Në Kosovë mendohet se janë mbi 20 mijë burra dhe gra shqiptare të dhunuara seksualisht gjatë luftës së fundit. Një prej historive më të rënda, për RTV Dukagjinin e ka rrëfyer njëra prej të mbijetuarave, që përveç tmerrit të përjetuar, tregoi edhe për ndikimin e ngjarjes në marrëdhëniet me familjen, që nuk e kishin pranuar të kthehej në shtëpi.

Ishte marrë me dhunë nga forcat paramilitare serbe për t’u dërguar në një objekt larg shtëpisë, vend ku më pas u dhunua seksualisht.

“Kanë qenë tre veta… Njëri e kreu… i dyti, i treti. Unë kam qenë shtatzëne duke pritur çikë… I kam pas dy muaj, dy muaj e gjysmë të shtatzënisë”, rrëfen e dhunuara e luftës.

Pasi e dhunuan seksualisht, policët serbë e kthyen në shtëpi, vend ku nuk u prit mirë.

“Vjehrri më ka ra shuplakë…Vjehrra as nuk ka fol, asgjë nuk ka bërë veç e kam shikuar drejt në sy edhe e ka ul shikimin poshtë…Unë i kam thanë vjehrrit faleminderit. Unë po e kapi fëmijën tim… Po iki se unë nuk jetoj ma”.

Lexo po ashtu:  Historia e Fatos Çollakut, një jetë e ndërprerë nga shteti

Pas dhunës fizike e shpirtërore vendos të largohet nga shtëpia, ndërsa për gati një vit e gjysmë nuk e takon burrin.

“U frikova me tregu a mos me tregu, a më beson a nuk më beson. Tjetra, ai e dinte që jam shtatzëne po mundet me më fajësua, jo nuk është fëmija im. I kam tregua, veç më ka shikuar dhe ka thanë: më nuk të shoh veç si grua, je motra ime, je nëna ime”.

Kthimi në Kosovë për të dhe burrin e saj ishte po aq i vështirë sa ngjarjet e luftës.

“Vjehrra rahmetlijka ka lyp me ja bo hallall, i kam thënë: Prej meje mos lypni hallall”.

Pos me familjen e burrit, atyre i është dashur të përballen edhe me situata tjera të vështira.

“Çika rënd shumë e ka përjetua, e di çka ka pas nëpër kokë të vet. I kam thanë: Nëna ta vërteton që je e imja dhe e babës tënd. Djali është tërhequr dhe vetëm vajtonte “pse nuk të ka mbrojt dikush”. Pak ka mbajtur mëri me babën e vet. I thash “s’ka qenë baba jot në shtëpi””.

Lexo po ashtu:  Mënyra si e mbani çantën, zbulon shumë për personalitetin tuaj…

Kjo është vetëm një pjesë e rrëfimit të kësaj zonje të hekurt.

Ajo kishte qenë dëshmitare e dhunimit të nënës së saj nga forcat policore serbe.

“Ka qenë edhe baba im aty dhe ne. I kanë përdhunua ato gratë. Edhe nëna ime ishte aty. Nëna ime nuk mbijetoi”.

Këto rrëfime për gati 20 vjet janë mbajtur brenda katër mureve.

“Për dy vite kam ardhur deri te dera e kësaj shoqate dhe jam kthyer”.

Falë organizatës “Medica Gjakova” pos që trajtohen, gra dhe burra me vuajtje të tilla, në publik rrëfejnë edhe përjetimet.

“Unë veç dua një mesazh të fortë me ua dhënë të gjitha grave, se bie njeriu në depresion. Duhet me mbledhë forcë e me tregua ato çka kanë ndodhur”, rrëfen tutje kjo grua që u përdhunua nga paramilitarët serb.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *