të gjitha qendrat e votimit ku qytetarët zakonisht votojnë për zgjedhje – nga ora 07:00 deri në ora 20:00. Është e obligueshme që votuesit të bartin maska. Për qytetarët që janë të infektuar me koronavirus apo janë në izolim, anëtarët e këshillit të votimit do të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe votimi do të bëhet te dera. Me ndryshimet ligjore, që u miratuan në fund të vitit 2021, është hequr pragu i daljes. Kjo do të thotë se për t’u konsideruar një referendum i suksesshëm, nuk kërkohet që mbi 50 për qind e votuesve të votojnë, por vendimi merret nga shumica e votave.