Ndërsa lufta në Ukrainë vijon, përpjekjet për një zgjidhje diplomatike nuk ndalen. Në mënyrë të veçantë po diskutohet mbi një formulë që merr si model Austrinë.

Siç raporton Corriere della Sera, sipas këtij opsioni, Vladimir Putin mund të tërhiqet nga përpjekja për të rrëzuar qeverinë e Zelenksy-t, por në këmbim, Ukraina do të marrë përsipër të miratojë “neutralitetin e përhershëm”, duke modifikuar Kushtetutën, e cila nga viti 2019 parashikon anëtarësimin në NATO. Për Kievin, sigurisht, e gjithë kjo do të nënkuptonte një ndryshim drastik në procesin politik, kulturor dhe madje edhe psikologjik që filloi në 2014 me kryengritjen e Maidan dhe rrëzimin e presidentit pro-rus, Viktor Janukoviç.

Disa ditë para sulmit të Putinit (24 shkurt), kancelari gjerman Olaf Scholz kishte propozuar, si një përpjekje ekstreme, “finlandizimin” e Ukrainës. Domethënë “ngrirja” për një periudhë të gjatë të kërkesës për anëtarësim në NATO. Në thelb një vendim politik, i kthyeshëm me kalimin e kohës. Finlanda zgjodhi barazinë midis dy blloqeve në kohën e Luftës së Ftohtë, por pa futur kufizime ligjore që mund të përjashtonin ndryshimet në të ardhmen. Madje, javët e fundit kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, ka marrë pjesë në samitet e Aleancës Atlantike. Një reflektim i thellë po ndodh në Helsinki: agresioni i Vladimir Putin ka ndryshuar kuadrin historik dhe për këtë arsye mund të ketë ardhur koha për të braktisur statusin “politik” të një vendi neutral dhe për t’u bashkuar me NATO-n.

Lexo po ashtu:  Parësore të ndalet "vallja e djallit"!

Por rasti i Austrisë është ndryshe: neutraliteti është përfshirë në Kushtetutë që nga viti 1955. Është pjesë përbërëse e identitetit të shtetit të ri që doli pas Luftës së Dytë Botërore.

Sipas asaj që po diskutohet në Uashington dhe mes kryeqyteteve të tjera evropiane, ky model mund të jetë një pikënisje në dialogun mes ministrave të jashtëm rusë, Sergei Lavrov dhe atij ukrainas, Dmytro Kuleba, i parashikuar për të enjten më 10 mars, në Antalia, Turqi.

Është e qartë se ukrainasit tani do ta gjejnë veten në një pozitë më të pafavorshme se sa ishin një muaj më parë. Deklarata e Zelenksy-t një ditë më parë se është “gati për të negociuar për NATO-n, Donbasin dhe Krimenë” duket se është pranim i kësaj. Nga ana tjetër, nuk ka shumë mundësi të tjera, të paktën sa i përket diplomacisë. Më pas, ukrainasit synojnë “një aplikim të gjerë” të “modelit të Austrisë”. Sidoqoftë, Vjena është një nga “vendet e asociuara” të NATO-s, domethënë e ftuar si vëzhguese. Por mbi të gjitha austriakët janë anëtarë të Bashkimit Evropian që nga viti 1995. Në atë vit tre vende neutrale të Kontinentit të Vjetër iu bashkuan BE-së: Suedia, Finlanda dhe pikërisht Austria (Zvicra hoqi dorë në 1992, pas rezultatit negativ të një referendumi). Prandaj, “neutraliteti i përhershëm” nuk e pengoi Vjenën të rifitonte pozicionin e natyrshëm në Kontinentin e Vjetër dhe në çdo rast të merrte peshë në ekuilibrin politik. Diçka e ngjashme mund të parashikohet edhe për Ukrainën, por pa u nxituar në lidhje me kohën dhe procedurat. Megjithatë, ky skenar është i lidhur me një sërë kushtesh. Sovraniteti i plotë i Ukrainës duhet të garantohet ndërkombëtarisht me kufizime të pranuara edhe nga Moska. Dhe Ukraina do të mbetet shtet sovran nëse vazhdon të mbajë kryeqytetin, territorin dhe daljen në det, me Odesën.

Lexo po ashtu:  Esat Pashë Toptani - Tashti, si quhen njerëzit që punojnë kundër interesave të shtetit të tyre e në dobi të shtetit që ka qëndrim armiqësor? Cili është definicioni për këta njerëz?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *