Nga Peter Schadt dhe Hans Zobel

Me risitë teknologjike, të përkrahura nga politika dhe të mbështetura nga kapitali financiar, Tesla është shembulli më i mirë i shfrytëzimit bashkëkohor të konceptit “neutral ndaj klimës” si dhe i njerëzve dhe natyrës.

Start-up që prodhojnë makina janë një fenomen i ri. Për shumë dekada, prodhuesit gjermanë të automjeteve me motorë benzine ​​dhe nafte e mbizotëronin këtë industri. Të rinjtë nuk kishin fort shanse të mblidhnin kapitalin e nevojshëm fillestar për të prodhuar automobila konkurrues. Korporatat ekzistente kishin krijuar njohuri të konsiderueshme përmes kërkim-zhvillimit.

Dhe me uzinat gjigante në disa qytete të Gjermanisë, ata kishin grumbulluar mjaftueshëm “kapital për ta bërë hyrjen në treg të konkurrentëve të mundshëm tepër të shtrenjtë”.Konkurrenca e ashpër ka karakterizuar tregun e automobileve ndër vite, aq sa ish-drejtuesi i BMW-së, Eberhard von Kuenheim do shprehej: “Ka shumë makina në botë, por shumë pak BMW”.

Por, pavarësisht kostove të mëdha fillestare dhe konkurrencës së ashpër, Tesla ka arritur të hyjë në tregun 4 trilion dollarësh. Suksesi i Teslës mbështetet në tre shtylla: risitë teknologjike që përshtaten tërësisht me programet e mbrojtjes klimatike të shteteve të rëndësishme, nga të cilat Musk përfiton politikisht dhe ekonomikisht. Kjo bind kapitalin financiar për cilësinë e kompanisë, e cila është kthyer në prodhuesin e automobilëve me kapitalin më të lartë, pa shitur asnjë automobil fitimprurës.

Risitë teknologjike

Tesla mbështetet në motorin elektrik dhe, kështu, nuk përballet me konkurrencën e motorëve me djegie, fushë në të cilën prodhuesit e hershëm të automobilëve janë në krye. Që nga themelimi i saj në 2004, Tesla është fokusuar në kombinimin e teknologjisë dixhitale dhe motorëve elektrikë. Me një dizajn krejtësisht të ri të automjetit, bateria e rëndë e Tesla-s është e integruar në dyshemenë e automjetit. Dhe më shumë se një automjet i dixhitalizuar Tesla duket si “smartphone me rrota”. Softueri për vetëdrejtimin pa shofer përditësohet vazhdimisht, gjë që e dallon thelbësisht Tesla-n nga “kompjuterët e tjerë me rrota”. Të paktën kështu shpresojnë prodhuesi dhe fansat e tij besnikë.

Kompania vendosi të rinovonte konceptin e “automjetit” duke u fokusuar në teknologjitë që industria kishte lënë pas dore. Që nga fillimi, marka ia doli të njehsohej me risitë teknologjike. Vetë-portretizimi i Elon Musk si një krijues vizionar që nuk njeh kufij është pjesë e strategjisë ekonomike të start-up-it të tij. Kultivimi i këtij imazhi, në fakt, ka dhënë rezultate. Kompania ka një reputacion si “e gjelbër” dhe me teknologji të avancuar. Rrjedhimisht, kompania synon klientë që mund të përballojnë lodra teknologjike të nivelit të lartë dhe me qëndrim pro-mjedisor.

Modeli i biznesit të Tesla-s admirohet nga shumë si “modeli i çmendur” dhe në krahasim me të bërit biznes në mënyrë të zakonshme, Tesla është vërtet “çmenduri”. Raporti i kapitalit të investuar me të ardhurat është shkatërrimtar. Kostoja e prodhimit të modelit të parë të Tesla-s “Roadster” është rreth 200,000 dollarë, por shitet mesatarisht 90,000 dollarë. Prej vitesh, modeli që ky biznes ka ndjekur ka qenë shitja e makinave me humbje.

Lexo po ashtu:  Po shkatërrohet kalaja mijëra vjecare ilire e Lipës në Pejë, publikohen pamjet

Si shpjegohet kjo?

I vlerësuar nga politika

Komponenti i dytë që zhvillon sistemin Tesla është programi politik i vendit të tij, SHBA. Automobili elektrik subvencionohet nga shteti amerikan prej njëzet vitesh, sidomos nga autoriteti mjedisor kalifornian CARB. Sipas logjikës së ekonomisë së tregut, krijohen “stimuj” për të pozicionuar kapitalin amerikan në përputhje me rrethanat e tregut në rritje të automobilëve elektrike.

Problemi nga këndvështrimi i SHBA-së është i qartë: rrugët e mbipopulluara dhe shkatërrimi i mjedisit të shkaktuar nga shumë motorë me djegie gjermane. Zgjidhja e duhur për problemin? Mbipopullimi i rrugëve dhe degradimi i mjedisit të bëhet nga automibilët elektrikë, që mbi të gjitha, janë amerikane.

Tesla është një nga kompanitë që përfiton më shumë nga subvencionet qeveritare të SHBA. Që nga viti 2008, Departamenti Amerikan i Energjisë ka injektuar një total prej 465 milionë dollarësh në këtë kompani. Tesla supozohej t’i përdorte këto fonde për tu kthyer në kompani me fitimi. Por Tesla do të marrë edhe 1.9 miliardë dollarë të tjerë për ndërtimin e fabrikave të baterive, vendimtare në zinxhirin e vlerës së automobilëve elektronike.

Politikat sipas së cilave, prodhuesit e tjerë të automobilëve mund të kompensojnë flotën e tyre me karburant fosilor me blerjen e të drejtave të ndotjes nga Tesla, i sjell kompanisë të ardhura shtesë. Pra Tesla gjithashtu fiton nga lufta që  i ka shpallur biznesit të motorëve me djegie.

Megjithatë, fondet nga shteti dhe bizneset janë vetëm një pjesë e mbështetjes për Tesla-n. Shumë më vendimtar është vullneti politik i të gjitha shteteve të mëdha prodhuese të automjeteve për të ndaluar në të ardhmen motorët me djegie. Vetëm kur shtetet kapitaliste vendosën të mbështeteshin në teknologjinë e re, Tesla u zgjerua në tregun botëror dhe u bë një prej kompanive më të kërkuara në bursë.

Investimet financiare kapitaliste

Investitorët nuk e marrin parasysh se Tesla shënohej me të kuqe në bursë përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të saj të para. Zhvillimi i një lloji të ri automobili dhe mbështetja e saj politike premtojnë përfitime të kënaqshme. Kapitali që kërkon mundësi investimi në mbarë botën është komponenti i tretë në sistemin Tesla.

Spekulimet mbi fitimet e ardhshme rrisin asetet e biznesit dhe fuqinë financiare të Teslës, falë rritjes konstante të shpërndarjes së aksioneve, para se kompania të ketë fitim të mirëfilltë. Listimi i kompanisë në NASDAQ dhe Doë Jones e ushqen këtë “çmenduri”, pasi çmimet në rritje të aksioneve të kompanisë rrisin asetet e saj financiare të investuara, çfarë tërheq më shumë investitorë dhe, si pasojë, rrit vazhdimisht çmimin.

Logjika e bursës dikton që besimi i aksionerëve në qëndrueshmërinë e kompanisë, në të ardhmen, nuk duhet të humbasë. Prandaj Elon Musk promovon vazhdimisht veten dhe kompaninë e tij, e cila prej çmendurisë financiare kapitaliste, është kthyer vërtet në një model të qëndrueshëm biznesi.

Lexo po ashtu:  Unë s’mbaj shpresë, - nga Robert Shvarc.

Kompania ka tejkaluar prej kohësh vlerën e të gjithë konkurrentëve të saj në industri të marrë sëbashku, me përkatësisht rreth 1 trilion dollarë amerikanë. As fakti që Tesla ka qenë në prag të falimentimit disa herë, si kur papritmas u ngritën dyshime për realizueshmërinë e projektit të “vetëdrejtimit”, me sa duket nuk e ndikoi besimin e investitorëve.

Por kjo duket se do të ndryshojë shpejt. Epërsia teknologjike, pra, veçoria unike që shet Teslën vazhdon të tkurret, ndërsa gjigantët e industrisë së automobilëve po i transformojnë produktet dhe proceset e tyre të prodhimit.

Punëtorët jashtë vizionit

Tesla dhe aksioneri i saj më i madh, Elon Musk janë pasuruar kryesisht duke mbledhur pasuritë e bizneseve dhe të shtetit. Përtej gënjeshtrës se paratë i shtohen “vetvetiu, edhe natyra e punëtorët janë burime të kësaj pasurie. Edhe në garën për t’u bërë prodhuesi më i madh i makinave në botë, Tesla, gjithashtu, po përdorimn “modelin e çmendur”.

Në këtë zgjerim, kufizimet si sindikatat apo orët e punës janë të papërfillshme. Në Fremont, Kaliforni, Musk nuk po respekton ndërprerjen e prodhimit prej koronës duke u vetëdeklaruar sistematikisht i rëndësishëm dhe po rihapë fabrikën.

Ata që nuk ndalen as nga një pandemi globale dhe infektimi i mundshëm i punonjësve të tyre, për rrjedhojë ndalojnë gjithashtu çdo lloj bashkëvendosjeje dhe përfaqësimi kolektiv interesash. Nuk ka këshillë punonjësish apo sindikata në Tesla. Orari i punës është i pakufizuar, dhe rroga mujore mbulon edhe çdo punë jashtë orarit.

Tesla gjithashtu injoron pagat e dakorduara kolektivisht. Kjo rezulton në shtimin e mosparaqitjeve në punë për arsye shëndetësore, qarkullim të lartë të punonjësve dhe aksidente në punë.

Në politikën e saj të pagave, Tesla, gjithashtu, përdor në mënyrë kreative bursën: rrogat paguhen pjesërisht si aksione. Kjo do të thotë që kompania mban një pjesë të kostove të pagave si një paradhënie kapitali, ndërsa, në të njëjtën, kohë i bën punonjësit e saj përgjegjës për suksesin e kompanisë.

Rasti i “vizionarit” Musk tregon, se konkluzioni i Marksit: “Prodhimi kapitalist zhvillon teknikën dhe shkallën e kombinimit të procesit social të prodhimit duke minuar njëkohësisht burimet origjinale të të gjithë pasurisë, tokën dhe punëtorin”, vazhdon të ruajë vërtetësinë

Tesla gjithashtu merr mbështetje të madhe edhe nga politikanët gjermanë, si rastin e fabrikës në Grünheide të Brandenburg. Për shkak se fabrika e re përshtatet shumë mirë me kthesën e gjelbër dixhitale të qeverisë, ligjin i punës është modifikua.

Në kantierin e ndërtimit Tesla, gjatë javës mund te punohet deri në 24 orë në ditë ndërsa të dielave nga ora 7 deri në 20:00, “pasi zbatimi i përshpejtuar i projekteve të tilla për tranzicionin e energjisë dhe lëvizshmërisë është i nevojshëm për të arritur qëllimet ambicioze të mbrojtjes së klimës”.

Lexo po ashtu:  Katër rreshtat e Gjergj Fishtes më të fuqishme, e më me peshë, se sa të gjitha fjalimet e deputetëve shqiptarë të Tiranës, të Shkupit e të Prishtinës bashkë. Lexojini!

Për më tepër, që të përmbushej kërkesa për krah pune të lirë evropiano-lindor për të ardhmen “neutrale ndaj klimës” së Republikës Federale, agjencia lokale e punësimit ka ngritur zyrën e saj në oborrin e fabrikës gjigante, duke mbështetur kështu rekrutimin e punëtorëve 24 orësh.

Burimi i dytë i pasurisë, mjedisi

Gjatë ristrukturimit “të gjelbër” të industrisë gjermane, mjedisi nuk merret fort parasysh. Fabrika gjigante është e vendosur pranë një pylli që përfshin një zonë të mbrojtjes së ujit.

Tesla tashmë ka marrë 16 leje të ndryshme nga politika. Sipas “konceptit për decentralizimin e kullimit të reshjeve”, Teslës i lejohet të ndërtojë basene uji për filtrim dhe shuarje. Disa organizata për mbrojtjen e natyrës kanë ngritur mjaft shqetësime pasi basenet “kanë dalje në akuiferin e sipërm, dhe fabrika gjendet pjesërisht në zonën e mbrojtjes së ujit të pijshëm.” Shqetësime ngriti edhe një shoqatë e uji me përvojë teknike, por autoriteti përgjegjës i konsideroi ato si të pabaza.

Përveç kësaj, Tesla kërkon të përjashtohet nga rregulloret ligjore dhe pylli të pritet me “shpejtësinë e Tesla-s”. Për më tepër, shteti gjerman ka dhënë edhe 19 miratime paraprake, duke e liruar Teslën nga afati kohor i punës. Këto “lëshime” justifikohen me objektivat ambicioze për klimën. Kështu ai pak ujë nëntokësor dhe pylli mund të sakrifikohet.

Ideja e zhvendosjes së fabrikës nuk merret parasysh, pasi atje Tesla gjen kombinimin ideal të një qyteti të madh me një aeroport, inxhinierë dhe infrastrukturë të përshtatshme, si dhe akses në fuqi punëtore të lirë për standardet e Evropës Perëndimore.

Këto fakte zbulojnë një të vërtetë të madhe në lidhje me modernizimin dixhital dhe neutral ndaj klimës në shoqërinë kapitaliste. Dekarbonizimi i trafikut nuk do të thotë fundi i shkatërrimit të planetit, as fuqia gjithnjë në rritje e mjeteve teknologjike të prodhimit nuk i jep fund keqpërdorimit të burimeve. Përkundrazi, shembulli i Teslës tregon se premtimet e “vizionarëve” modernë vërtet sigurojnë një të ardhme të ndryshme, pa karbon, por që vazhdon të jetë në kurriz të punëtorit dhe natyrës.

Qeveria gjermane është angazhuar në këtë projekt dhe industrisë gjermane të automobilave i duhet të përshtatet për të ardhmen, kështu që efekti vendimtar në prodhimin ekonomik gjerman shqyrtohet përpara çdo shërbimi transporti.

Rezultati i dëshiruar ekonomik nuk mund të arrihet zgjerimin e transportit publik nëpërmjet autobusëve dhe trenave. Një kampion botëror eksportesh nuk shqetësohet fort për pyetjen se si njerëzit mund të kalojnë nga A në B me çmim të lirë dhe pa ndikuar klimës, por me cilin produkt ata mund të vazhdojnë të pushtojnë tregjet amerikane dhe kineze në të ardhmen. Dhe për momentin, elektromobiliteti duket si mënyra e duhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *