Boiken Abazi

Qytetarët e shohin se drejtësia në Shqipëri është selektive dhe ekonomia është përqëndruar në pak duar. Rama ka treguar se drejton në mënyrë autoritare, se qeverisja e tij ka korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Shumë prej njerëzve që mbështesin Berishën, ama, nuk mendojnë se Berisha është ndryshe nga Rama sa i përket autoritarizmit, korrupsionit dhe lidhjeve me krimin e organizuar.
Më shumë sesa një burrë shteti, Berisha ka punuar si burrë pushteti. Baza e atyre që aktivizohen politikisht në krah të Berishës nuk besojnë te transformimet rrënjësore që do ndryshonin njëmend politikën. Duket se përmes “të fortit” të tyre – Berishës – synojnë që një ditë të ndërrojnë vendin me ata që janë sot në pushtet. Pak rëndësi ka që Berisha nuk tregon konsistencë në qëndrime, p.sh. duke mos patur një qëndrim standard për të gjitha shpalljet non-grata nga Departamenti i Shtetit. Baza e Berishës nuk e ka hallin te konsistenca e qëndrimeve të Berishës, por te mundësia për të ardhur në pushtet, duke marrë edhe përfitimet përkatëse. Bashën e hoqën se nuk besonin se me të fitonin pushtetin – dhe ky ishte argumenti më i përsëritur edhe publikisht.
Për këtë lloj situate në bazë, sigurisht që një përgjegjësi madhore mbanë edhe Rama me modelin qeverisës që ka instaluar në këto tre mandate. Reaksioni Berisha është pasojë e kushteve të krijuara nën modelin qeverisës të Ramës dhe aksionit të tij në drejtim të rritjes së pabarazive strukturore në Shqipëri, që pamundësojnë daljen nga varfëria, ose e mbajnë shtresën e mesme të kërcënuar në vazhdimësi prej saj. Varfëria është dhunë – nuk ka liri në varfëri. Për të dalë nga varfëria, për një zjidhje të shpejtë individuale, njerëzit duket se janë të gatshëm të kthehen edhe te Berisha.
Kjo situatë do duhej të shërbente si kambanë alarmi për Ramën për të transformuar modelin qeverisës drejt shtetit zhvillimor dhe të mirëqenies sociale. Por me gjasë Rama nuk ndihet aq i kërcënuar nga Berisha, marrë parasysh se në zgjedhjet e radhës Berisha do ketë kundër Partinë Socialiste dhe një pjesë të komunitetit ndërkombëtar, si dhe do garojë pa mbështetësit e Bashës. Për më tepër, Rama shpreson se të pakënaqurit nuk do durojnë shumë e do vazhdojnë të largohen nga vendi. Kjo “siguri” e Ramës në raport me Berishën, kombinuar me faktin se edhe Rama vetë është i kompromentuar, shërben si frenim për çdo lloj transformimi domethënës në mandatin e tretë, duke rritur mundësinë që Berisha të shtojë radhët.
Lexo po ashtu:  Pse fitorja e Donald Trumpit, do i trondit hiperglobalistët, alterglobalistët dhe populistët?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *