Prishtinë, 22 shkurt 2022

Mërgata jonë është pjesë integrale e fuqishme e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në tryezën e rrumbullakët mbi të drejtat e diasporës, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm që ka mërgata për Republikën e Kosovës, kryeministri Kurti bëri të ditura nismat e Qeverisë për të angazhuar diasporën, marrë për bazë që diaspora sjellë dy burime shumë të rëndësishme në vend: të mirat materiale dhe njohuritë.

Ne e shohim mërgatën si kapital njerëzor, para se ta shohim si kapital financiar, tha kryeministri. Për këtë arsye jemi duke u fokusuar në krijimin e programit nacional, që në bazë ka transferin e dijes dhe përvojës nga mërgata në Kosovë, shtoi ai.

Duke vlerësuar se diplomacia dhe diaspora janë të pandashme në shumë fusha, kryeministri bëri të ditur angazhimin e Qeverisë për zhvillimin e një dialogu të gjithanshëm me qytetarët tanë jashtë vendit, si dhe punën për një strategji të re për diasporën, e një projektligj të ri.

Lexo po ashtu:  Seanca për rrëzimin e Qeverisë, për shkak të një marrëveshje të keqe që po e pret Kosovën

Kryeministri ritheksoi zotimin për të punuar bashkë me mërgatën, për të mirën e përbashkët edhe të mërgatës edhe të Republikës sonë, që është reflektuar edhe në Programin e Qeverisë.

Në këtë tryezë morën pjesë Zëvendëskryeministrja, njëherit Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zëvendësministrja, Liza Gashi, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues të Presidencës, përfaqësues të odave ekonomike dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Burimi : kryeministri.rks-gov.net

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *