Afrim Fanda

“Ambasadorit të Federatës Ruse i thashë se mbështes integritetin territorial dhe sovranitetin e çdo shteti të pavarur siç është Ukraina … sepse jo shumë kohë më parë atdheu ynë, Maqedonia jonë ishin objekt i agresionit nga veriu dhe perëndimi”, deklaroi z. Mickoski, lideri i VMRO-DPMNE në qytetin Veles, me rastin e promovimit të 100 ditëve pushtet lokal, pasi  ishte sulmuar më parë nga rivalët e tij politikë për vonesën e një qëndrimi mbi agresionin rus në Ukrainë.

Ndërkohë, për dallim nga z. Mickoski, votuesit e tij, ashtu si shumica dërmuese e qytetarëve të tjerë “maqedonas”, bashkë me “vëllezërit” e tyre serbë, shprehën hapur përmes rrjeteve sociale dhe protestave në sheshet e Beogradit dhe Shkupit, përkrahjen e tyre pa rezervë për Putinin dhe agresionin e regjimit të tij në Ukrainë, bashkë me urrejtjen e vjetër kundër perëndimit dhe shqiptarëve.

Gazetari i njohur Sasho Jordanovski, në shkrimin e tij në “Sloboden Peçat”, këtë eufori përkrahjeje të qytetarëve serbë dhe “maqedonas” për Putinin, dhe urrejtjen e tyre ndaj shqiptarëve dhe perëndimit, e shpjegon me “një padurim të ndrydhur ndaj shqiptarëve, që vjen si rezultat i llojeve të ndryshme të frikës së nënndërgjegjeshme dhe pasigurisë si “shumicë” për të ardhmen kolektive të popullit të tyre (maqedonas), të bindur se “projekti perëndimor” është “shqiptarizimi” i Ballkanit”.  Ndërkaq Tito Petkovski kryetar i Partisë së Re Socialdemokrate, deputet në të gjitha mandatet dhe kyetar i parlamentit të ish IRJM në një mandat, kandidat i LSDM per president shteti në zgjedhjet e vitit 1999… ishte më i drejtëpërdrejtë, duke deklaruar se “maqedonasit e lavdërojnë presidentin rus Vladimir Putin në rrjetet sociale, sepse janë në kërkim të një lideri që do t’i mbrojë me dorë të fortë në qeverisje dhe që do t’i kundërshtojë padrejtësitë e Perëndimit…”.

Lexo po ashtu:  Melodi në rrjedhat e historisë

Pra, cfarë është ajo që sqaron realisht këtë tifozllëk të qytetarëve serbë dhe “maqedonas” per Putinin dhe “aksionin e tij special” në Ukrainë? Është pikërisht solidariteti i agresorit me agresorin dhe pushtuesit me pushtuesin. Është garancia qe gjejnë shovinistët dhe hegjemonistët serbë tek “autoriteti” i Putinit, në “mbrojtje” të asaj që nuk është e tyre – Kosovës me vetëm 2% serbë, Sanxhakut me 33% serbë, Luginës së Preshevës me 30% serbë… Është garancia që gjejnë shovinistët “maqedonas” në mbrojtje të pozitës së privilegjuar në shtetin unitar, të ndërtuar dhe mirëbajtur me dhunë mbi themelet e identitetit, historisë, gjuhës dhe territoreve të përvetësuara. Është shembulli i gjuhës së “suksesshme” të kërcënimit drejtuar gjithë njerëzimit, dhe forca e kërcënimit që gjejnë shumica e serbëve dhe “maqedonasve” tek “autoriteti” i Putini, për t’ua drejtuar atë shqiptarëve, për të mbjellur terrorin që do të siguronte vazhdimësinë e botës së tyre të bazuar në pabarazi, diskriminim, dhunë, korrupsion… Dhe mu këtu gjejnë edhe arsyen e urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe perëndimit: sepse shqiptarët dhe demokracinë perëndimore i përjetojnë si kërcënim për këtë botë të tyren.

Lexo po ashtu:  Lufta kundër terrorit që e ktheu botën më të pasigurtë se kurrë

Ndërkohë roli i partive shqitpare në pozitë, në ish IRJM, është katandisur në shërbim mercenarësh tanimë të dëshmuar, të BDI, AAA dhe PDSH, të cilët japin legjitimitenin dhe ngjyrën demokratike politikave antishqiptare, madje deri tek përfaqësimi këtyre politikave në botë, përmes resorit të ministrisë së jashtme. Ndërsa “opozitën” shqiptare, tani e katandisur në krerët e lodhur të “Aleancës për Shqitparët”, të konsumuar dhe të vënë në lojë me rradhë nga BDI, LSDM dhe në fund Alternativa, dhe krerët e gjysëm-partisë erdoganiste “Lëvizja Besa”, padurimi dhe etja e papërmbajtur për pushtet i bashkoi pikërisht me VMRO-DPMNE-në, parti e cila ka akoma për inspirim politik luftën dhe granatimet e fshatrave shqiptare në vitit 2021, dhe shqiptarët i konsideron “agresorë nga perëndimi dhe veriu”.  Koalicionimi me këtë parti, pas nje lufte pa epilogun minimal të zgjidhjes kushtetuese të statusit të shqiptarëve në ish IRJM, turpëron dhe poshtëron jo vetëm “opozitën”, kohëve të fundit e reklamuar si “e keqja e vogë” që lufton BDI-në “të keqen e madhe”, por çdo shqiptar që përjetoi luftën e vitit 2001. Poshtëron të gjithë ata që patën guximin dhe kapën armët për t’ju kundërvënë pushtetit diskriminues dhe agresor nën udhëheqjen e VMRO-DPMNE, e cila akoma thiret në këtë luftë. Dhe njëkohësist përdhos në mënyrën më të vrazhdë kujtimin për dëshmorët që dhanë jetën, dhe të gjitha viktimat e pafajshme në në këtë luftë, shumë e freskët në kujtesën tonë!

Lexo po ashtu:  A i trembet apo e kontrollon SPAK-un, Edi Rama?

Situata e krijuar lidhur me agresinin rus në Ukrainë, sjellja e Serbisë dhe përkrahja e hapur e qytetarëve serbë dhe “maqedonas” këtij agresioni, dhe si pasojë, reziku i përhapjes së konfliktit në Gadishullin Ilirik, i dhanë një leksion të rëndësishëm, si gjithë botës perëndimore, ashtu edhe vet shqiptarëve – shqiptarët kanë qenë, dhe vazhdojnë të jenë kufiri i fundit i botës perëndimore, me botën dhe interesat ruse në Evropë. Ndaj, çështja e pazgjidhur shqiptare dhe konfliktet që ringjall kjo çështje gjatë gjithë kohës në ketë pjesë të Evropës, duhen zgjidhur, në vend se të zbuten ose shtyhen, siç është bërë deri tani. Me të keqen nuk duhet bërë kompromis, aq më pak duhet mbështetur, duke e kategorizuar dhe toleruar si “e keqe më e vogël”. E keqja duhet dënuar gjithmonë, pa përzgjedhje, sado e vogël të jetë, kudo që ndodh, dhe kushdo që e bën. Sepse heret a vonë, e keqja e vogël bëhet e madhe, madje, sot jemi dëshmitarë, deri në atë masë, saqë të kërcënojë gjthë njerëzimin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *