Unë mund ta kuptoj pozitën e vështirë, ku u ndodh ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksander Botcan-Harçenko, pas fjalimit të presidentit të tij Vladimir Putin në 26 prill në takimin në Moskë me sekretarin e përgjithshëm të OKB.

Ambasadori rus u detyrua të përballet me një stuhi zemërimi të mediave qeveritare dhe proqeveritare serbe, pra edhe të qeverisë serbe, ndaj presidentit rus Putin, i cili shpalli se Kremlini njeh vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë të 22 korrikut 2010 për pavarësinë e Kosovës.

Putin i deklaroi sekretarit të përgjithshëm të OKB:

“Unë personalisht i kam lexuar të gjitha dokumentat e Gjykatës Ndërkombëtare të OKB për Kosovën. Gjykata e OKB e ka njohur Kosovën. Të njejtën gjë mund të bëjnë edhe republikat e Donbasit. Kosova është njohur nga shumica më e madhe e shteteve-ky është fakt. Kosova është njohur nga shumica më e madhe e shteteve të Perëndimit. Kosova është njohur në cilësinë e shtetit të pavarur”.(“kremlin.ru”, 26 prill 2022).

Bomba diplomatike, që lëshoi presidenti rus, ka disa elemente të reja në krahasim me qendrimin e deritanishëm të Moskës.

Së pari, presidenti rus pranon për herë të parë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Rusisë pranon për herë të parë aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Ky është një ndryshim i rëndësishëm, po të kemi parasysh se diplomacia  ruse deri tani nuk e ka pranuar asnjëherë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Diplomacia ruse nuk e ka pranuar atë vendim, ndonëse është vendim i Tribunalit kryesor Juridik të OKB, ku Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB dhe firmosi edhe ajo kërkesën e OKB për t’i kërkuar opinion Gjykatës  Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Tani presidenti rus e pranon vendimin e asaj Gjykate për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo duhet konsideruar zhvillim pozitiv, pavarësisht se Putin ende nuk ka arritur deri te marrja e vendimit të njohjes së Kosovës nga Rusia.

Hapi i presidentit rus është i rëndësishëm si mesazh për Serbinë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk mund të injorohet më dhe duhet pranuar edhe nga ajo.

Pak rëndësi kanë arsyet apo motivet përse presidenti rus doli tani me njohjen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Pak rëndësi ka nëse presidenti Putin ka tani nevojë ta përdorë Kosovën si argument që Perëndimi të pranojë pavarësinë e dy “republikave” kukulla të Donjeckut dhe të Luganskut në Ukrainë, të cilat presidenti Putin i njohu si shtete të pavarura në 21 shkurt 2022.

Lexo po ashtu:  Kryeministri pranon Raportin: Lufta kundër korrupsionit e ka ngritur Kosovën në raportet ndërkombëtare

Elementi i dytë i rëndësishëm diplomatik është se presidenti rus Putin, duke njohur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, pranon vendimin e asaj gjykate, që thekson se pavarësia e Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të OKB. Në këtë mënyrë presidenti rus rrëzon tezën kryesore bajate të deritanishme të diplomacisë ruse se dialogu Serbi-Rusi duhet bazuar në rezolutën 1244 të OKB.

Kjo don të thotë që diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës, sa herë të përballen me tezat e diplomatëve rusë për gjoja vlefshmërinë e rezolutës 1244 të OKB, le të përdorin qendrimin e ri të presidentit Putin, që pranon tani se pavarësia e Kosovës është në përputhje me rezolutën 1244, dhe ajo rezolutë e ka mbaruar funksionin.

Elementi i tretë i rëndësishëm është se presidenti rus pranon realitetin që pavarësinë e Kosovës e kanë njohur shumica më e madhe e shteteve të botës, gjë që përbën një të vërtetë historike, para së cilës nuk mund të mbyllë sytë as Rusia. Deri tani diplomacia dhe propaganda ndërkombëtare ruse e kanë cilësuar Kosovën si “i ashtuquajtur shtet”.

Por tani vetë presidenti i Rusisë deklaron se Kosovën e pavarur e kanë pranuar shumica më e madhe e shteteve të botës. “Ky është fakt”- thekson Putini në prani të sekretarit të përgjithshëm të OKB. Kemi një ndryshim qendrimi rus, të cilin vështirë të mos e reflektojnë diplomacia dhe propaganda ruse.

Në fjalimin e tij të gjatë të mirëseardhjes për sekretarin e përgjithshëm të OKB, presidenti rus iu referua Kosovës gjithmonë me emrin Kosova, siç e kanë të gjitha dokumentat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Deri tani ambasadori i Rusisë në Beograd, për t’u treguar më nacionalist se nacionalistët serbe, vazhdimisht përdor emrin fetaro-kolonialist serb “Kosovë-Metohi”. Presidenti Putin shënon një kurs tjetër në këtë drejtim.

Faqja e parë DITA, 04 maj 2022

Natyrisht presidentin rus Putin e detyruan rrethanat e reja ndërkombëtare të vështira, ku ndodhet Rusia pas agresionit të saj ushtarak në Ukrainë, që të arrijë deri te qendrimi ri i njohjes së vendimit të Gjykatës  Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Ai synon ta përdorë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës si një precedent që bashkësia ndërkombëtare të pranojë “republikat e reja” kukulla ruse të Donbasit.

Putin e ndërmerr këtë hap të ri në një përpjekje si ofertë kompromisi ndaj Perëndimit, që duke i ofruar njohjen e vendimit të Gjykatës për pavarësinë e Kosovës, të marrë si shkëmbim pranimin nga Perëndimi të njohjes së “republikave” ruse të Donbasit. E ka bërë dhe më pare këtë lloj tentative pas aneksimit rus të Krimesë në 2014, kur ambasadorët rusë edhe në kryeqytetet perëndimore, edhe në Tiranë, bënin  vazhdimisht ofertën e njohjes ruse të Kosovës në këmbim të njohjes së Krimesë.

