Dy ditë më parë u shfaq në media me një njoftim në Facebook, Damian Gjiknuri, sekretar i Përgjithshëm i PS-së, një njeri ndër më të përfolurit e këtyre tetë vjetëve. Zoti Gjiknuri i dogji një akuzë në Komisionin Hetimor për Inceneratorët dhe rendi që të përgënjeshtronte zonjën Tabaku.

“Keqardhje për deklarimet tashmë të përsëritura dhe krejt spekulative të zonjës Tabaku. Duket se “lëkundjet tektonike” brenda PD-së midis grupeve “grata” dhe “non grata” e kanë bërë dhe Tabakun të humbasë lidhjen me realitetin. Fillimisht gënjeu publikisht kur tha se kisha firmosur kontratën e inceneratorit të Tiranës. E konsiderova një lajthitje në kushtet e mungesës së informacionit dhe nuk replikova me zonjën në kohën kur lëshoi një sajesë të tillë. Kontratat janë publike dhe çdokush mund ta shohë që nuk është firmosur asnjëra prej meje. Sot, Tabaku vijoi me të tjera shashka teksa deklaroi se paskam firmosur koncesion të posaçëm për shitje energjie inceneratorit të Elbasanit për 25 vjet. Sërish mashtrim! Autorizimi i dhënë kompanisë për prodhim energjie nuk është koncesion por është detyrim i lindur nga kontrata bazë që kompania kishte firmosur me Ministrinë e Mjedisit.”

“Në përfundim të periudhës 7-vjeçare të koncesionit, kompania bashkë me të drejtën e fituar nga autorizimi i dhënë nga Ministria e Energjisë për prodhim energjie i kalon shtetit shqiptar. Ka ndodhur tashmë fiks kështu. Kompania e inceneratorit të Elbasanit dhe e drejta e saj për prodhim energjie nga djegia e mbetjeve i është transferuar shtetit përmes pushtetit lokal ditën që përfundoi periudha e koncesionit. Me kënaqësi do jem javën e ardhshme në Komisionin Hetimor Parlamentar për të ja shpjeguar më tej zonjës Tabaku diferencën midis gënjeshtrës dhe të vërtetës”, është shprehur zoti Gjiknuri.

Lexo po ashtu:  Të çmendur? Bethoven, Moxart, Pikaso, Van Gog, pse gjenitë nuk janë asnjëherë normalë

Të vihet re me kujdes faktin se zotëria po përgatit avokatinë e vetes dhe ka shmangur avokatinë e Aktit të qeverisë ku ka qenë pjesë. Në një farë mënyre kjo provon se z. Gjiknuri po kërkon distancë nga një çështje si kjo, duke na konfirmuar se ajo është thjeshtë një Aferë. E tillë saqë edhe një si z. Gjiknuri do të donte të rrinte larg, pasi duket tektonika e saj është përmbi tërmetet të cilat vetë Damiani ka provokuar.

Përtej këtij episodi groteskt, afera e inceneratorëve përbën kulminacionin e vjedhjes në historinë e shtetit shqiptar, sepse për herë të parë po provohet se ne kemi paguar për diçka që që nuk ekziston, për diçka që nuk ka nisur të punojë. Ne po dërrmohemi në gjoba për një vonesë banale pagese, po shkojnë në burg njerëz për vjedhje energjie, po procedohen shitës ambulantë, por ata që vjedhin në këtë farë feje janë shpallur në kërkim pasi kanë rrëmbyer miliarda.

Afera ka brenda gjithçka për t’u konsideruar tipar i kalbëzimit total të një vendi: ajo është përcaktuar si qark i shkurtër nga firmat e disa burokratëve anonimë, nën urdhërat e të tjerëve. Mjafton të shihje sot sesi një anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave qante sot në Komisionin Hetimor përpara Jorida Tabakut, pra përpara Lulzim Bashës që nuk ka asnjëherë ndonjë gjë seriozisht. Kaq e rëndë është flagranca e një vjedhjeje që do të duhet të çojë patjetër në largimin e qeverisë.

Lexo po ashtu:  Simulimi i konfliktit bërthamor SHBA-Rusi, 18 milionë të vdekur/orë

Ajo po përfshin në orbitën e vet penale ministra, zyrtarë të lartë që kanë nisur të përfliten duke përmbushur elementin e dytë të skandalit: korrupsionin politik dhe nën drejtim të nivelit të lartë. Dhe më tej ajo i qëndron si re e zezë kryeministrit të vendit që po mbrohet me të vetmen alibi që mundet: ta paraqesë valën e pritshme të arrestimeve si sukses të reformës në drejtësi, udhëheqësinë e së cilës thotë se kishte ai. Dhe duke kërkuar relativizimin e saj nën një imunitet të rremë amerikan me vizita në SHBA për çështjen e Ukrainës.

Çfarë mund të ndodhë më që të themi: skandal! Kush e ka përgjegjësinë për miliardat, zonjusha që qante sot në komision, Gugallja apo Zoto, emra anonimësh që i mbinë realitetit mediatik si firmëtarë të shumave marramendëse, apo e gjithë kjo klikë që qeveris?

Ne mundet të pyesim edhe z. Rama që po do të kalojë si oshënar në këtë histori: pas 9 vjetësh në pushtet, cili është ai sistem që i prish këta njerëz? Sepse sistemin e Berishës po na thoni se e zhbëtë, familja socialiste po ashtu është familje progresistësh, arsimi po ashtu është reformuar, tregu është hapur dhe reforma në drejtësi funksionon.

Lexo po ashtu:  Agolli: Për çështjen e Kosovës më shumë flasin politikanët se sa historianët e njerëzit e kulturës

Ky megaskandal ka edhe një të keqe tjetër në të: indiferencën e përgjithshme me të cilën po përcillet. Askush nuk po vë ujët në zjarr se paratë po shkojnë në pak xhepa, madje po vidhen brutalisht. Sepse thuajse të gjithë janë bindur se kush i qeveris dhe se çfarë pret të ndodhë në këtë vend. Askush, ose thuajse askush nuk ka më besim te Shqipëria dhe e ardhmja e saj dhe me një kryeministër që pretendon të jetë babai i kombit më një anë, me një president që flet për revolucion në anën tjetër, një ish-kryeministër që themelon votën dhe një kryetar opozite që konfirmon ekzistencën përmes buzëqeshjes, është e qartë se kushdo të ishte do të mendonte për një botë alternative.

Është ironike në kulm, në mos fat-thënëse që në komisionin hetimor sot, kërkoi mirëkuptim për anëtaren e prekur të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të inceneratorit të Fierit, Eduard Shalsi, ish-ministër, i bërë i famshëm për premtimin solemn se socialistët nuk do të vidhnin në mënyrë kaq flagrante sa demokratët e Sali Berishës. Është e vështirë që edhe të krijosh në mënyrë kaq të arrirë dramën e një vjedhjeje të tillë ku si aktor i “historisë” apo manikin i saj del ai që inauguroi filozofinë e hipokrizisë së qeverisjes së socialistëve.

s.zaimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *