Kryeministri i pakorruptuar i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë sot në tryezën për diskutim të strategjisë për trajtimin e qenve endacakë.

Kurti tha se prania e madhe e qenve endacakë, është problem për vetë qentë dhe mirëqenien e tyre, por është po ashtu i kthyer në problem të sigurisë së qytetarëve dhe të shëndetit publik në përgjithësi.

Gjendja e qenve endacakë në Kosovë dhe masat, të cilat duhet të ndërmerren urgjentisht, ishin në qendër të diskutimit të sotëm, organizuar nga Zyra e Kryeministrit.

“Fatkeqësisht, në të kaluarën kjo çështje është neglizhuar dhe nuk ka pasur koordinim ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror”, tha kryeministri, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të këtij problemi nga rrënjët e tij, për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe efektive.

Kryeministri theksoi se qeveria do të dedikohet në këtë aspekt duke hartuar një Strategji Kombëtare për menaxhim të qëndrueshëm dhe efektiv të popullsisë së qenve, do të kërkojë po ashtu ndihmë edhe nga akterët, partnerët e huaj në mënyrë që mjetet financiare të mos jenë problem për zbatimin e masave dhe projekteve të qëndrueshme e humane për menaxhimin e popullsisë së qenve, ashtu që Kosova sa më parë të mos ketë më qenë endacak në rrugë.

Qeveria gjithashtu do të zotohet që do të mbështesë nivelin lokal për zbatimin e përgjegjësive ligjore lidhur me këtë temë.

“Edhe pse niveli lokal i ka shumicën e përgjegjësive për të zbatuar masat e nevojshme për menaxhimin e kësaj situate, mbështetja e nivelit qendror qoftë përmes hartimit të politikave dhe zbatimit të tyre, qoftë përmes mbështetjes financiare është jetike për nivelin lokal”, tha ai.

Duke potencuar rëndësinë e koordinimit, kryeministri tha të gjitha ministritë duhet të zotohen që detyrat që kanë të bëjnë me këtë tematikë t’i trajtojnë me seriozitetin më të madh.

Për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronarë, e për çështje të tjera të mirëqenies dhe të drejtave të kafshëve, kryeministri theksoi domosdoshmërinë për bashkëpunim e këshillim edhe nga shoqëria civile.

Lexo po ashtu:  Albin Kurti: Do të aplikojmë për në BE deri në fund të vitit, kemi mbështetje nga Gjermania për në KE

Në këtë tryezë morën pjesë edhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrat nga ministritë e linjës, udhëheqës e përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, përfaqësues të Odës së Veterinarisë si dhe përfaqësues të Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve.

Ky diskutim ndërmjet të gjithë akterëve kyçë, është i domosdoshëm për bashkërendim të veprimeve për të pasur sukses në zhvillimin dhe pastaj zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Trajtimin e Çështjes së Qenve Endacakë në Kosovë.

Fjala e plotë e kryeministri Kurti:

Të nderuar ministra të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z.Faton Peci dhe të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Elbert Krasniqi,

Të nderuar zëvendësministra,

Shefa të kabineteve,

I nderuar staf i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal,

Udhëheqës e përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të Odës së Veterinarisë dhe përfaqësues të Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve,

Ju faleminderit që keni pranuar ftesën tonë për këtë takim, që do të diskutojmë për gjendjen e qenve endacakë në Kosovë dhe masat, të cilat duhet të ndërmerren urgjentisht.

Jam i kënaqur që në këtë sallë po shoh të gjithë akterët kyçë, të cilët janë të domosdoshëm për bashkërendim të veprimeve të tyre, tonat, për të pasur sukses në zhvillimin dhe pastaj zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Trajtimin e Çështjes së Qenve Endacakë në Kosovë.

Prania e madhe e qenve endacakë, është problem për vetë qentë dhe mirëqenien e tyre, por është po ashtu i kthyer në problem të sigurisë së qytetarëve dhe të shëndetit publik në përgjithësi. Në veçanti janë të rrezikuar fëmijët, dhe Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar që ka pasur shkelje të drejtave të të fëmijëve nga sulmet që kanë pësuar nga qentë endacakë.