Lexo po ashtu:  Lajçak: Zgjedhjet në katër komunat e veriut të Kosovës të mbahen në muajt në vijim

Por oferta ruse për Krimenë ishte pa njohjen nga Moska të vendimit të Gjykatës  Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Natyrisht as Krimea dje dhe as Donbasi sot nuk kanë asnjë lloj ngjashmërie me Kosovën dhe nuk mund të përdoren si precedent.

Befasia e re diplomatike e Putinit për njohjen e vendimit për Kosovën të Gjykatës së Lartë të OKB lidhet me problemet dhe me raportet e tij me fuqitë e mëdha perëndimore dhe qendrimi ri rus duhet parë në këtë kuadër.

Më e thjeshta për të kuptuar është se qendrimi rus për Kosovën ka dinamikën e vet brenda interesave të Rusisë dhe jo të Serbisë. Për Rusinë Serbia nuk ka rëndësinë, që mendon Serbia se Rusia ka për të. Moska kërkon ta përdorë çeshtjen e pazgjidhur të marrëdhënieve Serbi-Kosovë sipas interesave të veta dhe si monedhë shkëmbimi në pazaret dhe intrigat e mëdha diplomatike ndërkombëtare.

Qeveria serbe dhe diplomacia serbe duhet të jenë të ndërgjegjshëm për këtë realitet të politikës së jashtëme ruse dhe nuk ka pse të bëjnë të habiturin tani. Ata e dinë fare mirë se qysh në vitin 2006 në deklaratën e njohur ministeriale prej dhjetë pikash të Grupit të Kontaktit për Kosovën të titulluar “Parimet udhëheqëse të Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e statusit të Kosovës“, në pikën 6 thuhet tekstualisht se “nuk do të ketë ndryshim në territorin e Kosovës, nuk do të ketë ndarje dhe as bashkim të Kosovës me ndonjë shtet ose pjesë të një shteti tjetër”.

Këtë angazhim ministerial ndërkombëtar, që Kosova nuk do të jetë pjesë e Serbisë, e ka nënshkruar edhe ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov, që është akoma ministër i jashtëm i Rusisë.

Pozita e vështirë ushtarake ruse në Ukrainë, pasojat e mëdha të sanksioneve ekonomike të Perëndimit në ekonominë dhe në finanacat ruse dhe izolimi i madh diplomatik ndërkombëtar, e detyruan presidentin Putin të ndërmarrë ndonjë lëshim në lidhje me Kosovën, duke pranuar vendimin e Gjykatës së OKB për pavarësinë e saj, por pa e njohur ende Rusia Kosovën si shtet.

Lexo po ashtu:  Shpend Ahmeti jep sqarime për lëvizjet në kryeqytet pas futjes në karantinë

Ambasadori rus në Beograd i kapur në befasi nga kjo lëvizje e re e presidentit të tij, dhe i ndodhur para një stuhie të re të zemërimit propagandistik qeveritar serb ndaj Putinit, u përpoq ta sfumojë hapin e Kremlinit. Në 29 prill ambasadori Harçenko deklaroi:

”Unë nuk e kuptoj pse ka një interpretim sikur Rusia po ndryshon qendrim për Kosovën, kur Kosova është një nga çeshtjet kyçe të  bashkëpunimit tonë vëllazëror”.

Argumenti qesharak që dha ambasadori rus ishte se “Donbasi ka votuar me referendum për t’u shkëputur nga Ukraina, gjë që nuk është rasti për Kosovën”. Duket qarte se presidenti Putin përsa i përket Kosovës i ka hequr nga dora disa argumenta si ambasadorit në Beograd, ashtu dhe diplomacisë ruse. Kjo është pozitive në planin diplomatik.

Nuk u shkaktua kot tronditja masive e propagandës dhe e qarqeve qeveritare serbe nga deklaratat e presidentit rus në 26 prill. Ish-ambasadori i Serbisë në Bjellorusi, Sreçko Gjukiç, deklaroi në 28 prill se “referimi nga Putini i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën për të justifikuar pavarësinë e rajoneve të shkëputura të Donjeckut dhe të Luganskut në Ukrainë, don të thotë që ai e njeh Kosovën si shtet të pavarur”.

Është hera e parë që presidenti rus Putin sulmohet në sens negativ në Serbi. Kjo tregon iracionalizmin e thellë të udhëheqjes serbe, e cila sheh se intransigjenca e saj ultranacionaliste për të mos njohur Kosovën është një kurs i verbër, të cilit po i largohet hap pas hapi edhe Rusia.

Në qendrimin ndaj Kosovës Rusia niset së pari nga interesat e Rusisë dhe jo të Serbisë. Presidenti Putin tregoi se diplomacia rus lëviz në trajektoren e interesit rus, dhe don apo nuk don Serbia, Kosova është realitet që duhet konsideruar.

Qendrimi i ri i presidentit rus për Kosovën meriton vëmendje diplomatike dhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Pavarësisht se Rusia nuk e njeh ende Kosovën, fakti që presidenti i saj njohu vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë duhet konsideruar një zhvillim pozitiv, i cili duhet përdorur në takimet, në debatet dhe në forumet diplomatike ndërkombëtare, për të hequr ajrin rreth diplomacisë serbe dhe për ta detyruar atë të njohë realitetin e Kosovës së pavarur.

Madje e këshillueshme do të ishte që në kanale diplomatike të vlerësohej në adresën e duhur qendrimi i ri realist i presidentit rus për pranimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *