Nga Farid Zakaria

Beteja nisi. Tani të shohim kush do të fitojë. Presidenti Biden ka rekrutuar jo vetëm Perëndimin, por edhe pjesën më të madhe të botës. Ai ka njoftuar sanksionet më të ashpra që janë vendosur ndonjëherë ndaj një ekonomie të madhe. Rezultatet janë tashmë të dukshme. Tregu i aksioneve të Rusisë dhe rubla po rrënohen.

Por pavarësisht kësaj, sanksionet ekonomike rrallë e kanë detyruar një vend të ndryshojë rrugë, e aq më tepër të shkaktojnë rënien e regjimit. Në ato pak raste kur kanë pasur ndonjë efekt – Afrika e Jugut me aparteidin, Irani me pasurimin e tij bërthamor – sanksionet zakonisht zbatoheshin gjerësisht dhe ishin gjithëpërfshirëse. Për shkak se vendet kyçe, përfshirë Kinën, Indinë dhe shtetet e Gjirit nuk ka gjasa ta bojkotojnë Rusinë, sanksioneve do t’u mungojë kjo goditje afatgjatë.

Ekziston një rrugë për t’ia prishur planet të presidentit rus Vladimir Putin: sanksionimi i industrisë së naftës dhe gazit të Rusisë. Kjo është “pata me vezët e arta” e Putinit, burimi i pasurisë së shtetit të tij dhe arsyeja që ai beson se mund të përballojë çdo stuhi. Deri më tani, jo vetëm që kanë mbetur të paprekura, por sanksionet financiare janë projektuar me kujdes për t’i lënë hapësirë Rusisë që të vazhdojë t’i shesë energji botës.

Ideja që qarkullon është se Perëndimi nuk mund të sanksionojë energjinë ruse, sepse do të shkaktonte një krizë energjetike sipas asaj që ndodhi në vitet 1970, e cila do të shkaktonte pakënaqësi të thellë. Por situata nuk është aspak analoge me gjendjen e vështirë të viteve 1970. Sot, Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh i naftës dhe gazit në botë. Mund të rrisin prodhimin dhe eksportet dhe të ndihmojnë në hapjen e pikave në vende të tjera. Presidenti Bajden është i shqetësuar se mund të duket siç u duk atëherë ish-presidenti Xhimi Karter, por pozita e tij e pushtetit i ngjan më shumë asaj të mbretit të Arabisë Saudite.

Lexo po ashtu:  Kur viktima nuk respekton veten

Biden duhet të njoftojë se është i gatshëm t’i përgjigjet kësaj sfide gjigande ndaj rendit botëror duke përshpejtuar prodhimin dhe eksportin e naftës amerikane me qëllim zëvendësimin e energjisë ruse.

Ai duhet të nxisë rregullatorë e gazit natyror që të shtojnë prodhimin dhe të ndihmojë më shumë me financimin e gazit natyror të lëngshëm, në mënyrë që ai të dërgohet në Evropë. Ai gjithashtu duhet të inkurajojë vende të tilla si Japonia dhe Koreja e Jugut që të dërgojnë më shumë nga gazi i tyre natyror i lëngshëm në Evropë. (Ata kanë burime alternative të energjisë.) Disa nga këto do të kërkojnë kohë, por tregjet do të reagojnë ndaj sinjaleve dhe furnizimeve të reja – dhe çmimet do të bien.

Por kjo nuk do të mjaftojë. Bajden duhet të ndihmojë gjithashtu në zhbllokimin e dy burimeve të mëdha të naftës. që aktualisht nuk po dalin në treg aq shpejt ose në sasi të mjaftueshme. Ai duhet të pezullojë sanksionet e ish-presidentit Donald Trump ndaj Venezuelës dhe Iranit. Nëse është e mundur, Uashingtoni duhet të punojë me Iranin për të mbyllur disa boshllëqe të mbetura dhe për të rihyrë në marrëveshjen bërthamore, e cila do të sillte të gjithë naftën e Iranit në treg. Dhe Biden duhet të kontaktojë personalisht me Mohammed bin Salman të Arabisë Saudite dhe Mohammed bin Zayed të Emirateve të Bashkuara Arabe (të cilët të dy ndihen të padëshiruar nga Uashingtoni këto ditë), të rregullojë marrëdhëniet me ta dhe t’u kërkojë atyre të rrisin prodhimin – gjë që shtetet e Gjirit mund të bëjnë më së miri në një kohë të shkurtër.

Lexo po ashtu:  Byroja politike e Brukselit, një krahasim që poshtëron BE-në

Më duket sikur i dëgjoj që tani të gjitha kundërshtimet nga e djathta dhe nga e majta. Më lejoni të trajtoj disa prej tyre. Pjesa më e madhe e kësaj nafte dhe gazi thjesht do të zëvendësohet me energjinë (e ndaluar) ruse, kështu që nuk ka gjasa të shkaktojë emetime neto më të larta. Madje ka një përfitim mjedisor. Gazi amerikan lëshon më pak metan se gazi rus dhe prodhimi i naftës në SHBA është më pak i dëmshëm për mjedisin, sesa prodhimi rus. Mund të rezultojë që vende si Gjermania të përdorë më pak qymyr, lëndë djegëse më ndotëse për atmosferën në çdo aspekt. Në fakt, mënyra më e mirë për të ulur emetimet e karbonit në afat të shkurtër – me teknologjitë aktuale – është zëvendësimi i qymyrit me gaz natyror.

Të gjitha këto masa kanë anët negative – disa simbolike, disa reale. Por të qeverisësh do të thotë të zgjedhësh, dhe të qeverisësh në një krizë, është të bësh zgjedhje të vështira dhe të dhimbshme. Vendi që e ka kuptuar më mirë këtë është Gjermania. Ajo pezulloi gazsjellësin Nord Stream 2, njoftoi planet për të ndërtuar dy terminale të rinj për të marrë gaz natyror të lëngshëm dhe pranoi se mund t’i duhet të përdorë më shumë qymyr dhe të zgjasë jetën e centraleve të saj bërthamore që ishin planifikuar të mbylleshin. Këto politika vijnë nga një qeveri koalicioni, partneri i dytë më i rëndësishëm i së cilës është Partia e Gjelbër, e cila historikisht ka qenë agresive në pikëpamjet mjedisore.

Lexo po ashtu:  Filozofi prodhon ide, poeti poema, kleriku predikime, profesori ligjërata e kështu me radhë. Krimineli prodhon krime.

Administrata Bajden ka thënë se interesat sot për këtë çështje, nuk mund të jenë më të larta. Dhe ka të drejtë. Nëse agresioni i Putinit ka sukses, ne do të jetojmë në një botë tjetër. Pra, le të sigurohemi që ai nuk e bën këtë.

Kur Adolf Hitleri sulmoi Bashkimin Sovjetik, Winston Churchill, një antikomunist i përjetshëm dhe i tërbuar, tha se nëse Hitleri do të pushtonte ferrin, ai (Churchill) do të kishte gjetur diçka të këndshme për të thënë për Djallin. Gjithçka që duhet të bëjmë është të ndërmarrim disa hapa për të mbështetur energjinë që nuk vjen nga Rusia, dhe kjo tendencë në politikat ekonomike mund të shndërrohet në një armë vdekjeprurëse, që godet bash në thembrën e Akilit./ Fareed Zakaria, është autor i emisionit GPS në CNN dhe kolumnist në Washington Post, shkrimi u përshtat nga Lapsi.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *