Kryeministri i Kosovës, në një intervistë dhënë gazetarit të Washington Post, Jason Rezaian, ka folur për luftën e Rusisë në Ukrainë, situatën në Ballkanin Perëndimor, dialogun dhe një moment zemërimi të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë intervisë, Kurti ka thënë se po vazhdon të bëjë përpjekje për depërshkallëzimin e situatës me Serbinë, por sipas tij, ato përpjekje s’kanë pasur rezultat.
Kurti tha se në qendër të tensionit është mosgatishmëria e vazhdueshme e Serbisë për ta njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur.
“Nuk mund ta njoh Serbinë që nuk më njeh mua. Pra, duhet njohje reciproke dhe ne jemi të gatshëm të angazhohemi në këtë dialog”, ka deklaruar Kurti për Washtington Post.
Kryeministri i Kosovës ka treguar një moment, kur sipas tij, presidenti serb është zemëruar me fjalët e tij.
“Kurti tha se një deklaratë e paqes dhe mossulmimit e propozuar nga Kosova në vitin 2021 u refuzua nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe një plan për të mbrojtur reciprokisht të drejtat e pakicave brenda kufijve të njëri-tjetrit. Në vend të kësaj, autoritetet serbe thuhet se filluan të heqin shqiptarët në Serbinë Jugore nga listat e votuesve”, ka thënë Rezaian.
“Presidenti Vuçiq tha se, ndryshe nga Kosova, Serbia është shembull se si duhet të trajtohen minoritetet”, më tha Kurti. Ai shtoi, disi në mënyrë sarkastike: “Unë thashë, ‘Atëherë le të shohim se si i trajton Serbia minoritetet dhe unë mund ta përsëris modelin në Kosovë.” Dhe pastaj ai u zemërua shumë sepse thashë, ‘Ta bëjmë këtë gjë reciprokisht’”, i ka thënë Kurti gazetarit Rezaian.
Kryeministri tutje ka folur edhe për raportet SHBA-Kosovë, duke thënë se aleanca duhet të forcohet patjetër dhe kjo, jo vetëm për nevojën e Kosovës.
Sipas tij, qëllimi i Rusisë në destabilizimin e Kosovës, nuk ka të bëjë vetëm me sulm direkt ndaj shtetit të ri, por edhe me shpërfaqjen e një dështimi të intervenimit të NATO-s dhe investimit amerikan.
“Putini dëshiron ta kthejë Kosovën në një vend të dështuar. Pasi Putin konsideron se intervenimet në Afganistan dhe Irak kanë dështuar, vetëm Kosova ka mbetur si rast suksesi. Ai dëshiron ta konsiderojë Kosovën si një sukses të përkohshëm. Prandaj, mbrojtja e Kosovës është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Kurti.