Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim ministrin e Bashkëpunimit Regjional të Izraelit, Esawi Frej, që është vizita e parë e një ministri izraelit në Kosovë.

Në komunikatën e Qeverisë thuhet se në takim u rikonfirmua gatishmëria e të dy shteteve për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin, si dhe u bisedua për mundësitë konkrete.

Ministri Frej tha se për shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme që të mbajë e forcojë lidhjet me Kosovën, teksa i përcolli kryeministrit Kurti përshëndetjet e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett.

Frej shprehu vullnetin për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, teksa shprehu interesimin e investitorëve izraelitë për investime në Kosovë.

“Ne jemi të hapur për mundësi të reja dhe së bashku do të arrijmë suksese”, tha ministri Frej.

Ndërsa, kryeministri Kurti theksoi potencialin në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, duke veçuar digjitalizimin si një nga objektivat në programin e Qeverisë.

Duke folur për zhvillim e ekonomisë dhe reformat e nisura, kryeministri theksoi se Qeveria synon ndërthurjen e rritjes ekonomike me drejtësi sociale.

Lexo po ashtu:  Kosnett: Kosova nuk do të detyrohet të pranojë një marrëveshje që nuk e dëshiron

Ai tha se rritja ekonomike prej 10.53%, do të shpërndahet te qytetarët, nëpërmjet masave si këto të sotmet, duke iu referuar 100 eurove shtesë.

“Rritjen që e arrijmë bashkë do ta shpërndajmë te të gjithë”, tha Kurti.

Lidhur me aktivitetet e përbashkëta në kuadër të vizitës së delegacionit të shtetit të Izraelit dhe projektet e bashkëpunimit të iniciuara në mes të dy vendeve, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi Krasniqi, veçoi marrëveshjet për binjakëzimin e tri komunave të Izraelit dhe tri komunave të Kosovës, si dhe ndihmën për spitalin pediatrik dhe organizatat e personave me aftësi të kufizuara.

Ai tha se fushat e bashkëpunimit janë të shumta dhe se ato do të konkretizohen në plane të përbashkëta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *