Një mik më pyeti pardje, qysh edhe si ka mbetë Shkaba dykrenore, si emblemë e flamurit tonë kombëtar. Natyrisht ia shpjegova sa munda çështjen, duke e arsyetuar mbi baza të sakta. Pra, ma solli rasti të them pak fjalë mbi këtë ndodhi edhe me anë të përkohshmes së ndershme “Leka”, për lexuesit e saj.
Dihet se në mitologjinë greke shpendi i shkabës si mbret i shpendëve të tjerë, ka pasë rëndësi të posacme. Ishte shpendi i Hyjit dhe si i thonë, kishte lerë së bashku me të. Shkaba i kishte sjellë rrufenë e zjarrit Hyjit, duke ia rrëmbyer reve. Kur Hyji ishte i vogël akoma e rriste Shkaba.
Për të parën herë shohim Lekën e Madh, i cili përdori shkabën si shenjë për stemën e tij dhe për monedhën aleksandriane që pat shtypë. Prej këtej e morën më vonë edhe trashgimtarët e tij.
Më pas e kanë përdorur edhe romanët, në flamuret e legjionëve të tyre, si shenjë fuqie. Në kohën e imperatorit Marius, shkaba përfytyrohej me krahët hapur në flamuret e perandorisë.
Shkaba me dy krerë, dalë-ngadalë u bë emblema edhe e imperatorëve të Bizantit dhe u quajt “mbretnore” dhe shkaku i bashkimit të dy shkabave ka qenë simbolizimi i imperatorisë dyfishe Romano Bizantine, mbasi ajo perandori ishte e ndarë në dysh, në perandorinë e Oksidentit me qendër Romën dhe dhe atë të Orientit me qendër Bizantin.
Prej romanëve e morën më vonë, këtë shenjë, edhe mbreti i Francës, Karli i Madh (Charlesmange) edhe imperatorët e Rusisë dhe Austrisë. Imperatori bizantin, Jan Paleollogu, në vitin 1439, kur ka shkuar në Firence të Italisë, për bashkimin e kishave u dha të drejtë aristokracisë së vendit me mbajtë shkabën dy krenare, të artë, si emblemë shtëpiake.
Sado që me pagëzimin e Kostandinit të madh si i krishterë, shkaba dykrenare ia la vendin kryqit, por përsëri shkaba dykrenare përdorej në të gjitha fasadat e ndërtesave publike të perandorisë së Bizantit.
Një traditë tregon se bizantinët e morën shkabën dykrenare prej Turqëve, të cilët, e sidomos Selxhukët, që e hiqnin veten Rumi, dmth romanë, e kishin përdorur qysh prej viteve 1158-1280. Tjetër traditë na tregon se bizantët e kishin marrë prej persianëve, kur i kanë mundur, pasi persianët e përdornin shkabën prej qindra vitesh, si shenjë e flamurit të tyre.
Shkaba dykrenore u përdor edhe mbasi ra Stambolli në duart e Turqëve. E përdoreshin më fort si emblemë patriakale të gjithë patrikët e Fanarit. Gjithashtu përdorej edhe në shumë katedrale orthodokse, si edhe në shumë varre me rëndësi, po akoma edhe ndër petkat e burrave si shkabë dykrenore e qëndisur me ar.
Fatosi i komit tonë Skëndërbeu, mbasi u shkëput prej Sulltanit e përdori këtë shkabë si flamur kombëtar, në luftën e parë që filloi kundër hordhive turke, nën komandën e gjeneralit turk Ali pasha, i cili, me 25 mijë vetë ishte dërguar prej Sulltan Mehmet Gaziut me i ra Skënderbeut. Flamuri i Skënderbeut ishte në atë kohë, po kështu siç e shohim sot, d.m.th shkaba dykrenore ngjyrë të zezë dhe sheshi i kuq. Ky flamur u përdor në më shumë se 27 luftra që bëri Skëndërbeu kundër turqëve, gjithashtu u valvit edhe në Pulje të Italisë, kur Skëndërbeu i shkoi në ndihmë me 10 mijë burra shqiptarë mbretit të Puljas e të Aragonës, Ferdinandit, i cili ishte rrethuar keq prej frengëve dhe të cilin, Skëndërbeu e liroi. Kjo me pak fjalë, është historia e shkabës dykrenore, historia e flamurit tonë kombëtar.
*Shkrimi i Dr Kristo Floqit është botuar në shtypin e kohës, viti 1934