Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Eurazinë, Laura Cooper, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka mohuar kategorikisht të gjitha paralelizmat që bëhen nga Moska në mes të sulmit të paprecedent të Rusisë mbi Ukrainën me intervenimin e NATO-s në Kosovë.

“Nuk ka absolutisht asnjë ngjashmëri mes këtyre situatave. Ajo që shohim sot është një fuqi e madhe që ka zgjedhur të sulmojë një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike pa asnjë provokim dhe po kërkon të pushtojë pjesë të konsiderueshme të atij vendi duke bombarduar popullsinë civile dhe duke penguar dhënien e ndihmës humanitare . Nuk ka absolutisht asnjë të përbashkët”, ka thënë Cooper.

Cooper gjatë intervistës ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me Ballkanin Perëndimor, duke potencuar se Uashingtoni gjithmonë i kushton vëmendje Gadishullit Ballkanik.

“Pa dyshim ka një histori të përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë në rajon duke u përpjekur të nxisë tensione. Dhe mendoj se ne po shohim që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Jam vërtet e kënaqur jo vetëm nga niveli i vëmendjes së Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit, por edhe se mendoj se edhe partnerët tanë të BE-së janë investuar shumë në sigurimin e stabilitetit”, ka shtuar ajo.

Lexo po ashtu:  Vetëvendosje: Glauk Konjufca nuk jep dorëheqje, nuk ka asnjë arsye për këtë

Në këtë drejtim në mesin e praktikave që Rusia mund të përdor të destabilizojë Ballkanin, sipas zyrtares së lartë të Pentagonit, janë ndërhyrja kibernetike, përfshirë manipulimin e hapësirës së informacionit si dhe korrupsioni.

Për Cooper, SHBA edhe pse është hapur për thellimin e bashkëpunimit ushtarak me Serbinë, zhgënjehet kur Beogradi nuk e zgjedh një gjë të tillë.

“Nuk është në interesin e Serbisë të bashkëpunojë me një ushtri që masakron një popullatë, një ushtri që bombardon civilët. Dhe sinqerisht, nuk është në interesin e Serbisë të ketë partneritet me një ushtri që po vuan pasoja kaq të qarta në fushën e betejës, me një moral kaq të ulët, një ushtri ku udhëheqësit nuk u besojnë ushtarëve të tyre”, ka shtuar ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *