Sebastian Zonja

Histori e shkurtër e jona në pak rreshta:

Në fillim ishin ilirët dhe helenët. Pellazgët, siç e thotë Çabeji, janë të veshur me një tis misteri, dhe nuk i marr dot në konsideratë sepse nuk ka asgjë rreth tyre – politikës, ideve, ushtrisë etj. Të merresh me ta është humbje kohe.
Historia politike nis me helenët si qytetërim dhe Romën si formacion ushtarak. Edhe ne gjithashtu kishim formacione të rëndësishme ushtarake nën mbretërit ilirë.
Ne ishim aty, kishim mbretëritë tona ilire, mbretërit tanë dhe territoret tona. Studimet janë të mira dhe mund të bëhen më shumë, por qejfin e kemi te Pellazgët që s’dimë asgjë për idetë e tyre politike. Nejse, kur s’ke ça bën, luan derën.
Asokohe, ne bënim tregeti me Romën dhe me helenët që ndodheshin afër nesh. Mbretëritë e tjera ishin më të vogla dhe nuk i përfillnim shumë.
Roma donte të siguronte vajtjen në brendësi të Lindjes pa shumë mundime nëpër këto mbretëritë tona, ku secila kërkonte pjesën e vet. Roma, fuqia më e madhe e kohës, për më shumë flori, qetësi dhe tregti, hyn dhe e pushton gadishullin ilirik.
Fuqia ushtarke ishim ne, se helenët ishin hegjemoni kulturore. Bëhen luftëra, shkojmë me Pirron për pushtim, ca i vrasim, ca na vrasin, e si përfundim Roma na vë nën sundimin e vet. Rrimë me Romën ca shekuj.

Pastaj vijnë bizantinët. Duke qenë se ne ishim këtu, u mësuam me Romën, filluam të kishim frikë nga dyndjet hune, vandale, mongole… Bizantinët, me strategjinë e tyre, ndërtojnë një pengesë njerëzore në rrugën e dyndjeve. Shekulli VII, sapo kishte mbërritur në kufijtë e Perandorisë një popullsi bujqësore. Ishin sllavët. Perandoria kërkonte që të ruante kufijtë, të mos kishte trazira brenda, e kush mund ta bënte më mirë se një popullatë e sapoardhur që i jepet leje të qendrojë në ato toka bujqësore.
Sllavët, si popullsi bujqësore, ndërtojnë të ashtuquajturat Zadruga. Ne, si gjithmonë, në qejfin tonë – Ilirë, të Lirë.
Sllavët ishin bujq, ne gjahtarë.
Sllavët merreshin me tokën, ne një pushkë krahut e bridh ku të na çojnë këmbët.

Lexo po ashtu:  Ganimete Musliu, si s’të vjen turp ta ofendosh vajzën 7 vjeçare të Albinit?!

Sllavët, me përuljen e tyre dhe të ethshëm për t’u zhvilluar, marrin primaci nën Bizant dhe ndërtojnë mbretëritë e tyre të mëdha – bullgare dhe serbe. Serbët kishin dinastinë e Nemanjicëve të Malit të Zi. Kishim qenë në marrëdhënie me ta për shekuj, sepse Ulqini ka qenë kurdokohë një qytet tregtar.
Edhe ne fuqizohemi nën Bizant, ndoshta jo sa sllavët, dhe kemi linjën tonë të gjakut perandorak, të vetmit, linjën e Komnenëve. Krahas tyre kemi edhe dinastinë më të madhe, atë të Balshajve. Vetë Skënderbeu thotë se do të ndiqte rrugën e Balshajve. Kaq të rëndësishëm ishin Balshajt si faktor politik i kohës. Sllavët kishin dinasti, edhe ne kishim dinasti. Nuk ishim aq të fuqishëm sa sllavët, sepse detyra që ata morën përsipër ishte më e rëndësishme për perandorinë e kohës.

Vijnë osmanët. Topiajt dhe Balshajt, feudalë të kohës, kishin konflikte me njëri – tjetrin. Topiajt ftojnë osmanët për të mundur Balshajt, dinastinë më të fortë dhe më të madhe të kohës. Donin t’i merrnin zotërimet. Duke qenë se duhen beteja e intriga sa të vendoset sundimi perandorak, shqiptarët e kohës, sepse vetëdija kombëtare nuk është e ngjashme me këtë që kemi sot, fillojnë të mendojnë për t’u rifaktorizuar. Kush më pak e kush më shumë, ne bëhemi si sllavët dhe marrim përsipër që Perandoria të pengohet me tokë që të sulmohet nga vendet e Perëndimit. S’ka pasur Bashkim Evropian asokohe. Kishte feudalë dhe principata nëpër Evropë. Se mos ngatërrohemi.
Ne marrim krahun ushtarak në Perëndori dhe grekët marrin krahun detar. Fuqinë që kishin sllavët e marrim ne, por vijojmë ende të flasim për Perandorinë nën suazat e letërsisë, jo të historisë. Ne kishim fomacionet tona territoriale, politike e ushtarake, por këto lihen pas dore sepse duhet të merremi me pellazgët.
Sundimtarët, sapo hynë osmanët, për të ruajtur përfitimet që kishin, ndryshojnë fenë sa hap e mbyll sytë dhe i shpallin besnikëri Derës së Osmanëve – nga katolik me Romën, në ortodoks me Bizantin, tani bëhen mysliman me Osmanët. Për shëmbull, Lek Dukagjini thoshte se ishte anzhu, por sapo hyjnë osmanët, pasardhësit e tij bëhen myslimanë dhe ikin në Stamboll ku marrin poste të larta.
Vetëdija kombëtare s’ka qenë si kjo që flasim sot. Po flasim për feudalë të kohës.

Lexo po ashtu:  Shkrimtari malazez, Andrej Nikolaidis: “Ne mbaruam, Mali i Zi nuk ekziston më..”!

Dinastia më e madhe që kemi pasur gjatë osmanëve ka qenë ajo e Bushatllinjëve. Ishte aq e fuqishme, ndoshta sa ajo e Balshajve në shekullin e XIV, sa kërkonte të ndërtonte Konfederatën Ilirike. Venediku dhe osmanët u bashkuan dhe e shembën këtë Pashallëk dhe dinasti tejet madhështore.
Me rënien e Bushatllinjve, dinasti e madhe dhe me shtrirje territoriale të gjerë, nuk e ngritëm më kokën.

Pas luftës ruso-turke fillojnë të faktorizohen sllavët sërish. Nis Rilindja jonë. Perandoria kishte marrë rrokopujën dhe shqiptarët duhej të kishin shtetin apo territorin e tyre. Disa pro, disa kundër. Zhurmë. Qendra të vetëdijes kombëtare bëhen intelektualët tanë në Stamboll, Frashërllinjtë, Hasan Tahsini, dhe ndihma nga Italia fqinje nga arbëreshët që ndodheshin atje – Zef Skiroi, Derada apo Anselmo Lorecchio.
Ashtu, rrokapjekthi, shkojmë e bëjmë një gjysmë shtet edhe ne. Të fundit që shkeputemi nga Perandoria, sepse nën vasalitet ndiheshim më mirë. Realitetet politike kishin ndryshuar, por s’po i thithnim dot. Ca ishin për t’u shkëputur, ca jo, disa e shihnin se Perandoria kishte marrë rrokopujën, disa kishin besim se do bëhej më mirë. Këto debate që kemi edhe sot.

Menjëherë, sapo ne ngremë flamurin me shkabë dykrenore, shpërthen lufta e parë ballkanike, e dyta, lufta e parë botërore. Ndaj, edhe ai pak territor që kishim, u bë “fait accompli”, fakt i kryer, se ishte territor i pushtuar. Austro-hungarezët, si dikur Bizanti përdori sllavët kundër dyndjeve të tjera, po na përdornin ne që sllavët të mos dilnin në ujëra të ngrohta, në Adriatik.

Lexo po ashtu:  Largimi është çështje personale, qëndrimi është çështje kombëtare

Me krisjen e pushkëve, shuhemi nga harta që nga viti 1912 deri në vitin 1919, dhe shfaqemi si shtet me Konferencën e Lushnjes. Aty nis rrugëtimi jonë si shtet shqiptar me këto territore.
Rrokapjekthi ngrejmë një gjysmë shtet, ashtu siç e tha Pashiqi – të varfër e të kontrolluar prej tyre. Me kronologji kemi çdo 10 vjet nga një kryengritje që ndizet nga orekset shovene fqinje. Gjithësesi, kemi arritur ta mbajmë këtë shtet që kemi.

Situata ndryshon në vitin 2008. Lind një shtet i dytë shqiptar në Ballkan. Pra, pas 100 vjetësh, nga shpallja e pavarësisë së gjymtuar e me territore të grabitura, në këtë areal futet një perandori e re – amerikanët.

Bizanti përdori sllavët për interes që të mos hynin në brendësi të territorit dyndje të tjera, ndaj dhe ata morën poste të mira në Perandori.
Osmanët na përdorën ne që të mos kishte ndërhyrje nga Perëndimi, ndaj edhe ne morëm poste të mira në Perandori.
Sot janë amerikanët. Se pse kemi një shtet të dytë shqiptar, këtë do e zbulojmë me kalimin e kohës.

Për ta kuptuar këtë duhet të studiojmë historinë politike të këtij areali ballkanik, kaq të bukur e kaq shumë etinik. Mos u merrni me pellazgët, se nuk ka asgjë aty brenda – as ide politike, ushtarake, qytetërimore. Është humbje kohe. Merruni me historinë politike të Dinastive e Mbretërve tanë që kanë lënë pas veprime dhe dorëshkrime.
Rilindasve u duheshin pellazgët për të bërë dallimin nga helenët dhe për të ndërtuar identitet të lashtë në këto troje. Pak me romantizëm, pak me letërsi, u ndërtua ky mit. Sot kjo është punë studiuesish, por ne na duhet historia politike e arealit ballkanik, jo përrallat me pellazgë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *