Nën akuzë të ashpër nga kritikët e tij që e akuzonin se kishte dorëzuar pjesë nga sovraniteti i vendit, duke nënshkruar marveshjen për energjinë me Serbinë, Albin Kurti e ka kthyer pllakën shpejt.
Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë dy akte të forta në kuadër të masave të vendosjes së reciprocitetit me Beogradin.
Së pari, nëse shteti serb nuk i njeh dokumentat e kosovarëve që mëtojnë të kalojnë kufirin mes dy vendeve dhe i pajis ata me një kartë provizore, Prishtina ka vendosur të aplikojë të njëjtin standart për udhëtarët që vijnë nga Serbia. Ky hap i guximshëm, në thelb të të cilit qëndron barazia e qytetarëve dhe jo trajtimi i tyre si të dorës së parë, apo dorës së dytë, është shoqëruar edhe nga masat për targat e makinave. Nëse shqiptarët nuk lejohen të qarkullojnë në Sebi me targat “Republika e Kosovës”, as serbët nuk mund ta bëjnë këtë me të tyret, kur kalojnë Merdaren.
Por, kjo përpjekje për reprocitet dhe dinjitet të qytetarëve e shoqëruar edhe me atë për mos qarkullimin e sebëve lokalë me targa të vjetra brenda teritorit të Kosovës, e ka nxjerrë nga binarët presidentin Alkeksandar Vuçiç. Ai ka reaguar menjëherë sapo është njohur me vendimet e qeverisë Kurti, për të vënë alarmin se Prishtina po planifikon sulme të njëanëshme, se këtej e tutje dialogu mes dy vendeve nuk ka kuptim, se përgjigja nga ana e tij, në vjeshtë, do të jetë “e vërtetë dhe vdekjeprurëse”.
Për ta kuptuar më qartë atë që po ndodh, mjafton të shpjegosh se në thelb të irritimit të Vuçiçit qëndron botkuptimi për ti parë qytetarët e Kosovës si qenie inferiore, të cilët nuk mund të trajtohen në mënyrë të barabartë me serbët. Pra reciprociteti i qeverisë Kurti, që nese nuk njihni dokumentat tona, ne jemi të detyruar të mos njohim tuajat, nëse nuk njihni targat tona edhe ne s’mund ta bëjmë këtë me ato serbe, Vuçiçit i duket një skandal. E këtu duhet theksuar se Albin Kurti është i gatshëm ti heqë menjëherë këto masa, nëse Serbia sillet në të njëjtën mënyrë, ndërsa ideatori dhe promovuesi i “Ballkanit të hapur”, lëvizjes së lirë dhe rajonit pa kufij, as nuk e çon në mend këtë gjë.
Në këtë kuptim, kjo linjë konstante politike e qeverisë së Kosovës, përpos interesave imediate të Albin Kurtit dhe përdorimit që i bën ai kësaj fabule për tregun e brendëshëm, ka edhe një efekt anësor. Ajo na tregon se sa hipokrit është presidenti serb kur flet për liritë e “Open Balkan”, se sa demagogjike është ftesta e tij për një rajon pa kufij.
Këto “provokime dinjitoze” janë lakmuesi që na shërben ne dhe botës mbarë për të dëshmuar se asgjë nuk e diferencon mentalitetin e shtetarëve të sotëm serb, nga ai i kohës së Millosheviçit, se për ta, shqiptarët mbeten qenie inferiore dhe se si të tillë duhen trajtuar me standarte të ndryshme.
Pra vetëm duke e vendosur nën këta prozhekrorë mund të kuptohet se ai që duhet të ndahet më të shkruarën, që duhet të ndryshojë e të reformohet është Beogradi.
Por, kjo qasje që vjen nga Prishtina ndryshon si nata me ditën nga politika ndaj Vuçiçit që po formëzohet në Tiranë. Në më shumë se në një rast, Edi Rama, ka predikuar se e ardhmja nuk ndërtohet me sytë nga e shkuara, se gjaku i derdhur nuk mund të mbajë peng kamionët me domate, se Serbisë nuk i duhet ushtruar një presion më i madh nga sa duhet. Madje në samitin e fundit të BE, kryeministri shqiptar u bë edhe avokati i lidhjeve të Beogradit më Moskën, duke i kërncënuar liderët e kontinentit se nëse nëse ata ushtrojnë trysni për të ndarë Serbinë nga Rusia, rajoni ynë mund të rrezikohet nga lufta dhe gjakderdhja.
Thënë shkurt, qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, jo vetëm që kanë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si i shohin politikat e Vuçiçit, por ato janë më të përçara se kurrë në këtë pikë. Prishtina e vizaton Beogradin ashtu siç është, ndërsa Tirana ashtu siç do donte ta shihte bota, e para na tregon me gisht hijet e së kaluarës, e dyta na gënjen me mirazhet e së ardhmes, Kurti e përshkruan me realizëm, ndërsa Rama me idealizim.
Natyrisht që në këto politika luajnë tepër rol edhe llogaritë personale të liderëve. Si një tribun populist, Albini e di se kjo lloj qasje ndaj Serbisë është gjithmonë e mirpritur nga elektorati i vendit të tij, ndërsa Edi, si kalkulator perfid, ka vënë bast se vëllazëria me Aleksandrin, do e lartësojë në rolin e faktorit të stabilitetit rajonal, duke i sfumuar ndërkombëtarisht të gjithë mëkatet e qeverisejes së tij të brendëshme.
Përtej këtyre kalkulimeve ditore, shtetet dhe kombet duhet të kenë edhe objektiva strategjikë. E në këtë optikë nuk mund të bashkjetojë dot, së toku edhe rrëfimi për Vuçiçin si vazhdim i trashigimisë së Millosheviçit edhe ai tjetri, i partizanit të paqes, lëvizjes së lirë dhe prosperitetit të gadishullit tonë.
Nëse Aleksandër Vuçiç është, në krye të një shteti të cilin e verbojnë simbolet kombëtare në targa, nëse ai nuk pranon ti njohë dokumentat e lëvizjes së qytetarëve, nëse ai i konsideron disa prej tyre si të dorës së parë dhe disa si të dorës së dytë, nëse ai vazhdon të jetojë me bindjen se serbët janë superiorë në raport me shqiptarët, ai duhet vizatuar ashtu sikursë është.
Fabula e politikanit modern dhe paqësor që militon për një Ballkan pa kufij, nuk ngjit dot kollaj mbi kostumin e pasardhësit të Sllobos. Prandaj, të dyja pasqyrat edhe ajo që na tregon Vuçiçin e Albinit, edhe ajo që na vizaton atë të Ramës, nuk mund të jenë të dyja të pranueshme. Sado që edhe njëra edhe tjetra, mund të jenë të nxitura nga llogari personale, imazhi që vjen nga Prishtina është më në favor të intersit të përgjithshëm. Ai i përshkruan botës Vuçiçin dhe pushtetin e vërtetë serb, të pa çliruar nga pesha e së shkuarës dhe jo atë që do të donim të ishte, por që ekziston vetëm në mendjen e Edi Ramës./Andi Bushati/