Lexo po ashtu:  Dorëzohet Kina, Uron Bidenin për fitore

Fatkeqësisht, në të kaluarën kjo çështje është neglizhuar dhe nuk ka pasur koordinim ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror. Ne duhet të trajtojmë këtë problem nga rrënjët e tij, për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe efektive. Besojmë që zanafilla e problemit është te mos menaxhimi dhe kontrolli i qenve me pronarë, mbarështimi i pakontrolluar i tyre, si dhe shitja dhe importi nga vendet fqinje.

Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal, pritet që të koordinojë dhe mbështesë nivelin lokal me ngritje të kapaciteteve për zbatimin e mirëfilltë të masave për menaxhimin e popullsisë së qenve me dhe pa pronar.

Shpresojmë që në këtë drejtim MAPL-ja, së bashku me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, të bashkëpunojnë me akterët e grupit punues, që të hartojnë dhe dorëzojnë në Qeveri për aprovim Strategjinë Kombëtare.

Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si një nga akterët kryesorë, presim rishikimin e akteve aktuale nënligjore, si dhe prezantimin e akteve të reja nënligjore. Ministria e Bujqësisë është organi kryesor për hartimin e politikave, që kanë të bëjnë, jo vetëm me kontrollin dhe menaxhimin e kafshëve, por edhe të mirëqenies së tyre.

Nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, presim që të shqyrtojë mundësitë në buxhetin aktual vjetor të Republikës së Kosovës për alokimin e fondeve për zbatimin e masave emergjente të menaxhimit të popullsisë së qenve me dhe pa pronarë, por edhe të masave tjera të propozuara në Strategjinë Kombëtare për pesë vitet e ardhshme.

Të gjitha ministritë duhet të zotohen që detyrat që kanë të bëjnë me këtë tematikë t’i trajtojnë me seriozitetin më të madh.

Kurse, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës duhet të zotohet që të krijojë një plan për inspektimet e mirëfillta të mbajtjes së kafshëve, të projekteve të KSVL-së, si dhe projekteve të identifikimit dhe regjistrimit të qenve me pronarë. AUVK-ja, po ashtu duhet të zotohet që konform përgjegjësive ligjore, të veprojë shpejt dhe me seriozitet për çështjet që kanë të bëjnë me menaxhimin e popullsisë së qenve dhe të zotohet që në projektet e menaxhimit të popullsisë së qenve, të mos përfshijë veterinerë që është dëshmuar që kanë abuzuar me kafshë dhe fonde në projektet e kaluara. Me këtë rast, AUVK duhet të marrë masa adekuate dhe për entitetet që bëjnë punë jo profesionale dhe abuzuese në këto projekte duke pezulluar dhe marrë licencat e tyre të punës.

Lexo po ashtu:  Amerika nuk do t’i tërheqë trupat ushtarake nga Kosova

Nga Oda e Veterinerëve pritet që së bashku me AUVK-në dhe me Qeverinë të shpërndajnë mikroçipat dhe pasaportat e aprovuara nga AUVK, për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve shoqëruese.

Si dhe nga shoqëria civile presim që të kemi bashkëpunim dhe këshillim për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronarë, e për çështje të tjera të mirëqenies dhe të drejtave të kafshëve.

Qeveria jonë do të dedikohet në këtë aspekt duke hartuar një Strategji Kombëtare për menaxhim të qëndrueshëm dhe efektiv të popullsisë së qenve, do të kërkojë po ashtu ndihmë edhe nga akterët, partnerët e huaj në mënyrë që mjetet financiare të mos jenë problem për zbatimin e masave dhe projekteve të qëndrueshme e humane për menaxhimin e popullsisë së qenve, ashtu që Kosova sa më parë të mos ketë më qenë endacak në rrugë.

Qeveria gjithashtu do të zotohet që do të mbështesë nivelin lokal për zbatimin e përgjegjësive ligjore lidhur me këtë temë. Edhe pse niveli lokal i ka shumicën e përgjegjësive për të zbatuar masat e nevojshme për menaxhimin e kësaj situate, mbështetja e nivelit qendror qoftë përmes hartimit të politikave dhe zbatimit të tyre, qoftë përmes mbështetjes financiare është jetike për nivelin lokal.

Unë ju falënderoj për vëmendjen dhe tani do të dëgjojmë një prezantim mbi gjendjen aktuale dhe hapat e nevojshëm nga znj. Elza Ramadani, drejtoreshë e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *