Ajo që fëmijët duhet të mësojnë në lidhje me frikën mund të përmblidhet me një fjalë të vetme: Mendo! Duhet të përdorim mendjen për të kontrolluar frikët tona.

Katër rregulla bazë për t’u përballur me frikën:

Bëhu shumë praktik. Fëmijët tre-katërvjeçarë, sapo fillojnë të mendojnë për botën e madhe rreth tyre, bëhen shumë kureshtarë për të. Ky stad, në disa libra, njihet si “katërvjetëshi i frikës”. Fol me ta për të, bëhu i duruar dhe i rastësishëm. Beso te intuita e tyre! Frika është një lloj radari, që shërben për të kapur rrezikun.

Fol me të se si ta mposhtë frikën. Në qoftë se një fëmijë flet për një frikë reale (qoftë edhe e largët), atëherë shpjegoja se ç’vështirësi do të dilnin, sikur ajo të ndodhë me të vërtetë. Ndërto një plan veprimi, gjej së bashku me të se ç’do t’i duhej të bënte për të qenë prapë i sigurt.

Në qoftë se ai të flet për një frikë joreale, atëherë tregoja këtë. Mos kërko për monstra poshtë shtratit të tyre. Ata janë pjesë e fantazisë së tyre, nxitur nga shumëllojshmëria e gjithçkaje që shikojnë në TV apo që i lexojnë në librat e moshës së tyre.

Lexo po ashtu:  “Dashuria bëhet më e fortë në rrethana vështirësie”. Historia e Claudia Morit dhe Adriano Celentanos

Frikët e fshehura. Nëse fëmijët janë vazhdimisht të trembur, përdor teknikën e dëgjimit që të zbulosh, nëse ka gjësendi tjetër që i shqetëson dhe që e kanë të vështirë ta tregojnë. Ndonjëherë, njëra frikë mbulon një tjetër që është më e vështirë të tregohet.

Për shkak të frikave të ndryshme me të cilat përballen fëmijët e sotëm, sidomos kur jetojnë në qytete të mëdha, është më se e nevojshme futja e programeve trajnuese për sjelljet mbrojtëse.

Këto programe do t’i ndihmojnë fëmijët të planifikojnë si dhe ku ta kërkojnë ndihmën, në qoftë se u ndodh diçka. Fatkeqësisht, një ndër rreziqet më të zakonshme për të gjithë fëmijët është abuzimi seksual dhe, shpeshherë, nga ndonjë i njohur i familjes.

Mbi të gjitha fëmijës i duhet shpjeguar: “Nuk ka asgjë të keqe sa të mos ia tregosh askujt” dhe “Ti ke të drejtë të përpiqesh të sigurohesh”. Kjo do të shmangë rastet e abuzimit seksual, raste jo të pakta në shoqëri. Programi nuk duhet të identifikojë asnjë fëmijë të veçantë, por të japë strategji që i ndihmojnë të gjithë njerëzit në lidhje me fëmijët, ndërsa ai që ndodhet në rrezik të mësojë se si të kërkojë ndihmë. Një program i tillë do të shtojë rastet e raportimeve për abuzim, gjithashtu do të ulë ndjeshëm numrin e incidenteve, sepse abuzuesit e rritur do t’i tremben mundësisë së një zbulimi të mundshëm.

Lexo po ashtu:  Thënie për mësuesit dhe mësimdhënien!

Forca e programeve të tilla qëndron te përballja në shkallë të gjerë me rreziqet e përditshme si në rastet kur fëmija kthehet në shtëpi dhe e gjen derën mbyllur ose kur ngatërron autobusin; duhet t’u mësojmë fëmijëve teknika të sigurta të menduari.

Në qoftë se programi nuk është futur ende në shkollën ku shkon fëmija yt, pyet pse!

Dhe së fundi, fëmijët duhet të kenë paksa frikë, me qëllim që të mbrojnë jetën e tyre. Ata nuk duhet të mbingarkohen me frikërat e të rriturve. Është detyra jonë t’i zgjidhim vetë ato. Ata duhet të mësojnë si të mendojnë në situata të rrezikshme dhe rruga më e mirë është të bësh plane me ta. Përgjigju duke e pyetur: “Çfarë do të bëje ti sikur…” Kjo është edhe mënyra më e bukur për t’iu përgjigjur kur të pyesin, ose për t’i përgatitur për rreziqet që mund të hasin. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *